Kushtetuesja rrëzon Bashkinë, vendimi për prishjen e Piramidës në bazë të ligjit
Me 6 vota pro dhe tre kundër Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e Bashkisë së Tiranës, asokohe e drejtuar nga Edi Rama, për papajtueshmëri me Kushtetutën të vendimit të Kuvendit për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar.
TIRANË Një vendim i marrë që në muajin qershor, po i zbardhur dje nga Gjykata Kushtetuese, vlerëson se vendimi i Kuvendit për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar është në përputhje me Kushtetutën. Bëhet fjalë për një padi të ngritur nga Bashkia e Tiranës, e drejtuar asokohe nga Edi Rama, ku argumentohet se vendimmarrja e Kuvendit, për prishjen e Piramidës dhe ndërtimin aty të kompleksit të ri parlamentar, ishte e paligjshme. Juristët e Bashkisë pretenduan gjatë seancave të zhvilluara para 8 Majit se me nxjerrjen e këtij vendimi ishte shmangur roli dhe kompetencat e Bashkisë dhe se vendimi i Kuvendit “Për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar” duhet të shfuqizohej, pasi ishte i papajtueshëm me Kushtetutën. Por Gjykata Kushtetuese me 6 vota pro dhe tre vota kundër ka argumentuar se vendimi i Kuvendit është shprehje e iniciativës së ligjvënësit për ndërtimin e një kompleksi të ri parlamentar. Nisur nga teksti i vendimit, Gjykata çmon se nuk rezulton ndonjë shmangie e rolit dhe kompetencave të Bashkisë së Tiranës, në lidhje me procedurat përkatëse për kërkim lejesh, miratim të projektit të zbatimit, të shesheve dhe lejeve të ndërtimit, apo shqyrtim të kërkesave për prishje objektesh. Gjykata vlerëson gjithashtu se vendimi i Kuvendit nuk krijon efekte juridike në drejtim të uzurpimit të kompetencave të pushtetit vendor në fushën e planifikimit urban dhe menaxhimit të territorit. Për pasojë, sipas shumicës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Shqipërisë me vendimin e vet nuk ndërhyn në kompetencat e Bashkisë së Tiranës. Ndërsa tre anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese kanë votuar kundër këtij vendimi. Sokol Sadushi, Petrit Plloci dhe Sokol Berberi kanë argumentuar në vendimin e tyre “kundër” se ndërmjet qeverisjes vendore dhe pushtetit qendror ka lindur në fakt një mosmarrëveshje për ushtrimin e kompetencave të tyre në fushën e planifikimit, të menaxhimit urban, si dhe të kontrollit mbi territorin. Ndryshe nga sa ka vlerësuar shumica, tre anëtarët çmojnë se situata ligjore që ka krijuar vendimi i Kuvendit ka shkaktuar një situatë faktike konfliktuale, e cila është baza dhe shkaku i lindjes së mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore. Në vlerësimin e pakicës, vendimi nr.66, duke parashikuar ndërtimin e një objekti të ri në vendin ku, sipas Studimit Urbanistik të Qendrës së Qytetit, duhet të jetë godina ekzistuese, cenon kompetencat e pushtetit vendor në fushën e planifikimit urban. Tre anëtarët nuk kanë anashkaluar edhe elementet që lidhen me faturën financiare të prishjes së Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, “Pjetër Arbnori”. “Është e kuptueshme se kostoja financiare për prishjen e një godine të tillë do të ishte e konsiderueshme dhe nuk mund të mos pranohet se kjo do t’i shkaktonte buxhetit të shtetit një dëm financiar jo të papërfillshëm”, - thuhet në vendim. Pakica sjell në vëmendje se me vendimin nr.180, datë 13.04.2000 të Këshillit të Ministrave, aksi kryesor i qendrës historike të qytetit të Tiranës është shpallur Ansambël - Monument Kulture. Urdhri i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me anë të të cilit është vendosur heqja e statusit monument kulture të objektit Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Pjetër Arbnori”, ka dalë pasi është miratuar vendimi i Kuvendit dhe është bazuar, pikërisht në këtë vendim.