E Diel, 1 Nëntor 2026

Drafti, Ministria e Drejtësisë “ndëshkon” kryeprokurorin

Gazeta “Albania” publikon ndryshimet në Ligjin për Prokurorinë. Shmanget presidenti për masat disiplinore ndaj kryeprokurorit

Ministria e Drejtësisë ligjërisht “ndëshkon” institucionin e Prokurorisë dhe titullin e saj në rast se miratohet nisma e re e ndërmarrë nga qeveria. Një gjë e tillë është parashikuar në draftin më të fundit të ndryshimeve të ligjit për Prokurorinë, të cilin gazeta “Albania” e ka siguruar përmes kanaleve konfidenciale. Ky draft mban datën 28 tetor dhe thuhet se është konsultuar thuajse me të gjitha grupet e interesit, përfshirë misionin e asistencës në fushën e Drejtësisë të Bashkimit Europian (EURALIUS), ekspertët amerikanë të OPDAT-it, si dhe Shoqata e Prokurorëve. Ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nëse projektligji ka kaluar në Këshillin e Ministrave, por burime jozyrtare pohojnë se materiali pritet të kalojë brenda pak ditësh, për t’u hapur më pas rrugën procedurave të miratimit në Kuvendin e Shqipërisë. Burime për gazetën pohojnë se ka zëra se ekspertët për çështjet juridike pranë zyrës së kryeministrit po marrin pjesë në rishikimin final të draftit para se të miratohet nga Këshilli i Ministrave. Presionet e ushtruara, sidomos nga Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë, i kanë detyruar drejtuesit e kësaj nisme ligjore që të tërhiqen nga disa pika të nxehta si përcaktimi i numrit të anëtarëve të Këshillit të Prokurorisë, apo edhe rikthimi në detyrë i prokurorit, kur ky i fundit e ka fituar me vendim gjykate vendin e punës, pas shkarkimin e tij nga detyra.

Raporti Prokurori-Ministri

Ministria e Drejtësisë nuk tërhiqet nga “istikami” për të pasur të drejtë që të “ndëshkojë” institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme, ndonëse deri tani kanë dalë kundër drejtuesit aktualë të organit të akuzës, Shoqata e Prokurorëve, apo edhe ekspertë të tjerë të çështjeve ligjore në vend apo të huaj. Në draftin e siguruar nga gazeta, përpiluesit e ligjit ende kanë dilema për Nenin 56, përmes të cilit përcaktohen raportet mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Madje, institucioni i Alibeajt ende nuk ka dhënë një zgjidhje përfundimtare për këtë pikë, paçka se nuk ka ndonjë ndryshim esencial mes dy propozimeve, pasi ato lejojnë “procedimin disiplinor” për prokurorin e Përgjithshëm. Në ndryshim nga ligji në fuqi, në draft është propozuar që ministri i Drejtësisë raporton një herë në vit në Kuvend për punën e Prokurorisë, propozon procedime disiplinore për të cilat organi i akuzës paraqet rekomandimet e saj dhe më pas ato i kalojnë presidentit, por nuk parashikohet ligjërisht se si duhet të veprojë kreu u shtetit. Në dy variantet e parashtruara nga ekspertët në draft, për këtë pikë thuhet: “Rekomandimi për procedim disiplinor dhe përgjigjja e prokurorit të Përgjithshëm i njoftohen Presidentit të Republikës”. (Për dy variantet e propozuara, si dhe për pikën e Nenit 56, që është deri tani në fuqi, shiko tabelat). Kjo ka qenë ndër pikat më të nxehta të diskutimeve të bëra deri tani, por që përfaqësuesi i qeverisë ka deklaruar publikisht se nuk do të tërhiqet nga kjo çështje.
Në Nenin 56, ku janë parashtruar dy variante, i dyti ka lidhje me fushën e kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë në institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme, ku përcaktohet ligjërisht sfera e saj e kontrollit dhe konkretisht: “Ministria e Drejtësisë ushtron kontroll në organin e Prokurorisë në këto drejtime: a - zbatimi i prioriteteve të rekomanduara vjetore të dhëna nga Këshilli i Ministrave për luftën kundër kriminalitetit; b - respektimi i detyrimeve ligjore për ekzekutimin e vendimeve penale nga prokurori; c - garantimi i të drejtave të të proceduarve, shtetas shqiptar ose të huaj në marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja; d - rregullshmëria e mbajtjes dhe administrimit të statistikave dhe regjistrimit të veprave penale. Pra, përmes këtyre pikave tentohet që të shmanget e drejta e Ekzekutivit për të ndërhyrë në procesin hetimor, çështje kjo e ngritur disa javë më parë në media nga grupet e interesit.

Zgjedhja e prokurorit

Një nga pikat më të debatuara në rastin e ish-kreut të Prokurorisë së Përgjithshme, Theodhori Sollaku, ajo e mandatit të tij, është zgjidhur tashmë në draftin e ri. Sipas propozimit të bërë nga hartuesit e projektligjit, mandati i prokurorit të Përgjithshëm është 5-vjeçar, me të drejtë rizgjedhje. Po ashtu përcaktohen edhe kritere të tjera si; kreu i organit të akuzës duhet të ketë jo më pak se 10 vjet eksperiencë në sistemin e Drejtësisë dhe të shquhet për aftësi profesionale dhe figurë të pastër etiko-morale. Paketa ligjore e propozuar parashikon edhe pozicionin e kryeprokurorit pas përfundimit të mandatit të tij. Në të thuhet: “Pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme ose në vendin e mëparshëm, ose në një vend të barasvlershëm me vendin e mëparshëm”.
Një nga kleçkat e këtij drafti, që ende nuk është sanksionuar, ka të bëjë me rastin kur prokurori i Përgjithshëm ka konflikt interesi në hetimin e një çështjeje dhe nuk parashikohen “penalitete”, ndonëse ai e ka deklaruar me shkrim se nuk ka një shkelje të tillë. Gjithsesi, “imuniteti” i kryeprokurorit është i përcaktuar me Kushtetutë, duke i garantuar një status të qëndrueshëm. (Shih Nenin 48 të Kushtetutës.)
Këshilli i Prokurorisë
Një tjetër pikë e nxehtë ka qenë edhe funksionimi i Këshillit të Prokurorisë, i cili edhe në draftin e ri nuk ka ndryshime esenciale përsa i përket numrit të anëtarëve. Ndonëse kjo pikë ngjalli debate mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Shoqatës së Prokurorëve, sërish numri i anëtarëve mbetet 7. Në paketën e propozuar saktësohet përbërja e tij, ku një anëtar është përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë. Në mbledhjen e Këshillit të Prokurorisë mund të marrë pjesë edhe një përfaqësues i Presidentit. Po ashtu saktësohet misioni i tij; “Këshilli i Prokurorisë kryen funksione këshillimore në ndihmë të prokurorit të Përgjithshëm”. Mënyra e funksionimit të Këshillit të Prokurorisë nuk lihet në dorën e kryeprokurorit, por përcaktohen ligjërisht në një paketë prej 7 pikash. Kështu që “prokurori i Përgjithshëm” zhvishet nga disa kompetenca, të cilat i ka aktualisht me ligj. Ndonëse parashikohen edhe raste të përplasjes mes tyre, në draftin e propozuar thuhet: “Në rastet kur prokurori i Përgjithshëm nuk është dakord me mendimet e sugjeruara nga Këshilli, vendimmarrjen e tij ndryshe e parashtron të arsyetuar”, por sërish nuk parashikohet një “zgjidhje” kur palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta.
Statusi i prokurorit
Në draftin e përgatitur saktësohen dhe përcaktohen emërimet e prokurorëve të thjeshtë, por kësaj radhe sipas skemave të organizimit të ri të sistemit gjyqësor. Pra këtu përcaktohen modalitetet për prokuror të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe pranë Gjykatës për Krime të Rënda. Ky draft merr në shqyrtim edhe rastet e ndalimit dhe të hetimit të prokurorëve. Rasti i përplasjes mes shefit të Qarkullimit të Tiranës dhe një prokuroreje disa muaj më parë ngjalli shumë debate në publik dhe mes institucioneve, por përmes paketës së re përcaktohen qartë zgjidhjet: Në Nenin 36 janë bërë këto modifikime:
“1. Prokurori nuk mund të ndalohet ose të arrestohet pa pëlqimin e prokurorit të Përgjithshëm, veç rasteve të kapjes së tij në flagrancë.
2. Në rastin e arrestit në flagrancë organi procedues njofton menjëherë prokurorin e Përgjithshëm. Nëse prokurori i Përgjithshëm brenda 24 orëve nga çasti i arrestimit nuk jep pëlqimin, arresti në flagrancë e humbet fuqinë”.
Një ndër pikat që merr përsipër drafti të përmirësojë, që ishte edhe kërkesë e Shoqatës së Prokurorëve, është ajo e fitimit të së drejtës për rikthimin në detyrë të prokurorëve të shkarkuar. Në Nenin 34, të ndryshuar sipas draftit, thuhet shprehimisht: “Kur gjykata vendos se shkarkimi nga detyra është i pabazuar në ligj, prokurori rikthehet në të njëjtën detyrë, ose në një pozicion të barasvlershëm dhe përfiton pagën deri në rikthimin në punë”. Kjo paketë e përgatitur nga Ministria e Drejtësisë synon të përmirësojë kuadrin ligjor edhe për drejtuesit e prokurorive në nivele të ndryshme, sanksionon në mënyrë të qartë mënyrën e ndërtimit të “regjistrit të prokurorëve”, vlerësimin e punës, ngritjen në detyrë të prokurorit, ruajtjen e statusit për një afat të përcaktuar, pagat dhe shpërblimet dhe funksionimin e administratave pranë institucioneve të Prokurorisë në të gjitha nivelet. Po kështu, paketa “Alibeaj” ridimensionon marrëdhëniet mes Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore, ku kësaj radhe përcaktohet qartë roli i prokurorit në funksionimin e drejtimin dhe kontrollimin e veprimtarisë hetimore të Policisë Gjyqësore”.

Drafti i debatuar

Deri tani nisma ligjore për përgatitjen e ndryshimeve për funksionimin e Prokurorisë ka ngjallur debate të jashtëzakonshme, por publikisht nuk është shfaqur asnjë draft. Përveç grupeve të interesit, askush nuk ka pasur rastin të posedojë një kopje të projektligjit. Edhe drafti i siguruar nga gazeta nuk është paketa përfundimtare e dorëzuar në Këshillin e Ministrave, pasi ka të dhëna që mund të ketë disa modifikime në disa pika të tij, sidomos në nenet që flasin për marrëdhëniet mes Prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ekspertët që kanë marrë pjesë në hartimin e kësaj pakete pohojnë se një hap i tillë duhej të ndërmerrej pasi kuadri ligjor ekzistues ka shfaqur shumë probleme gjatë këtyre 5 viteve. Në të njëjtin mendim ka qenë edhe politika, ku përfaqësuesit e saj në Kuvend kanë ngritur fillimisht çështjen e përcaktimit të mandatit të prokurorit të Përgjithshëm. Proceset e fundit hetimore të organit të akuzës, si ajo e Gërdecit, vdekja e dëshmitarit të vetëm të aferës së municioneve, Kosta Trebicka, por edhe dosja “Fazlliç”, kanë ngritur shumë hije dyshimi dhe mosbesimi, si dhe kanë tensionuar ndjeshëm raportet mes Prokurorisë me Kuvendin dhe Ekzekutivit shqiptar.
Tashmë që procesi është në fund të tij, projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 8737, datë 12.02.2001, ‘Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar me Ligjin Nr. 9102, datë 10.07.2003”, pritet të marrë miratimin e Këshillit të Ministrave dhe shumë shpejt të kalojë në procedurat e tij në Kuvend. Megjithëse kjo nismë ligjore ka marrë pëlqimin e opozitës, në rastin e miratimit të tij në Kuvend do të kërkohen të paktën 84 vota për të hyrë në fuqi, gjë që duket se do ta bëjë shumë të vështirë këtë proces.

RAPORTI MES MINISTRINË E DREJTËSISË

Varianti i parë i draftit:
Në nenin 56 bëhen këto ndryshime:

- Pika 4, shtohet fjalia: ”Ministri i Drejtësisë paraqet në Kuvend të paktën një herë në vit raport me shkrim për inspektimet e kryera nga Ministria e Drejtësisë, duke vënë në dijeni prokurorin e Përgjithshëm. Raporti përmban të dhëna të përgjithshme për çështjet e parashikuara në pikën 2 të këtij neni. Prokurori i Përgjithshëm ka të drejtë të paraqesë në Kuvend mendimin e tij në lidhje me raportin e dërguar nga ministri i Drejtësisë sipas kësaj pike”.
- Shtohet pika 5 me këtë përmbajtje:
“5. Mbi bazën e rezultateve të kontrollit ministri i Drejtësisë, kur është rasti, paraqet rekomandim për marrje mase disiplinore prokurorit të Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm shqyrton rekomandimin dhe vendos në lidhje me të. Rekomandimi për procedim disiplinor dhe përgjigjja e prokurorit të Përgjithshëm i njoftohen Presidentit të Republikës”.

Varianti i dytë i draftit:
“Neni 56
Marrëdhëniet me Ministrinë e Drejtësisë

1. Ministria e Drejtësisë ushtron kontroll në organin e Prokurorisë në këto drejtime:
a) zbatimi i prioriteteve të rekomanduara vjetore të dhëna nga Këshilli i Ministrave për luftën kundër kriminalitetit;
b) respektimi i detyrimeve ligjore për ekzekutimin e vendimeve penale nga prokurori;
c) garantimi i të drejtave të të proceduarve, shtetas shqiptar ose të huaj në marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja;
d) rregullshmëria e mbajtjes dhe administrimit të statistikave dhe regjistrimit të veprave penale;
2. Kontrolli në çdo rast duhet të jetë i paralajmëruar, duke përcaktuar drejtimet që do të jenë objekt i kontrollit dhe për çështje për të cilat kanë përfunduar hetimet paraprake.
3. Për rezultatin e kontrollit vihet në dijeni Presidenti i Republikës, prokurori i Përgjithshëm, drejtuesi i Prokurorisë dhe prokurori, veprimtaria e të cilit është kontrolluar.
4. Mbi bazën e rezultateve të kontrollit ministri i Drejtësisë, kur është rasti, paraqet rekomandim për marrje mase disiplinore Prokurorit të Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm shqyrton rekomandimin dhe vendos në lidhje me të. Rekomandimi për procedim disiplinor dhe përgjigjja e Prokurorit të Përgjithshëm i njoftohen Presidentit të Republikës.

RAPORTI ME MINISTRINË E DREJTËSISË (Sipas ligjit në fuqi)
Neni 56
Marrëdhëniet me Ministrinë e Drejtësisë

1. Ministri i Drejtësisë kontrollon në mënyrë të planifikuar ose në bazë të informacioneve të dhëna nga organe, institucione ose persona të interesuar, ligjshmërinë e veprimtarisë së prokurorëve.
2. Objekti i kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë në organin e Prokurorisë është:
a) ndjekja e ecurisë së çështjeve që përmbahen në rekomandimet vjetore të dhëna nga Këshilli i Ministrave për luftën kundër kriminalitetit;
b) respektimi i afateve të hetimit;
c) respektimi i afateve të paraburgimit;
ç) respektimi i të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të subjekteve të procedimit penal dhe, në veçanti, të të ndaluarve dhe të arrestuarve;
d) rregullshmëria dhe vijueshmëria e kryerjes të veprimeve hetimore;
dh) respektimi i detyrimit ligjor të prokurorit për fillimin e ndjekjes penale;
e) ecuria e politikës penale dhe, në veçanti, e politikës së dënimeve që ndiqet nga prokurorët:
ë) rregullshmëria e mbajtjes dhe administrimit të statistikave dhe regjistrimit të veprave penale;
f) respektimi i parimeve të drejtësisë, barazisë dhe ligjshmërisë së veprimtarisë së prokurorit në marrëdhëniet e tij me subjektet e tjera të procedimit penal.
3. Kontrolli në çdo rast duhet të jetë i paralajmëruar dhe për çështje për të cilat kanë përfunduar hetimet paraprake.
4. Për rezultatin e kontrollit vihet në dijeni Presidenti i Republikës, Prokurori i Përgjithshëm dhe prokurori, veprimtaria e të cilit ka qenë objekt kontrolli.

ZGJEDHJA E PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM

Në nenin 7, pas pikës 1, shtohen tre paragrafë me këtë përmbajtje:

“1/1. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve me përvojë pune jo më pak se 10 vjet në sistemin e Drejtësisë dhe shquhet për aftësi profesionale dhe figurë të pastër etiko-morale.
1/2. Prokurori i Përgjithshëm qëndron në detyrë për 5 vjet, me të drejtë riemërimi.
1/3. Pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme ose në vendin e mëparshëm ose në një vend të barasvlershëm me vendin e mëparshëm. Ai nuk përfiton nga kjo e drejtë, në rastet kur shkarkohet për shkelje të Kushtetutës, për shkelje të rëndë të ligjit ose akte dhe sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e prokurorit të Përgjithshëm”.

DETYRAT E PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM
Neni 4
Në nenin 8, pika 2 ndryshohet si vijon:

“2. Prokurori i Përgjithshëm ka këto detyra kryesore:
a) Të përfaqësojë Prokurorinë në Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese.
b) I propozon Presidentit të Republikës numrin e përgjithshëm të prokurorëve, pasi të ketë marrë mendimin e ministrit të Drejtësisë, si dhe përcakton numrin e prokurorëve për çdo prokurori, përfshirë edhe Prokurorinë e Përgjithshme.
c) I propozon Presidentit të Republikës emërimin, transferimin, ngritjen në detyrë, largimin nga detyra dhe shkarkimin e prokurorëve.
ç) Cakton drejtuesit e prokurorive dhe zëvendësit e tyre në prokuroritë pranë gjykatave, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në këtë ligj.
d) Miraton strukturën, organikën dhe rregulloret e funksionimit të prokurorive pranë gjykatave dhe të Prokurorisë së Përgjithshme.
dh) Urdhëron komandimin e prokurorëve, sipas kritereve të përcaktuara në këtë ligj.
e) Emëron dhe shkarkon sekretarin e Përgjithshëm në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kancelarët e prokurorive.
ë) Përfaqëson prokurorinë në marrëdhëniet me të tretët në nivel qendror.
f) Merr masat e duhura për ushtrimin e kompetencave ligjore dhe kushtetuese të prokurorisë dhe përgjigjet për mosmarrjen e masave të duhura.
g) Drejton, koordinon dhe mbikëqyr aktivitetin e Prokurorisë dhe të Policisë Gjyqësore.
gj) Nxjerr akte normative (rregullore, urdhra dhe udhëzime), për ushtrimin e detyrave të përcaktuara nga ky ligj ose nga ligje të veçanta, të cilat janë të detyrueshme për prokurorët dhe Policinë Gjyqësore.
h) Inspekton ose urdhëron inspektimin e punës së Prokurorisë, si dhe urdhëron kontroll ose hetim dhe procedim penal apo disiplinor për shkelje të ligjit nga prokurorët.
i) Kryen veprimet për fillimin e procedimit disiplinor ose penal të policisë gjyqësore sipas ligjit të veçantë.
j) Mbikëqyr drejtpërdrejt shërbimin e inspektimit të Prokurorisë dhe miraton planin vjetor të inspektimeve të përgjithshme në Prokurori.
k) Thërret mbledhjen e Këshillit të Prokurorisë dhe mund të drejtojë mbledhjet e tij.
l) I delegon me shkrim kompetenca drejtorëve, përgjegjësve të sektorëve ose prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas parashikimeve në këtë ligj ose në ligje të veçanta, me përjashtim të atyre që parashikojnë shkronjat “b”, “c”, “ç”, “d”, “e”, “h”, “i” të këtij neni;
ll) I dërgon Ministrisë së Drejtësisë të dhënat statistikore të ndjekjes penale për hartimin e statistikës së njësuar në fushën e drejtësisë;
m) Kryen detyra të tjera të parashikuara në ligj.

- Në po këtë nen pikat 3 dhe 4 shfuqizohen.

KUSHTETUTA PËR PROKURORINË

Neni 148
1. Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Prokuroria kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligj.
2. Prokurorët janë të organizuar dhe funksionojnë pranë sistemit gjyqësor si një organ i centralizuar.
3. Në ushtrimin e kompetencave të tyre prokurorët u nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve.

Neni 149
1. Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.
2. Prokurori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kuvendit, për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Prokurorit.
3. Prokurorët e tjerë emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të prokurorit të Përgjithshëm.
4. Prokurori i Përgjithshëm informon herë pas here Kuvendin për gjendjen e kriminalitetit.

Reagimi i Shoqatës së Prokurorëve, katër pikat që u kundërshtuan

Disa ditë më parë, Shoqata e Prokurorëve doli kundër disa pikave të draftit që po përgatitej, ndonëse ishte pjesëmarrëse në procesin e përgatitjes së saj. Në një takim të organizuara nga disa organizata joqeveritare, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të “EURALIUS”-it, kreu i saj, Shkëlqim Hajdari, kërkoi që ligji i ri duhet t’u garantojë prokurorëve: pavarësi nga organet ekzekutive dhe nga ndikimet politike, në ushtrimin e funksioneve të tyre kushtetuese; përfshirje në këtë projektligj të neneve që do të rregullonin më mirë organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë midis shkallëve të saj dhe midis trupës së prokurorëve dhe Zyrës së prokurorit të Përgjithshëm dhe përmirësime për të arritur, që bazuar në kritere profesionale, të identifikohen prokurorët e aftë dhe të përkushtuar me qëllim mbështetjen dhe ngritjen e tyre në karrierë nga njëra anë dhe identifikimin e nxjerrjen jashtë sistemit të prokurorëve të paaftë apo të korruptuar. Hajdari ka parashtruar katër çështje që të përfshihen në ligj: 1- Në rast shkarkimi nga detyra të një prokurori, atij t’i njihet e drejta, që nëse gjykata konstaton se shkarkimi është i pabazuar në ligj, prokurori të përfitojë pagën për periudhën që ka qenë pa punë dhe të kthehet në detyrën që ka pasur.
2- Numri i anëtarëve të Këshillit të Prokurorisë të jetë më i madh sesa parashikohet në projektligj, por Këshilli të ruajë statusin e tij si organ këshillimor dhe sugjerues i prokurorit të Përgjithshëm.
3- Raportimi në Parlament i ministrit të Drejtësisë për punën e Prokurorisë, për mendimin tonë, është i panevojshëm, pasi do të politizonte punën e Prokurorisë dhe nuk do të përmirësonte realisht punën e saj.
4- Në lidhje me nenin e shmangies së konfliktit të interesit, jemi dakord me përmbajtjen e tij. Por mendojmë se në rastin kur prokurori i Përgjithshëm është në konflikt interesi, atëherë ai duhet të deklarojë me shkrim gjendjen e tij dhe kjo duhet të mjaftojë.
Hajdari ka kërkuar që prokurorët të jenë të mbrojtur në ushtrimin e funksioneve të tyre nga trysnia apo ndërhyrja e Ekzekutivit. Në përfundim të takimit i miratua edhe një deklaratë nga përfaqësuesit e Shoqatës së Prokurorëve, të Gjyqtarëve dhe disa organizatave të ndryshme ku kërkohej që Ekzekutivi dhe Kuvendi të respektojnë pavarësinë e Gjyqësorit.

1 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›