E Diel, 1 Nëntor 2026

Manjola Bejleri: Gjyqtarët, reforma në drejtësi është kthyer në luftë për pushtet

Gjyqtarët u kanë kërkuar deputetëve të mos e miratojnë draftin për administratën e gjyqësorit, sepse rrëzon pavarësinë e drejtësisë në vend. Të përfaqësuar nga kryetarja e shoqatës së tyre, Manjola Bejleri, togat e zeza kanë rrëzuar me argumente draftin e paraqitur nga Alibeaj. Projektligji për administratën gjyqësore ka zbuluar se mazhoranca dhe opozita nuk kanë të njëjtin qëndrim për sa i përket reformës në drejtësi, megjithëse pak muaj më parë u krijua përshtypja se dy forcat politike do të gjenin gjuhën e përbashkët për realizimin e saj. Kryetarja e Shoqatës së Gjyqtarëve, Manjola Bejleri, e kundërshtoi dje këtë projektligj, duke theksuar se me anë të tij po kërkohet t‘i hiqet totalisht mundësia pushtetit gjyqësor për të administruar shërbimet në gjykatë, duke ia kaluar ato Ministrisë së Drejtësisë, një organ ky që i përket pushtetit ekzekutiv. Sipas saj, projektligji cenon pavarësinë e gjyqësorit dhe çorienton punën që duhet të bëjnë gjyqtarët, gjë që ka një kosto shumë të rëndë për sistemin gjyqësor. Gjithashtu, Bejleri theksoi se në hartimin e projektligjit nuk është marrë mendimi dhe nuk është përfshirë as edhe vetë KLD-ja në grupin e punës, duke e përjashtuar qeverinë e gjyqësorit si grupimi më i interesuar në këtë projekt.

Çfarë reforme...

Kryetarja e Shoqatës së Gjyqtarëve tha se gjyqtarët kanë shprehur shqetësimin për mënyrën se si është kryer deri tani dhe po kryhet reforma në drejtësi. Një reformë e mirë dhe e suksesshme realizohet nëse procesi brenda të cilit zhvillohet ajo plotëson standarde ligjore e demokratike. "Të bësh reformë nuk do të thotë thjesht që institucioni që ka tagrin të hartojë drafte e projektligje dhe disa të tjerë të diskutojnë për to. Draftet duhet të hartohen pas një debati të gjerë publik, me qëllim që t‘u jepet zgjidhje problemeve që rezultojnë nga ky debat dhe t‘i hapet rruga një perspektive zhvillimi progresiste", tha Bejleri. Ajo shtoi se funksioni dhe aktiviteti i ekzekutivit nëpërmjet strukturave të tij duhet të ushtrohet për të luajtur një rol të rëndësishëm në krijimin e kushteve ligjore për t‘iu përgjigjur zgjidhjes së problemeve të gjyqësorit, për ngritjen e imazhit, të autoritetit dhe integritetit të gjyqësorit, por jo për të ndërhyrë në pavarësinë e tij dhe për ta vartësuar atë nga Ekzekutivi. Bejleri shtoi se procesi i reformës ka treguar se po kryhet me një shpejtësi e cila vë në dyshim zgjidhjet më të mira profesionale e ligjore. Ajo tha se nuk mundet që pas justifikimit se ky proces reformimi duhet të kryhet shpejt për shkak të angazhimit të Shqipërisë në marrëveshjet ndërkombëtare, të lejojmë që të mos realizohet debati publik dhe të cenohet cilësia e ligjit. "Me gjithë reagimin e shoqatës tonë kjo ndodhi me Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Gjyqësor, i cili u hartua dhe u miratua pa marrë as mendimin e gjyqtarëve. Vetëm pak muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, kushtetueshmëria e tij vihet në pikëpyetje nga paditë që janë ngritur e do të ngrihen në Gjykatën Kushtetuese", theksoi kryetarja e shoqatës së më të madhe të togave të zeza.

Cenohet pavarësia

Bejleri theksoi se shoqata shpreh shqetësimin dhe angazhimin për të mos lejuar që reforma të cenojë pavarësinë e pushtetit gjyqësor, por përkundrazi, ajo të ndihmojë në rritjen e garancive të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, në rritjen e mundësive për vjeljen e kapaciteteve më të mira njerëzore e intelektuale për dhënien e një drejtësie gjithmonë e më të mirë ndaj publikut. "Gjej rastin të shpreh sërish shqetësimin e gjyqtarëve për atë çfarë po ndodh kohët fundit midis Pushtetit Ekzekutiv (Ministrisë së Drejtësisë) dhe atij Gjyqësor. Vihet re një tendencë gjithnjë në rritje e Ekzekutivit për të ndërhyrë në punët e Gjyqësorit, kohët e fundit nëpërmjet administratës gjyqësore, duke e përdorur këtë të fundit në mënyrë antikushtetuese dhe të kundraligjshme në funksion të Ekzekutivit", theksoi gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, duke ngritur kështu shqetësimin për mënyrën sesi u procedua projektligji "Për administratën gjyqësore", i hartuar nga Ministria e Drejtësisë, i pasuar dhe nga Rregullorja për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Gjyqësore. "Ky projektligj tregon hapur një tendencë të pushtetit ekzekutiv, që nëpërmjet një prej pjesëve të tij siç është Ministria e Drejtësisë, të vartësojë Pushtetin Gjyqësor, duke i cenuar të tre elementet e pavarësisë një pushteti: organizativ, funksional dhe financiar. Ky projektligj ka treguar hapur cenimin e parimit të rëndësishëm të shprehur në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të ndarjes dhe balancimit të tre pushteteve", theksoi Bejleri.

Reformë apo luftë për pushtet?!

Gjyqtarët, të përfaqësuar nga kryetarja e shoqatës, Manjola Bejleri, tha dje se nuk duhet të lejohet që kjo reformë në drejtësi nga një debat i gjerë e konstruktiv të shndërrohet në një luftë për pushtet, ku njëri kërkon të zhvatë e tjetri të ruajë atë që ka. "Përpjekjet e gjyqësorit tashmë janë shtrirë jo vetëm për të rritur garancitë për një pushtet gjyqësor të pavarur me qëllim krijimin e shtetit të së drejtës, por edhe për të ruajtur atë pavarësi që sanksionohej me ligjet në fuqi e që po ‘reformohen‘. Ky front i zgjeruar i ka vështirësuar përpjekjet tona për të realizuar qëllimin që synojmë të arrijmë me reformën në drejtësi. Po krijohen përplasje parimore të koncepteve juridike për zhvillimin progresist të drejtësisë shqiptare e hendeqe në bashkëpunimin ndërmjet subjekteve e institucioneve, duke konsumuar kohë dhe energji të tepërta", theksoi Bejleri, duke shtuar se gjithçka është vetëm kosto për drejtësinë, të cilën do e paguajë shtrenjtë shteti shqiptar dhe veçanërisht qytetarët e tij.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›