Hiqet shtesa mbi page per titujt Master
Jonida Tashi
Pedagogët që bëjnë pjesë në kategorinë “Lektorë” nuk do ta përfitojnë më shtesën prej 10 mijë lekësh në muaj në rrogë për masterin e kryer. Lajmi për uljen e rrogës ose “zhgradimin” e tyre në vlerësimin për pagën u është komunikuar ditën e mërkurë pedagogëve të Universitetit të Tiranës nga shefat e departamenteve. Shtesën mbi pagë pedagogët që bëjnë pjesë në kategorinë “Lektorë” e kanë përfituar gjatë gjithë vitit të kaluar akademik, falë një vendimi të marrë nga qeveria për vlerësimin e pedagogëve që kanë kryer studimet “Master” dhe japin mësim në universitetet publike. Nga ky shfuqizim i vendimit të qeverisë për shtesën mbi pagë preket një numër i madh pedagogësh në të gjithë vendin, me përjashtim të atyre që bëjnë pjesë në kategoritë “Profesorë” dhe “Docentë”.
Ndërkohë që Ministria e Arsimit nuk u ka dërguar ende një shkresë zyrtare universiteteve publike të vendit për zgjidhjen e këtij problemi, i cili pritet të sjellë një reaksion të madh në trupën akademike që mban titullin “Lektorë”. Interesit të gazetës për marrjen e një përgjigjeje zyrtare, burime po zyrtare nga kjo Ministri i janë përgjigjur se universitetet duhet të presin përgjigjen e shkresës zyrtare. Përgjigje që ka mbërthyer në ankth një pjesë të madhe të pedagogëve në universitetet Publike të vendit.
Ligji
Në ligjin për Arsimin e Lartë përcaktohet se në kategorinë “Lektorë” bëjnë pjesë anëtarët e personelit akademik që zhvillojnë veprimtari mësimore-shkencore. Sipas këtij ligji, lektorët duhet të kenë diplomë “Master i Nivelit të Dytë” dhe të përmbushin kriteret që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Kurse ndarja në nivele, brenda secilës kategori, emërtimi dhe renditja e tyre, si dhe kritere më të hollësishme kualifikimi për secilin rast përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, referuar edhe përshkrimit të vendit të punës. Pikërisht mospërcaktimi i këtyre kritereve më të detajuara e ka detyruar rektorin e Universitetit Politeknik në Tiranë, që është njëkohësisht edhe kryetar i Konferencës së Rektorëve, Jorgaq Kaçani, që të mos ia komunikojë lajmin për uljen e rrogës personelit akademik që ai drejton. I kontaktuar nga gazeta “Albania” për këtë problem, Kaçani bën të ditur se i ka dërguar një shkresë zyrtare Ministrisë së Arsimit për procedurën që duhet të ndjekë. “Nuk e kam komunikuar këtë vendim, por i kam kërkuar Ministrisë, nëpërmjet një shkrese, që të më informojë se çfarë procedure duhet të ndjek gjatë këtij viti akademik për këtë problem, sepse këtu ka një kontradiktë”, - sqaron Kaçani.
Kontradikta
Kontradikta, sipas tij dhe mjaft pedagogëve që bëjnë pjesë në kategorinë “Lektorë”, qëndron në faktin se megjithëse në ligjin për Arsimin e Lartë është e përcaktuar se kush pedagogë kanë të drejtë ta mbajnë titullin “Lektorë”, ku kushti kryesor është zotërimi i masterit të nivelit të dytë, Ministria dhe qeveria nuk kanë përcaktuar kriteret specifike se kush klasifikohet në çdo kategori. Për këtë kreu i UPT-së shprehet: “Ministria e Arsimit duhet t’i propozojë Këshillit të Ministrave kriteret për klasifikimin e pedagogëve në secilën kategori, pasi ndarja e niveleve të pedagogëve bëhet nga Ministria dhe nga qeveria”. Sipas Kaçanit, përderisa lektorët i plotësojnë kriteret, edhe këtë vit ata duhet të përfitojnë të njëjtën masë shpërblimi për këto mastera. Në të kundërt, Ministria e Arsimit duhet t’u dërgojë universiteteve publike të vendit kriteret e reja për ndarjen e pedagogëve në kategori. “Ndërsa qeveria flet për rritje rrogash në Arsim, nuk më duket i arsyeshëm ky vendim. Pres përgjigje nga Ministria”, - përfundon rektori i Politeknikut. Ndërkohë që heqja e shtesës mbi rrogë prej 10 mijë lekësh në muaj nuk do të cenojë vetëm lektorët, që japin mësim në universitetet e Tiranës, por edhe ata që japin mësim në universitet e tjera të vendit.
Ndarja e personelit akademik
Personeli akademik në institucionet e Arsimit të Lartë, sipas rolit dhe veprimtarisë që kryen, kategorizohet në: “Profesorë”, “Docentë”, “Lektorë”.
Kategoria “Profesorë”
Në kategorinë “Profesorë” janë anëtarët e personelit akademik, titullarë të lëndëve ose të moduleve dhe udhëheqës të veprimtarisë së kërkimit shkencor. Anëtarët e personelit akademik të kësaj kategorie kanë gradën shkencore “Doktorë” dhe titujt akademikë: “Profesor i asociuar”, “Profesor”, “Profesor emeritus” dhe “Akademik”.
Kategoria “Docentë”
Në kategorinë “Docentë” janë anëtarët e personelit akademik që zhvillojnë kryesisht veprimtari mësimore. Anëtarët e personelit akademik të kësaj kategorie kanë titullin akademik “Docent” ose gradën shkencore “Doktor”.
Kategoria “Lektorë”
Në kategorinë “Lektorë” bëjnë pjesë anëtarët e personelit akademik që zhvillojnë veprimtari mësimore-shkencore. Lektorët duhet të kenë diplomë “Master i Nivelit të Dytë” dhe të përmbushin kriteret që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
Mësimdhënia vjetore në orë mësimore
Mësimdhënia e normuar vjetore për personelin akademik me kohë të plotë, konsideron: zhvillimin e leksioneve, seminareve, ushtrimeve, laboratorëve, praktikave mësimore apo profesionale, të përcaktuara këto për çdo disiplinë apo veprimtari formuese në planet mësimore të programeve të studimit.
Mësimdhënia e normuar vjetore, për personelin akademik me kohë të plotë në fakultete, e shprehur në orë mësimore, është si më poshtë:
Për personelin akademik
Kategoria “Profesorë”
me titullin akademik “Profesor” 200 orë mësimore
me titullin akademik “Profesor i asociuar” 220 orë mësimore
Kategoria “Docentë”
me titullin akademik “Docent” 300 orë mësimore
me gradën shkencore “Doktor” 260 orë mësimore
Kategoria “Lektorë” 260 orë mësimore
Për autoritetet drejtuese të IAL publike
Rektor/ drejtor Qendre Ndëruniversitare 50/50 orë mësimore
Kryetar i Këshillit të Administrimit 120 orë mësimore
Zv.rektor/zv.drejtor Qendre Ndëruniversitare 70/50 orë mësimore
Dekan/drejtor Instituti 70/50 orë mësimore
Zëvendësdekan/zëvendësdrejtor Instituti 150/60 orë mësimore Përgjegjës Departamenti/Qendre Kërkimi e Zhvillimi 170/60 orë mësimore
Për punonjësit që punojnë në institute kërkimore
Për personelin akademik me kohë të plotë në institut dhe qendër të kërkimit e zhvillimit, mësimdhënia e normuar vjetore do të jetë 20-30 për qind e orëve mësimore. Ky personel aktivizohet si rregull në fusha që përputhen me misionin e tyre. Për nevoja të veçanta të kërkimit, për këtë personel akademik mund të planifikohet mësimdhënie e normuar vjetore më e pakët.
Mësimdhënia e normuar vjetore, për personelin akademik me kohë të plotë në fakultete, organizohet me jo më pak se 6 orë mësim në auditor për çdo javë mësimore të vitit akademik.
Mund të përjashtohen nga ky rregull deri 5 për qind e personelit akademik të fakulteteve, sipas rregullave të përcaktuara në rregulloren e organizimit të tij. Këto përjashtime vlerësohen rast pas rasti dhe miratohen në mbledhjen e këshillit të fakultetit, mbi bazë të propozimeve të departamenteve.
Nga rregulli përjashtohet personeli akademik i instituteve dhe qendrave të kërkimit e zhvillimit.
Elementet e mësimdhënies së normuar vjetore konvertohen në orë mësimore si më poshtë:
1 orë leksion 1.5 orë mësimore
1 orë ushtrime/seminare 1.0 orë mësimore
1 orë laborator 0.8 orë mësimore
1 orë praktikë mësimore/profesionale 0.5 orë mësimore
1 orë mësim shoqërimi në Akad.e Arteve 0.5 orë mësimore
Mësimdhënia, që përfshin mësimdhënien e normuar vjetore dhe veprimtaritë për përgatitjen e mbështetjen e procesit të mësimdhënies, për personelin akademik me kohë të plotë në fakultete, vlerësohet gjithsej 750–1050 orë mësimore, që i korrespondon 50-70 për qind e të gjithë fondit të kohës vjetore të punës.
24 Tetor 2008