E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti, bllokohen pensionet suplementare të ish ushtarakëve

17/02/2009  Dy vjet më parë qeveria kërkoi plotësimin e ligjit dhe rishikimin e neneve

Çështja e projektligjit për pensionet e ish-ushtarakëve duket se nuk do të marrë një zgjidhje të shpejtë. Ndonëse po bëhen dy vjet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, burimet kanë bërë të ditur se, edhe pse drafti është i gatshëm dhe i propozuar për miratim, janë duke u zhvilluar ende diskutime për praktikat e ndjekura në vendet që kanë pasur eksperienca të përafërta me Shqipërinë. Burimet kanë theksuar se ekspertët ende nuk janë të gatshëm në dhënien e një mendimi përfundimtar, ndaj dhe çështja ka mbetur e pezulluar.

Faktikisht, grupi i punës ka arritur rreth 3 muaj më parë në një draft përfundimtar. Kjo në një konkluzion të ekspertëve të Ministrisë së Financave dhe asaj të Mbrojtjes, por ende nuk ka një konkluzion mbi bazën ligjore dhe atë të eksperiencave në vende të tjera. Vetë ushtarakët kanë deklaruar se do të ridalin në protesta për të kërkuar pensionin e tyre, ashtu siç e kërkojnë standardet ndërkombëtare.

Drafti

Grupet e punës kanë përcaktuar se masa e pensionit do të llogaritet në bazë të periudhës së lirimit nga detyra si dhe kontributeve të derdhura për vitet shtesë. Kështu, masa e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi do të jetë rreth 50 për qind e pagës referuese, ndërsa për çdo vit tjetër shtesë do të ketë rrite të tjera me nga 2 për qind. Është vendosur që për të gjitha vitet e shërbimit, për të cilat janë derdhur kontributet shtesë, konkretisht për ato të pas 2004-s, do të ketë rritje të masës së përfitimit. Por këto shtesa do të pësojnë rritje deri në një kufi të caktuar, i cili nuk do të jetë më shumë 50 për qind e pensionit maksimal që përfitojnë.

Buxheti

Ndërkohë që në buxhetin e shtetit është miratuar fondi prej 13 milionë lekësh, i cili do të nevojitet për llogari të pensioneve suplementare që do të përfitojnë ushtarakët e liruar nga detyra në vitet e mëparshme. Zbatueshmëria e këtij fondi do të jetë nën efektin e ndryshimeve që po bëhen në ligjin aktual të llogaritjes së pensioneve për këtë kategori. Kjo do të thotë se ky fond mund të pësojë ndryshime të vazhdueshme dhe në bazë të ecurisë së diskutimeve dhe pikave që do të jenë pjesë e draftit përfundimtar.

Gjykata Kushtetuese ka dhënë në shkurt të vitit 2007 vendim në lidhje më tri kërkesat e ushtarakëve mbi pensionet suplementare të tyre, duke kërkuar prej qeverisë rishikimin e ligjit dhe plotësimin e tij. Gjykata ka shfuqizuar disa nene dhe pika të ligjit të sigurimeve shoqërore suplementare të ushtarakëve. Kështu, është shfuqizuar me vendim të prerë nenet 1 dhe 7 (shkronjat “a, b“) dhe 9 të ligjit nr. 9481, datë 16.02.2006 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9418, datë 20.05.2005 «Për sigurimin shoqëror suplementarë të ushtarakëve të forcave të armatosura»”. Është shfuqizuar hyrja në fuqi e ligjit nga 16 prill 2006 dhe ka mbetura në fuqi afati 1 janar 2006. Gjithashtu është shfuqizuar ndarja në kohë lirimi para dhe pas 23 marsit 2004. Po ashtu është shfuqizuar derdhja e kontributeve për të liruarit në vitet 1992–1998 sipas pagës minimale dhe ka mbetur në fuqi derdhja sipas pagës referuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›