E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekuestrohen kompjuterët e Artan Kristos

Prokuroria, ka sekuestruar në banesën e Muhamed Abdullah, kompjuterët dhe materiale të tjera që pretendohet se provokojnë terrorizëm


Specialistët e antiterrorist, bllokuan si provë materiale dhe shkresore një pjesë të materialeve dhe mjeteve të përdorura nga i arrestuari


TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit sekuestroi një lumë shkresash materiale, kompjuterin personal dhe atë të punës, që prej kohësh i përdorte i dyshuari për "Nxitje, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave me qëllime terroriste", Artan Kristo, i njohur edhe me emrin e teologut Muhamed Abdulla.


Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës dhe zyrës së Antiterrorit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.


"Zyra e Antiterrorit me urdhër të zv/drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës, prokurorit Genci Qano, sekuestruan një sërë materialesh shkresore në cilësinë e provave materiale si dhe dy kompjuterë (atë personal dhe që që përdorej në zyrë) në pronësi të Artan Kristos, që ka ndryshuar emrin në Muhamed Abdullah.


Disa prej materialeve dhe kompjuterët e tij janë gjetur dhe sekuestruar në banesën e të arrestuarit në qytetin bregdetar të Durrësit si dhe në zyrën e punës, nga ku drejtonte faqen zyrtare të internetit "Albselefet", ku ishte edhe moderator i saj, bashkë me disa vullnetarë të tjerë",-thuhet nga burimet e akuzës. Besimtarët e tij mësohet se janë përfaqësues të rrymës së tij ekstremiste të Vehabistëve, ose të njohur ndryshe të Selefëve.


Sipas prokurorisë, me anë të kësaj faqeje interneti, moderatori i saj Kristo, alias Abdullai, i ka lejuar vetes të bëjë thirrje publike për akte-terroriste, duke lejuar gjithashtu edhe komentues të ndryshëm të propagandojnë për kryerjen e veprave terroriste në vend.


"Nga hetimet tremujore, është arritur të provohet se Artan Kristo i njohur në rrethin e tij shoqëror edhe si imami Muhamed Abdullai, prej kohësh kishte hapur një faqe interneti me adresë www.albselefet.net, dhe ishte administrator i kësaj faqeje dhe moderator gjithashtu.


Në këtë faqe bëhej shpesh thirrje publike kundër terrorizmit, por kishte edhe nga ata persona apo komentues të cilët bënin thirrje dhe nxisnin lexuesit që të kryejnë akte terroriste edhe në Shqipëri. Për këto fakte dhe të tjera prova të gjetura dhe administruar në dosje, prokuroria ka kërkuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg" për imamin Abdullai.


Pas këtij vendimi të gjykatës në mungesë, policia ka ekzekutuar vendimin dy ditë më parë duke e arrestuar pranë banesës së një miku të tij në Durrës",- thuhet nga burimet e akuzës. Sipas këtyre burimeve, pas arrestimit të tij është urdhëruar kontrolli i banesës dhe zyrës ku ai kalonte një pjesë të mirë të ditës, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sërë dokumentesh të ndryshme dhe dy kompjuterë, një statik dhe një portativ (laptop).


"Të gjitha këto materiale të sekuestruara, do t'i nënshtrohen këqyrjes si dhe do të verifikohen të gjitha materialet e gjetura në memorjen e kompjuterëve dhe letër-këmbimet e kryera mes tij dhe personave të tjerë që do të verifikohen për veprimtarinë e tyre. Gjithashtu, mësohet se brenda serverëve të këtyre kompjuterëve ndodhen edhe kërcënimet dhe thirrjet për kryerjen e akteve terroriste të thëna nga i arrestuari Abdullai",-thuhet nga prokuroria.


Reagojnë Albselefët: kemi bërë thirrje kundër terrorizmit


Reagon pasditen e djeshme stafi i forumit të faqes së internetit www.albselefet.net kanë botuar një deklaratë, ku hedhin poshtë pretendimet e ngritura në media nga prokuroria, duke shtuar se "faqja internetit që modelohej nga imami Abdullai ka publikuar vetëm komente dhe shkrime kundër terrorizimit dhe vetë celulës së saj Al-Kaeda".


Ndërsa, sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, mësohet se më 27 gusht 2009, prokuroria e kryeqytetit ka regjistruar procedimin penal të "Nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste" në ngarkim të shtetasit Artan Kristo, me banim në rrethin e Durrësit. "Hetimet e këtij procedimi penal janë kryer nga Prokuroria e Tiranës dhe për hetimin sa më të plotë të çështjes, janë shfrytëzuar një numër i madh mjetesh për kërkimin e provës, përfshi dhe ato të karakterit teknik.


Deri në këtë fazë të hetimit, në një analizë të të gjithë të dhënave të grumbulluara, është konkluduar se ka të dhëna të mjaftueshme që shtetasi Artan Kristo ka kryer veprat penale të mësipërme",-thuhet në njoftimin zyrtar të kryeprokurores Ina Rama, që nëse deklarohet fajtor për këto akuza, imami Abdullai rrezikon dënimin nga 4 deri 10 vjet burg. Pak muaj më parë emisioni "Fiks-Fare" e denoncoi publikisht imamin Abdullai për mashtrim, pasi shtirej si mjek popullor në shtëpinë e tij në Shkozet të Durrësit.


AKUZA
Neni 232/a i Kodit Penal


"Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste"
Nxitja, thirrja publike, shpërndarja e shkrimeve ose propaganda në forma të tjera, që synon mbështetjen ose kryerjen e një apo më shumë veprave për qëllime terroriste dhe për financimin e terrorizmit, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim nga katër deri në dhjetë vjet.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›