E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gorica i garanton Metës votën e 83 mijë anëtarëve

18/02/2009  LSI nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit me Sindikatën e Pensionistëve

“Ky bashkëpunim ka prioritet solidaritetin dhe mbështetjen për moshën e tretë”

Lëvizja Socialiste për Integrim ka vijuar nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit në kuadër të zgjedhjeve parlamentare. Marrëveshjen e radhës kryetari i LSI-së Ilir Meta e nënshkroi me Sindikatën e Pensionistëve të Shqipërisë. “Është një kënaqësi e veçantë, por edhe përgjegjësi e madhe politike dhe morale që jemi sot përpara jush dhe opinionit publik, së bashku me përfaqësuesit e Sindikatës së Pensionistëve dhe presidentin e saj, prof. Isa Gorica, për të nënshkruar dhe institucionalizuar një marrëveshje bashkëpunimi midis Lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe koalicionit tonë, me Sindikatën e Pensionistëve”, - u shpreh Meta pas firmosjes së kësaj marrëveshjeje. Ndërkohë, duke u ndalur në atë çfarë përfaqëson ky bashkëpunim, kreu i LSI-së vuri në dukje se “kjo marrëveshje ka si prioritet programor solidaritetin dhe bashkëpunimin jo vetëm deri më 28 qershor, ditën e zgjedhjeve por, ajo çfarë është më e rëndësishmja pas kësaj dite në qeverisjen e ardhshme të vendit, të miratimit të menjëhershëm të projektligjit “Për kujdesin ndaj moshës së tretë”, që Lëvizja Socialiste për Integrim, Sindikata e Pensionistëve dhe ekspertë të shoqërisë civile përgatitën dhe dorëzuan në Kuvendin e Shqipërisë prej gati më shumë se një viti, projektligj i cili u rrëzua pa asnjë argument nga qeveria e zotit Berisha”. Njëkohësisht Meta garantoi përmirësimin dhe zgjidhjen në mënyrë përfundimtare të problemeve sociale të kësaj shtrese. “Ky është një sistem tepër i deformuar dhe i arnuar herë pas here dhe duhet të jetë një sistem sa më i drejtë nga pikëpamja sociale dhe ne do të synojmë të përjashtojmë diskriminimet që përmbahen sot në sistemin aktual, si dhe rivlerësimin e minimumit jetik, në mënyrë që të jemi realistë për të vlerësuar minimumin jetik dhe të realizojmë të gjithë ato politika që ndihmojnë pensionistët dhe moshën e tretë për të përballuar me dinjitet jetën e tyre”, - nënvizoi Meta lidhur me këtë çështje. Nga ana e tij kryetar i Sindikatës së Pensionistëve, Isa Gorica, listoi vlerat e një marrëveshje të tillë për këtë sindikatë, ku vlerësoi së pari mundësinë e miratimit të ligjit për moshën e tretë në rast fitoreje në zgjedhje të LSI-së. “Ne do të punojmë përkrah Lëvizjes Socialiste për Integrim që ky grupim i mrekullueshëm politik të fitojë dhe do të bëjmë çmos, sepse ne nuk jemi pak, por rreth 83 mijë anëtarë. Ne do të tërheqim dhe të tjerë me vete dhe mendojmë se do t’ia arrijmë qëllimit që ky grupim politik të fitojë dhe të vijë në pushtet”, - u shpreh Gorica gjatë fjalës së tij, duke garantuar në këtë mënyrë votën “pro” kësaj force politike në zgjedhjet e 28 qershorit.

Garancia

Kreu i LSI-së garantoi se “kjo marrëveshje ka si prioritet programor solidaritetin dhe bashkëpunimin jo vetëm deri më 28 qershor, por dhe miratimit të menjëhershëm të projektligjit “Për kujdesin ndaj moshës së tretë”, që LSI-ja dhe Sindikata e Pensionistëve dhe ekspertë të shoqërisë civile përgatitën dhe dorëzuan në Kuvendin e Shqipërisë prej gati më shumë se një viti, projektligj i cili u rrëzua pa asnjë argument nga qeveria e zotit Berisha”.

Premtimi

Kryetari i Sindikatës së Pensionistëve, Isa Gorica, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me LSI-në premtoi se “ne do të punojmë përkrah Lëvizjes Socialiste për Integrim që ky grupim i mrekullueshëm politik të fitojë dhe do të bëjmë çmos, sepse ne nuk jemi pak, por rreth 83 mijë anëtarë. Ne do të tërheqim dhe të tjerë me vete dhe mendojmë se do t’ia arrijmë qëllimit që ky grupim politik të fitojë dhe të vijë në pushtet”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›