Drafti, deputetët të blejnë makinat shtetërore
Deputetëve u njihet e drejta e parablerjes së makinës që kanë pasur në përdorim. Në rast të kundërt, do shitet në ankand
TIRANË- Deputetët e parlamentit shqiptar do të kenë mundësinë që të privatizojnë makinat që kanë në përdorim kundrejt një pagese që do të vlerësohet nga shteti. Në rast se ata nuk duan ta bëjnë këtë gjë, makina del në shitje dhe i jepet personit që bën ofertën më të lartë në ankand.
Ky është një nga ndryshimet e ligjit për heqjen e makinave për deputetët dhe funksionarët shtetërorë.
Por diskutimi i projektligjit është shoqëruar me jo pak debate dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.
Në fund të mbledhjes, anëtarët miratuan një serë ndryshimesh ku ndër të tjera përfshihet edhe rikthimi i të drejtës së përdorimit pa limit të makinave qoftë edhe për çështje personale vetëm të Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe Kryetares së Parlamentit dhe heqja e saj për ministrat.
Tashmë, sipas ndryshimeve të miratuara në Komision, asnjë nga ministrat nuk ka të drejtë që ta përdorë makinën zyrtare për udhëtime që nuk kanë të bëjnë me detyrën.
Një nga nenet që hasi më shumë debat ishte ai numër dy, në të cilin përcaktohet se cili nga funksionarët do të përdori makinë dhe cilët do të subvencionohen me pagesë. Sipas ish- zëvendës ministrit të Financave, deputetit Sherefedin Shehu, kjo është një pikë e cila duhet të specifikohet edhe më tej për të parandaluar abuzimet pasi mund të ndodhë, shtoi ai, që një funksionar i cili përfiton pagesë të përdorë edhe makinat që janë në dispozicion të institucionit.
Por ky ligj bie ndesh me një tjetër ligj shqiptar, statusin e deputetit. Sipas këtij ligji, kuvendi është i detyruar që t'i vërë në dispozicion deputetëve makinën dhe shofer për të shkuar në zonën e tyre elektorale.
"Duhet përcaktuar qartë se cilët janë kategoritë e funksionarëve që marrin makinë dhe cilët marrin bonus.
Pasi mund të ndodhë që një funksionar i cili përfiton bonus të përdorë edhe makinën që është vënë në dispozicion të institucionit duke kryer shkelje në këtë rast", - tha ai duke shtuar se në praktikën e përditshme një funksionari të lartë ministrie nuk mund t'ia ndalojë njeri që të përdorë makinën edhe pse merr bonus.
Propozimi i Shehut u kundërshtua nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, sipas të cilit kategoritë janë të përcaktuara mirë dhe se përdorimi ose jo i makinës nga funksionarë të shtetit edhe pse përfitojnë bonus është një çështje që i takon moralit të tyre.
Në vazhdën e diskutimeve Spaho iu drejtua deputetëve duke iu sugjeruar që të mos nisen nga fakti që iu hoqën makinat atyre për të gjykuar edhe për funksionarët e tjerë të shtetit. "Mos u nisni nga standardi personal për të gjykuar për të tjerët",- tha ai.
Çështje tjetër tejet e diskutuar ishte edhe përcaktimi i masës së përfitimit për kategori të ndryshme të zyrtarëve të shtetit. Sipas një pjesë të deputetëve, është e nevojshme që të shihen edhe një herë këta tregues pasi ka nga ata funksionarë që për shkak të punës janë të detyruar që gjatë gjithë kohës të jenë në udhëtim dhe përfitojnë shumë minimale.
"Bonusi për një pjesë të kategorive duhet rishikuar në bazë të aktivitetit që ata kryejnë", - u shprehen një pjesë e deputetëve. Ligji në fjalë pritet të diskutohet së shpejti në seancë plenare në të cilën do të shqyrtohen dhe një serë propozimesh që kanë bërë anëtarët e komisioneve që e morën në shqyrtim atë.