E Diel, 1 Nëntor 2026

Korça rrezikon terrin, nuk ndalet vjedhja e kabllove elektrik

15/07/2010 Pas lagjes së francezëve dhe rrugës “Petraq Shomo”, në terr edhe lagjja e re

KORÇE- Qyteti i Korçës rrezikon të mbetet në terr, pasi vjedhja e kabllove elektrike nuk po ndalet. Persona ende të panjohur vazhdojnë të vjedhin pjesë të tëra të rrjetit të ndriçimit. Vargu i lagjeve apo i rrugëve të këtij qyteti, që po përballen me errësirën po bëhet gjithnjë e më i gjatë. Çdo mëngjes, banorë të lagjeve të veçanta raportojnë pranë Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Bashkinë e Korçës se gjatë orëve të vona të natës ndriçimi u ka munguar totalisht, ndërsa nga verifikimet e kryera gjithnjë rezulton se kabulli ishte vjedhur. Aktualisht vjedhjet janë konstatuar në lagjet periferike të Korçës, por duket se vjedhësit po hyjnë gjithnjë e më shumë edhe në brendësi të qytetit. Tashmë duket se vjedhësit e kabllove elektrik kanë fituar përvojë, pasi janë në gjendje të shkëputin rrjetin kabllor nga energjia elektrike dhe në të njëjtën kohë ta vjedhin atë nga njëra shtyllë te tjetra, nga puseta e parë deri te e fundit, madje pa u pikasur nga askush. Së fundi ka mbetur në terr edhe lagjja e re e Korçës.

Në errësirë

Shqetësimi për vjedhjen e rrjetit kabllor të ndriçimit u bë i ditur nga burime pranë Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Bashkinë e Korçës, të cilat pohuan se pas vjedhjes në lagjen e francezëve ku ishin vjedhur gati 1000 metra linear kabllo dhe pas vjedhjes së konstatuar në rrugën “Petraq Shomo”, ku kabulli ishte marrë në 18 shtylla mëngjesin e ditës së mërkurë u raportua edhe nga banorë të lagjes së re se kishin mbetur pa ndriçim, çka do të thotë se kabulli elektrik ishte vjedhur edhe në këtë lagje. Burimet pranë Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Bashkisë Korçë pohuan se po kthehet në një fenomen mjaft shqetësues, pasi disa persona ende të paidentifikuar deri më tani nuk po ndalen në vjedhjen e kabllove të ndriçimit. Për Drejtorinë e Shërbimeve Publike këta persona rrezikojnë që të lënë gjithë Korçën të mbuluar nga terri. Për këtë arsye i është kërkuar ndihmë edhe policisë së Korçës, e cila aktualisht po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Të njëjtat burime bënë të ditur gjithashtu se errësira në lagjet ku është vjedhur kabulli deri më tani do të vijojnë të jenë në terr, pasi zëvendësimi i kabullit kërkon shpenzime të konsiderueshme, madje të papërballueshme nga vetë bashkia. Sipas burimeve në fjalë, në raste të tilla nuk zëvendësohet vetëm linja, pasi kjo gjë kërkon edhe kryerjen e punimeve të tjera shtesë, çka do të thotë se duhen prishur sërish trotuare apo rrugë në gjithë pjesën e qytetit ku ka qenë i shtrirë rrjeti kabllor i ndriçimit, pasi në të kundërt, nuk ka mënyrë tjetër për zëvendësimin e tij. Kjo do të thotë që krahas prishjeve të rrugëve do të duhet edhe rindërtimi i tyre nga e para. Të gjitha këto shtojnë shpenzimet, që sipas burimeve të cituara më sipër, shkojnë në miliona lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›