E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshon ligji i pronave, drejtori i Agjencisë merr të drejtën e heqjes së titullit të pronësisë



Eljona Ballhysa
Deputetët demokratë në Komisionin e Ligjeve kanë miratuar dje me votat e tyre projektligjin “Për disa ndryshime në Ligjin e Pronave”, të hartuar nga deputeti Enkelejd Alibeaj. Drafti është kundërshtuar ashpër nga deputetët socialistë në Komision, të cilët votuan kundër duke argumentuar se projektligji bie në kundërshtim me Kushtetutën, me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe me Kodin e Procedurës Civile. Sipas deputetëve socialistë, nëpërmjet këtij projekti i jepet e drejta drejtorit të Agjencisë së Pronave që të heqë të drejtën e titullit të pronësisë, ndërkohë që sipas Kushtetutës, titulli i pronësisë, i fituar me ligj, hiqet vetëm nëpërmjet vendimit të gjykatave. Deputetja Ligori, gjatë fjalës së saj u shpreh se ky draft krijon një gjykatë paralele. Ajo tha se në 5 vjet është ndryshuar 6 herë ligji i pronave dhe ka tri vendime të Gjykatës Kushtetuese që i rrëzojnë këto ndryshime për antikushtetutshmëri. Më tej Ligori shtoi se maxhoranca nuk po bën gjë tjetër veçse po kërkon të zvarrisë zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronave nëpërmjet vendime kontradiktore që jepen nga Agjencia e Pronave. Ndërsa deputetët demokratë argumentuan ndryshimet e propozuara. Sipas tyre, drafti është në përputhje me Kushtetutën dhe përmbush një vakuum ligjor që lidhet me shqyrtimin dhe verifikimin e vendimeve të padrejta të dhëna në vite nga ish-komisionet e pronave, apo nga agjencitë rajonale të pronës.
Debati
“Këtu kemi të bëjmë me një ligj totalisht antikushtetues, që është në shkelje të hapur jo vetëm me Kushtetutën, por edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në të konsiderohen vendimet e komisioneve të pronave, as si akte administrative, as si vendime gjyqësore, por si diçka e ndërmjetme. Pikërisht për këtë motiv, ankimimi i këtyre akteve sipas Gjykatës Kushtetuese duhet të bëhen në rrugë gjyqësore dhe jo nga një institucion tjetër administrativ, siç është Agjencia e Pronave, që varet nga Ekzekutivi. Gjykata Kushtetuese e nxjerr antikushtetues të drejtën që ka Agjencia e Pronave për cenimin e parimit të sigurisë juridike. Pra nuk mund të cenohen vendimet e komisioneve të pronave. Nëpërmjet këtij drafti, qytetarët vihen në një nivel paqëndrueshmërie për pronën e tyre dhe është një problem që i shkaktohet dhe biznesit që kërkon të investojë në Shqipëri. Problemi tjetër, antikushtetutshmëria e këtij drafti, qëndron edhe në faktin se ju, me një ligj të thjeshtë kërkoni të ndryshoni një ligj të cilësuar, siç është Kodi i Procedurës Civile, i cili përcakton qartë se kur mund të rrëzohet një akt administrativ”, - është shprehur Ligori. Më tej ajo shtoi se kjo nismë e PD-së bëhet për të shkaktuar pasiguri te qytetarët për pronat e tyre. “Qytetarët nuk po i marrin dot pronat e tyre, pasi kjo maxhorancë në 5 vjet e ka ndryshuar 6 herë ligjin e pronave për të cilin ka 3 vendime të Gjykatës Kushtetuese për antikushtetutshmëri. Ky nuk është gjë tjetër veçse një element që nxit korrupsionin. Pasi në të vërtetë ne duhet që konfliktet për pronat t’i adresojmë dhe t’i zgjidhim në rrugë gjyqësore, jo t’ia lëmë në dorë drejtorit të Agjencisë së Pronave”, - është shprehur Ligori. Edhe socialisti Majko e cilësoi draftin si një tentativë për të cenuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. “Titujt e pronësisë mund të ndryshohen vetëm nga gjykatat. Ne do të godasim ekuilibrin e së drejtës së pronësisë nëse do të ndryshojmë titujt e pronësisë në rrugë tjetër dhe jo me vendim gjykate”, - është shprehur Majko.
Ndërsa Ermonela Felaj kritikoi mënyrën e hartimit të draftit dhe të relacionit të deputetit Enkelejd Alibeaj. Sipas deputetes socialiste Felaj, deputeti Alibeaj ka marrë përsipër të interpretojë dhe të kritikojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, gjë që sipas saj është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, pasi vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të interpretohen pasi janë të formës së prerë. Në përfundim të debatit, socialisti Damian Gjiknuri propozoi që të bëhen ndryshime në Kodin e Procedurës Civile, pasi është ky kod që u jep të drejtë qytetarëve që të mbrojnë të drejtën juridike të fituar me ligj. Sipas tij, ka hapësira të tjera ku mund të rregullohet vakuumi ligjor që lidhet me të drejtën e ankimimit të vendimeve të padrejta të dhëna nga ish-komisionet apo agjencitë rajonale të pronave. Ai e cilësoi antikushtetuese propozimin e Alibeajt. Ndërsa deputeti demokrat Halimi argumentoi të kundërtën. Duke u bazuar dhe në relacionin e Alibeajt, Halimi tha se drafti është në përputhje me Kushtetutën. “Do t’u sugjeroja kolegëve të PS-së që të mos e shikojnë këtë nismë ligjor me tendencë negative, pasi është një draft i hartuar nga një bashkëkoleg dhe nuk vjen nga qeveria. Dhe e dyta, kur thuhet se ligji është antikushtetues duhet të citoni nenin e Kushtetutës me të cilin bie ndesh ligji, sipas jush. Për mendimin tim, drafti është plotësisht në përputhje me Kushtetutën”, - është shprehur demokrati Halimi. Ndërsa vetë Alibeaj u shpreh se ankimi është parashikuar që të ezaurohet në rrugë administrative për të ulur kostot për qytetarët dhe për të mos rënduar Gjyqësorin. Sipas Alibeajt, në rast se shteti është ai që ka dhënë vendime në kundërshtim me ligjin, shteti duhet të ketë të drejtën e korrigjimit të këtyre vendimeve. Më pas drafti u hodh ne votim në parim dhe mori 10 votat kundër të PS-së dhe votat pro të maxhorancës, duke u miratuar.

Drafti parashikon ankimim për vendimet e padrejta të ish-komisioneve të pronave

Drafti i ri parashikon ankimin e qytetarëve për vendimet e padrejta të ish-komisioneve apo agjencive rajonale të pronave, pranë Agjencisë Qendrore të Pronave. Ankimi duhet të bëhet vetëm brenda afateve për ushtrimin e të drejtës së ankimimit. Në rast të kundërt, drejtori i AKKP-së vendos direkt mospranimin e kërkesës pa e marrë atë në shqyrtim. Parashikohet më tej futja e një neni të ri, i cili të parashikojë me saktësi kriteret dhe procedurat për rishikimin e vendimeve që kanë marrë formë të prerë të ish-zyrave rajonale të AKKP-së në qark, të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe të ish-komisioneve të rretheve ose bashkish për kthimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve. Kështu, rishikimi i vendimeve do të bëhet vetëm në rastet kur zbulohen rrethana të reja që kanë rëndësi për çështjen, kur vërtetohet se aktet shkresore, kur është bazuar vendimi, kanë qenë të pavërteta, kur këto akte mund të jenë lëshuar nga zyrtarë të dënuar penalisht për lëshimit e tyre, kur vendimi përmban një gabim material në fakt ose në ligj, bazuar në faktet e administruara në dosje, kur zyrtarët që kanë dhënë vendime kanë kryer vepra të dënueshme penalisht, apo kur vendimi është bazuar në një vendim gjyqësor ose akt të një organi tjetër që ka ndikuar në marrjen e vendimi dhe më pas është prishur. Mund të rishikohen vetëm vendimet që nuk janë duke u shqyrtuar në gjykatë apo për të cilat gjykata nuk ka një vendim themeli të formës së prerë. Neni i shtuar parashikon gjithashtu edhe subjektet që mund të bëjnë kërkesën për rishqyrtim që është subjekti i shpronësuar, personat juridikë publikë, nëse vendimi që kërkohet të rishikohet, ka cenuar të drejta pasurore shtetërore apo Avokatura e Shtetit. Afati për paraqitjen e kërkesës është vetëm 45 ditë nga dita që kërkuesi ka marrë dijeni efektivisht për shkakun e rishikimit. Kur kërkues është Avokatura e Shtetit, kërkesa paraqitet jo më vonë se 5 vjet nga dita që ka lindur shkaku i rishikimit. Më tej parashikohen dokumentet që duhet të plotësojnë këtë kërkesë, procedurën e verifikimit paraprak, shqyrtimin në themel dhe vendimmarrjen. “Nëse nuk ekzistojnë kushtet e mospranimit të kërkesës për rishikim të parashikuar në nenin 16/5, drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, me vendim të ndërmjetëm, vendos kalimin e çështjes për shqyrtim në themel. Në përfundim të shqyrtimit në themel të çështjes, drejtori i AKKP-së vendos: lënien në fuqi të vendimit; shfuqizimin e vendimit; shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes. Nëse gjatë shqyrtimit të kërkesës për rishikim konstatohet se janë kushtet e nenit 116 të Kodit të Procedurave Administrative, drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së vendos konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit. Kur vendimi nuk ankimohet brenda afateve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, ai përbën titull ekzekutiv dhe zyrat e shërbimit përmbarimor bëjnë ekzekutimin e vendimit sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile”, - parashikohet në nenin 2 të draftit të hartuar nga Alibeaj dhe që u kundërshtua nga PS-ja.

Rastet kur mund të rishikohen vendimet e ish-zyrave rajonale

Kur zbulohen rrethana të reja apo akte të reja shkresore që kanë rëndësi për çështjen, që nuk mund të diheshin gjatë shqyrtimit të kërkesës për njohje, kthim apo kompensim të pronës; kur vërtetohet se aktet shkresore në bazë të të cilave është dhënë vendimi, të kenë qenë apo të jenë deklaruar më pas të pavërteta me vendim gjyqësor të formës së prerë; kur vërtetohet se aktet shkresore në bazë të të cilit është dhënë vendimi, të jenë lëshuar nga zyrtarë të dënuar penalisht për lëshimin e tyre; kur vendimi përmban një gabim material në fakt ose në ligj, bazuar në faktet e administruara në dosje gjatë kohës së shqyrtimit të kërkesës për njohje, kthim apo kompensim të pronës; kur zyrtarët që kanë marrë pjesë në dhënien e vendimit, kanë kryer vepra të dënueshme penalisht, të cilat kanë ndikuar në marrjen e vendimit, si dhe kur vendimi është bazuar në një vendim gjyqësor ose akt të një organi tjetër që ka ndikuar në marrjen e vendimit dhe që më pas është prishur/ndryshuar.

15 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›