Vllaznia, “poker” për “Big-4”
Me një goleadë të hapur e të mbyllur nga “bomberi” Bekim Bala, Vllaznia shkatërroi 4-0 Skënderbeun në ndeshjen e kthimit të çerkefinaleve të edicionit të 58-të Kupës së Shqipërisë, duke
marrë pjesë për herë të 28-të midis katër më të mirave të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm futbollistik në vend.
Në një “Loro Boriçi” totalisht “free of charge” (hyrja ishte falas) ishte sulmuesi më në formë i Vllaznisë, Bekim Bala ai që në minutën e 23-të mposhti portierin maqedonas të Skënderbeut, Kosturanov, përpara se mbrojtësi Elvis Kraja të ndëshkonte ish-skuadrën e tij në të 30’. Me pjesën e parë të mbyllur në avantazh 2-0, e me rezultatin e përgjithshëm të përkohëshëm po 2-0, nisur dhe nga fakti se takimi i parë në Korçë kishte përfunduar 0-0, Vllaznia e Edi Martinit - (“Korçarët do të mësojnë në Shkodër se si luhet futbolli”, - pat thënë para ndeshjes trajneri shkodran) – vazhdoi furinë e saj duke çarë dhe dy herë të tjera murin mbrojtës të kalasë së “rrënuar” të Skënderbeut. Mesfushori Ndriçim Shtubina, ashtu siç pat premtuar se do t’i shoqëronte me një gol festimet e 23-vjetorit të lindjes, realizoi golin e tretë të takimit në minutën e 59-të (shkodrani u ndëshkua më pas më karton të verdhë nga gjyqtari Lorenc Jemini për shkak të heqjes së bluzës në pistë). Bekim Bala, golashënuesi më i mirë në Kupën e Shqipërisë, realizoi golin e katërt të Vllaznisë pas vetëm pesë minutash, në të 64’ duke vulosur triumfin madhështor të 6-hërë fituesve të kupës. Për 19-vjeçarin ky ishte goli i tij i shtatë në këtë kompeticion. Me kualifikimin e radhës shkoi në gjashtë numri sukseseve të Vllaznisë, kundrejt 1 eliminimi që i ka bërë Skënderbeu shkodranëve. Për herë të fundit, pas këtij të sotmit, Vllaznia e kishte eliminuar Skënderbeun në edicionin e vitit 1986 (1-1 në Korçë, 0-0 në Shkodër). Vllaznia iu bashkua në gjysmëfinale Besës (eliminoi Tiranën) e Shkumbinit (eliminoi Dinamon), ndërkohë që skuadra e katërt e kualifikuar do të dalë nga çifti Teuta-Gramozi (takimi i parë 1-1, ndërsa ndeshje e kthimit do të luhet të mërkurën në Durrës).
RRUGA E VLLAZNISË
Në turin e parë, Vllaznia eliminoi Tomorin e Beratit: fitoi 4-0 në Berat dhe 5-1 në Shkodër. Në turin e dytë eliminoi Kamzën: fitoi 3-1 në Kamzë dhe barazoi 2-2 në “Loro Boriçi”. Në ndeshjen e parë të turit të tretë Vllaznia barazoi 0-0 Skënderbeun në Korçë, ndërkohë që në atë të kthimit fitoi thellësisht 4-0 në “Loro Boriçi”.
VLLAZNIA NE KUPE
Pjesëmarrëse: në 57 edicione
Në çerekfinale: 46 herë
Në gjysmëfinale: 28 herë
Në finale: 12 herë
Fituese: 6 herë
Finale të humbura: 6 herë
KUPA E SHQIPËRISË
ÇEREKEFINALET
NDESHJA E PARË
Skënderbeu-Vllaznia 0-0
NDESHJA E DYTE
Vllaznia-Skënderbeu 4-0
23’ Bala, 30’ Kraja , 59’ Shtubina, 64’ Bala
Kualifikohet Vllaznia me rezultatin e përgjithshëm 4-0
17 Mars 2010