Ndryshojnë tarifat për vizë në Ambasadën Amerikane
Duke filluar nga data 13 korrik, thuajse të gjitha tarifat në zyrat konsullore amerikane në vende të ndryshme të botës kanë ndryshuar. Një pjesë e madhe e çmimeve që do të duhet të paguajnë qytetarët, përfshirë edhe shtetasit shqiptarë, janë rritur. Burimet zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit publikuan dy ditë më parë tarifat e reja, të cilat kanë hyrë në fuqi. Sipas tyre, rritje kanë pësuar disa kategori të vizave jo-emigruese, por tarifat janë rritur ndjeshëm për vizat për punësim dhe për vizat që u jepen disa kategori qytetarësh, përfshirë edhe biznesmenët. Në tarifat e reja që kanë nisur të aplikohen ka edhe disa lloje vizash që kanë pësuar ulje, si vizat për emigrimin familjar.
Ndryshimi i tarifave
Departamenti Amerikan i Shtetit ka ndryshuar tarifat për shërbimet konsullore në 301 zyra në mbarë botën, por edhe agjencitë brenda vendit. Nga ky ndryshim preken një sërë shërbimesh, si procedura e pajisjes me viza, marrja e pasaportës, shërbimet e dokumentacionit (noterizim, certifikim me kopjen e vërtetë, shërbimet gjyqësore dhe shërbimet administrative). Të njëjtat tarifa do të aplikohen nga Ambasada Amerikane në Tiranë edhe për shtetasit shqiptarë, të cilët aplikojnë për vizë. Në tabelën që jepet bashkëngjitur janë të gjitha tarifat e reja, ndërsa për kategoritë e shërbimeve të tjera për viza apo dokumente të tjera, tarifat mbeten ato që kanë qenë. Tarifat e reja jepen në gjuhën angleze, me disa sqarime në shënimet e mëposhtme, qoftë për shërbimet konsullore, qoftë për pajisjen me pasaportë amerikane.
Çmimet që aplikohen
Nga rritja e çmimeve janë prekur të gjitha vizat për personat që nuk duan të emigrojnë. Për disa kategori, si për biznesin, ato janë disafishuar. Ndërsa kanë pësuar një rritje të lehtë vizat për punonjësit e përkohshëm. Edhe vizat për shtetasit shqiptarë që fitojnë lotarinë amerikane (janë pjesëmarrës në Programin e Vizave të Diversitetit), kësaj radhe do të duhet që të paguajnë më shumë.
SQARIM
Llojet e vizave të përkohshme (jo-emigruese)
• Diplomatët dhe zyrtarët e qeverisë së huaj (Vizat A)
• Punonjësit e organizatave ndërkombëtare dhe NATO-s (Vizat G dhe NATO)
• Biznes, turizëm, vizitor dhe mjekim (Vizat B1/B2)
• Viza studentore (Vizat F dhe M)
• Vizitorët e Programit të Shkëmbit (Vizat J)
• Punonjësit e përkohshëm (Vizat H, L, O, P dhe Q)
• Punonjësit e përkohshëm fetarë (Vizat R)
• Tregtarët dhe investitorët me bazë traktati midis dy vendeve (Vizat E-1 dhe E-2)
• Media e huaj (Vizat I)
APLIKIMI
Ambasada, udhëzimet për pagesën nëpërmjet bankës
Duke filluar nga data 1 korrik 2010, të gjitha tarifat e vizave jo-emigruese do të mblidhen nëpërmjet bankës për t’u shërbyer sa më mirë aplikantëve tanë dhe për të ulur kohën e procesit. Tarifat tani do të paguhen në paradhënie, pa ndonjë shtesë, në çdo degë të Bankës Intesa Sanpaolo. Çdo aplikant duhet të paguajë tarifën individuale përpara se të aplikojnë dhe duhet të paraqesin faturën në zyrën konsullore si provë të pagesës.
Për takimet e korrikut 2010, Ambasada Amerikane do të vazhdojë të pranojë tarifat si pjesë e procesit të intervistës, por aplikantët janë të inkurajuar të paguajnë përpara datës së intervistës në njërën prej degëve të Bankës Intesa Sanpaolo në mënyrë që të përfitojnë kohë ditën e intervistës së tyre. Duke filluar nga data 1 gusht 2010, të gjithë aplikantëve do t'u kërkohet të paraqesin një faturë të Intesa Sanpaolo në kohën e intervistës.
Për më shumë informacion në lidhje me vendndodhjen dhe oraret, ju lutemi konsultoni faqen e Internetit të Bankës Intesa Sanpaolo: http://www.intesasanpaolobank.al/. Shënim: Tarifa e aplikimit për vizë momentalisht është 140 dollarë, dhe kursi i këmbimit momental është 120 lekë për 1 dollar. Kjo tarifë dhe ky kurs këmbimi janë subjekt për të ndryshuar.
(Burimi: Ambasada e SHBA në Tiranë)
15 Korrik 2010