Drafti për kontrollin parlamentar të SHISH-it, eksperti britanik dhe OSBE-ja japin rekomandime
Një ekspert britanik, së bashku me OSBE-në, do të japin rekomandime për draftin për kontrollin parlamentar të shërbimeve informative të vendit. Lajmi është bërë i ditur nga prezenca e OSBE-së në Shqipëri. Kjo mbështetje vjen si përgjigje e kërkesës së kryetarit të Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe është pjesë e projektit të prezencës së OSBE-së në mbështetje të parlamentit, financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. Projektligji rregullon mbikëqyrjen nga Parlamenti të punës së shërbimeve informative dhe të sigurisë.
Drafti në fjalë ka qenë më i debatuari kohët e fundit nga opozita, e cila i ka bërë thirrje maxhorancës të mos e përfshijë këtë projekt në seancën e datës 22 korrik. Sipas PS-së, kryeministri Sali Berisha, me kalimin e këtij drafti në Kuvend, kërkon të uzurpojë institucionet kushtetuese të vendit. Në një deklaratë për shtyp ditë më parë, deputeti i PS-së, Ilir Gjoni, u shpreh se me kalimin e draftit në Kuvend Berisha po kërkon të hakmerret ndaj drejtorit të SHISH-it, i cili ka paraqitur një raport realist në Komisionin e Sigurisë, kryesisht për luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve e korrupsionit. “Ai, me sa duket, mendon ta realizojë këtë synim nisur edhe nga fakti se tashmë vëmendja e partnerëve ndërkombëtarë, në gjykimin e tij, mund të jetë e shpërqendruar për më tepër kur disa prej përfaqësuesve diplomatikë largohen nga vendi në përfundim të mandatit”, - është shprehur Gjoni
OSBE
Në një deklaratë për shtyp, zyra e shtypit të OSBE-së deklaroi se një ish-anëtar i specializuar i Komisionit për Sigurinë dhe Shërbimet Informative të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, së bashku me personelin e OSBE-së, do të japë rekomandime, të cilat do t'i paraqiten kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit, të gjitha partive politike, anëtarëve të institucioneve dhe shoqërisë civile, para se të miratohet projektligji. Kështu, synohet hartimi i një versioni të parë paraprak për forcimin e procedurave parlamentare, përmes proceseve të konsultimit publik. Ambasadori Robert Bosh, kryetar i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, tha për mediat: "Mbikëqyrja parlamentare e shërbimeve kombëtare informative dhe të sigurisë, si dhe e institucioneve qeveritare që i mbikëqyrin ato, siguron llogaridhënie demokratike”.
Drafti
Drafti i paraqitur parashikon shkallën e kontrollit parlamentar të shërbimeve informative të vendit, si dhe përcakton përbërjen, kompetencat, detyrat e mënyrën e punës të njësisë parlamentare për kontrollin e shërbimeve informative të vendit. Kjo strukturë gëzon autoritetin dhe është kompetente për të kontrolluar dhe marrëdhëniet që mbajnë këto shërbime me Kuvendin, qeverinë, ministritë, si dhe me autoritete të tjera shtetërore, organizata apo individë. Të drejtën e kontrollit të këtyre shërbimeve do ta ketë Nënkomisioni Parlamentar për Shërbimin Informativ, që do të jetë pjesë e Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe që do të ketë jo më shumë se 7 anëtarë. Kryetari, zëvendëskryetari dhe anëtarët e Nënkomisionit zgjidhen nga anëtarët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare me propozimin e grupeve të deputetëve dhe miratohen nga Kuvendi me shumicë votash. Nënkomisioni e ushtron kontrollin nëpërmjet një grupi prej të paktën 3 anëtarësh që caktohen nga radhët e deputetëve të opozitës dhe deputetëve të koalicionit. Përsa u përket kompetencave, Nënkomisioni mund të kontrollojë veprimtarinë e Shërbimit Informativ përsa i përket përputhjes me politikën e miratuar për sigurinë kombëtare, të diskutojë programin vjetor të punës së shërbimit informativ përkatës, të diskutojë raportet për punën dhe veprimet financiare, të diskutojë projektbuxhetin kombëtar dhe projektligjet e tjera që lidhen me financimin e këtyre shërbimeve, si dhe të diskutojë projektligjet dhe ligjet e tjera që lidhen me funksionimin e tyre. Ndërkohë, qeveria duhet të paraqesë për diskutim në Nënkomision programin e punës, raportin e përgjithshëm për punën dhe veprimet financiare të çdo shërbimi të fshehtë, ku përfshihen të dhëna të hollësishme për veprimtarinë e përgjithshme të shërbimit të fshehtë informativ të kontrolluar, për veprimtarinë e tij me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare, sasinë dhe përdorimin e ardhshëm të burimeve financiare për të kryer detyra të veçanta, si dhe të dhënat për numrin e personave nën survejim nga shërbimi i fshehtë informativ i kontrolluar. Çdo katër muaj, shërbimi i fshehtë informativ i kontrolluar raporton në Nënkomision për kryerjen e detyrave të tij. Përveç punës në zyrë, Nënkomisioni mund të autorizojë një grup inspektimi, i cili mund të ndërmarrë një kontroll të paralajmëruar ose jo të mjeteve dhe godinave që përdoren nga shërbimi i kontrolluar në lidhje me survejimin dhe regjistrimin e telekomunikimeve. Ai mund të kërkojë inspektimin e dokumenteve dhe materialeve të tjera dhe të dhënat e shërbimit të kontrolluar që lidhen me kompetencat dhe detyrat e Nënkomisionit.
Baraj: “Prifti nuk ka deklaruar ekzistencën e aksioneve të tij në një kompani”
Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Baraj, bëri dje me dije se ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, nuk ka deklaruar në deklaratën e pasurisë ekzistencën e aksioneve të tij në një kompani. Sipas Bares, pasurimi i Priftit me 1.8 milionë euro ka ardhur nga shitja e këtyre aksioneve. “Në më pak se 12 muaj, në krye të Ministrisë së Ekonomisë, ministri Prifti ia doli të krijonte nga hiçi një kompani, ta ngrinte atë dhe të shiste aksionet duke u pasuruar me 1.8 milionë euro. Pra, gjatë vitit që shkoi ministri Prifti ka fituar nga 150 000 euro në muaj. Kjo po që është një mrekulli ekonomike nga ato për të cilat flet kryeministri”, - u shpreh Baraj. Sipas tij, deklarata e pasurisë së Dritan Priftit nuk flet vetëm për korrupsionin e skajshëm të qeverisë “Berisha”, por edhe për arrogancën e një qeverie, ministrat e së cilës e mendojnë veten mbi ligjin dhe nuk përpiqen më as ta fshehin korrupsionin ku janë zhytur fund e krye. “Dritan Prifti, të cilin dikur Sali Berisha e Ilir Meta e shpëtuan nga përballja me Drejtësinë për aferat korruptive skandaloze ku ishte përfshirë si drejtues i KESH-it, sot duhet të dalë përballë shqiptarëve e të japë llogari për burimin e këtij pasurimi të papritur. Ky ministër, që shkonte me pushime kur Shkodra e Nën-Shkodra përmbyteshin, duhet t’u sqarojë shqiptarëve burimin e këtyre 1.8 milionë eurove, një shumë kjo e barabartë me gjysmën e dëmshpërblimit që morën ato qindra familje shkodrane të cilave ai me korrupsionin dhe papërgjegjshmërinë e tij u shkatërroi shtëpi e katandi”, - u shpreh Baraj.
Shalsi: “Qeveria të dëgjojë këshillat e opozitës për zgjidhjen e krizës ekonomike”
Partia Socialiste i ka bërë thirrje maxhorancës të dëgjojë këshillat e saj për ekonominë e vendit. “Është për të ardhur keq që ministri i Financave, Ridvan Bode, përgjegjësi kryesor për rrënimin ekonomik dhe financiar të shqiptarëve gjatë vitit të fundit, në vend që të merret me krizën ekonomike ku e ka zhytur Shqipërinë, gjen kohë dhe merret me opozitën”, - u shpreh Shalsi, duke shtuar se “fatkeqësisht, Ridvan Bode është një tjetër ministër i Saliut që është i pabesueshëm për shqiptarët. A nuk ishte i njëjti Ridvan që 13 vjet më parë mburrej me sistemin e piramidave vetëm pak ditë përpara se ai të kolapsonte tërësisht duke zënë nën vete të gjitha kursimet e shqiptarëve?”. Shalsi shprehu shqetësimin se qeveria ka ulur të ardhurat në buxhet dhe ka ndalur investimin në vend, gjë që ka çuar ekonominë në rrënim. “Një qeveri që ka ndaluar së investuari, që nuk kontrollon dot më inflacionin dhe rritjen e çmimeve, që nuk arrin dot të mbledhë të ardhura nga taksat dhe tatimet, që po e mbyt sistemin bankar duke bërë që kredidhënia të bllokohet, që e ka çuar borxhin e brendshëm në vlera të llahtarshme, që tallet me pensionistët duke bërë rritjen më të ulët të pensioneve gjatë 10 viteve të fundit, nuk duhet të ketë kurajën për të folur për ekonomi të qëndrueshme”, - tha Shalsi.
Meta: “Reforma zgjedhore është konsensusi i vetëm me opozitën”
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht edhe ministër i Jashtëm, Ilir Meta, i ka bërë sërish thirrje opozitës të bashkëpunojë për reformën zgjedhore, duke e cilësuar këtë si konsensusin e vetëm me PS-në. Duke marrë pjesë në inaugurimin e katër qendrave shëndetësore në Fier dhe Lushnjë, Meta theksoi se kreu i PS-së, Edi Rama, nuk mund ta fusë Shqipërinë në krizë siç ka bërë me Partinë Socialiste. "Ne i ofrojmë Ramës gjithë asistencën për të dalë nga situata e vështirë, ku është futur dhe ku ka futur edhe Partinë Socialiste”, - theksoi Meta, duke shtuar se rruga e vetme për konsensus me opozitën janë ndryshimet në reformën zgjedhore. Meta i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti ka inauguruar 4 qendra shëndetësore në Fier dhe Lushnjë. Ky investim është bërë me bashkëpunimin me shoqatën "Gjysmëhëna e kuqe".
15 Korrik 2010