E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi-Patozi bien dakord për komisionin, në pikëpyetje fletët e votimit



Eljona Ballhysa
Dy krerët e dy grupeve më të mëdha parlamentare në vend zhvilluan dje takimin e parë negociator për zgjidhjen e krizës politike. Kreu i Grupit të PD-së, Astrit Patozi dhe ai i PS-së, Gramoz Ruçi, u takuan dje rreth orës 11 në ambientet e Kryesisë së Kuvendit dhe pas një diskutimi kokë më kokë prej më shumë së 1 orë e 30 minuta, dy politikanët ranë dakord për ngritjen e një komisioni të ri hetimor për hetimin e zgjedhjeve. Ndërkaq, tema e nxehtë e mosdjegies së fletëve të votimit apo e rinumërimit të tyre në ato qendra ku PS-ja dyshon të jenë bërë manipulime, do të jenë pjesë e diskutimeve në takimet e tjera. Gjatë deklaratës për mediat të bërë pas takimit, kreu i deputetëve socialistë Ruçi bëri të ditur se komisioni do të ngrihet brenda këtij sesioni parlamentar, ndërsa që nuk sqaroi se si do të veprohet për shkak se seanca e fundit parlamentare është parashikuar të mbahet më 26 korrik. Më tej Ruçi tha se përsa u përket fletëve të votimit do të ketë të tjera takime ku do të diskutohet për këtë çështje. Ndërsa Patozi ishte më i qartë dhe më i prerë në këtë pikë. Ai tha se për çështjen e fletëve PS-ja duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ndërsa shtoi se PD-ja është e gatshme të bëjë çdo tolerim për çdo kërkesë që është në përputhje me kuadrin ligjor.
Kompromisi
“Pas diskutimeve të gjata unë konfirmoj se, së pari të dyja palët ranë dakord për domosdoshmërinë e ngritjes së komisionit hetimor lidhur me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, sa më shpejt të jetë e mundur, brenda këtij sesioni parlamentar dhe ky komision të jetë i ri, jo në vazhdim i atij vendimi të mëparshëm të Parlamentit.
Së dyti, të dyja palët ranë dakord që maxhorancën dhe drejtimin e komisionit ta ketë opozita dhe lidhur me këtë, në takimet që do të pasojnë, të gjejmë modalitetet përkatëse ligjore që kjo dakordësi politike të garantohet ligjërisht. Së treti, ramë dakord që objekti i hetimit të jetë gjithçka që ekziston në kutinë e materialeve zgjedhore. Së katërti, ramë dakord që të gjitha institucionet shtetërore, KQZ-ja, apo institucione të tjera private që kanë lidhje me zgjedhjet sipas kërkesave që unë i parashtroj komisionit që mund të ngrejë Parlamenti shqiptar, të jenë të detyruara që t’i përgjigjen në një afat kohor sa më të shpejtë dhe mundësisht brenda 7 ditësh. Dhe, së fundi, ramë dakord që të jetë objekti i diskutimit të takimeve që do të pasojnë gjetja e modaliteteve për trajtimin e kutive të fletëve të votimit”, - ka bërë të ditur për mediat kryetari i Grupit të PS-së, Ruçi. Më tej Ruçi sqaroi se objekt hetimi do të jenë të gjitha materialet që përmban kutia e materialeve zgjedhore të administruara nga KQZ-ja. Ai tha se deri në zgjidhjen e plotë kësaj çështjeje, marrëdhëniet e opozitës me Kuvendin do të vazhdojnë të jenë të kushtëzuara.
Fletët e votimit
Sipas Astrit Patozit, Partia Demokratike është dakord për ngritjen e komisionit, por hetimi do të bëhet duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. “Vetëm brenda këtij ligji jemi të gatshëm të pranojmë çdo lëshim. Ne jemi të gatshëm të implementojmë frymën e Rezolutës së PE-së. Nuk është maxhoranca diga e kërkesave maksimaliste, por janë ligjet dhe vendimet e gjykatave ato që i ndalojnë këto pretendime. Ne nuk kemi mundësi në asnjë mënyrë që të bëhemi bashkautorë të rrëzimit të këtyre ligjeve, pasi do të shkaktonte pasoja”, - nënvizoi Patozi pas takimit. Kryetari i Grupit të PD-së tregoi dy rrugët “publike” që sipas tij duhet të ndjekë Partia Socialiste për kërkesën e saj që lidhet me fletët e votimit. “PS-ja për këtë çështje mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe kjo më pas Komisionit të Venecias për të dhënë vendim për hapjen e kutive të votimit. Më pas ne jemi dakord për të respektuar vendimin. Nëse nuk i premton koha apo nuk dëshiron këtë, jemi gati të ngremë komisionin hetimor, që të ketë materialet zgjedhore për ato që përcakton Kodi Zgjedhor dhe djegien e fletëve të votimit”, - është shprehur kreu i deputetëve demokratë.
Reforma zgjedhore
Përsa i përket reformës zgjedhore dhe hartimit të amendamenteve që lidhen me ndryshimin e Kodit Zgjedhor, Ruçi bëri të ditur se kjo çështje nuk do të jetë objekt i punës së komisionit hetimor. “Sigurisht që ne kemi humbur shumë kohë. Duhet të fitojmë kohën e humbur, por kanë një radhë punët. Reforma zgjedhore është një domosdoshmëri, por kjo reformë nuk mund të bëhet pa parë problemin se ku i kishin zgjedhjet e kaluara. Pra nuk ishte objekt diskutimi i kësaj tavoline midis meje dhe zotit Patozi, problemin e reformës zgjedhore. Ne, sigurisht që jemi të interesuar për reformën zgjedhore, jemi të interesuar për shumë reforma në Shqipëri, por problemi i parë fillon nga ngritja e komisionit hetimor për transparencën e zgjedhjeve. Më tutje, Partia Socialiste, si të ecë ky problem, është e hapur edhe për komision për reformën zgjedhore, ashtu edhe për reforma të tjera që i duhen këtij vendi”,- është shprehur Ruçi.

Çfarë përmbajnë kutitë me materialet zgjedhore

Në nenin 99 të Kodit Zgjedhor, nëpërmjet dispozitave të qarta përcaktohen materialet zgjedhore. Në bazë të këtij neni, në “materialet zgjedhore” përfshihen: numri i nevojshëm i fletëve të votimit në përputhje me numrin e zgjedhësve të regjistruar në atë qendër votimi, së bashku me fletët shtesë; vulën e KQV-së; procesverbalet e qendrës së votimit, ku bëjnë pjesë edhe formularët tip të procesverbaleve dhe të vendimeve për vulosjen e kutive të votimit, hapjen e qendrës së votimit, pezullimin e votimit, kërkimin e ndihmës së policisë dhe të largimit të saj, si dhe mbylljen e votimit; librin e protokollit të mbledhjeve të KQV-së; zarfin në të cilin është shënuar “Fletë votimi të dëmtuara”; zarfin në të cilin është shënuar “Fletë votimi të papërdorura”; zarfin në të cilin është shënuar “Zarfi i procesverbalit të vulosjes”; dhe lëndën e posaçme për timbrimin e zgjedhësit dhe aparatin verifikues të saj. Materialet e renditura më lart përbëjnë atë që quhet “material zgjedhor”, që pritet të hetohen nga Kuvendi i Shqipërisë.

Qeveria spanjolle, ekspertizë për projektligjin “Për Avokaturën e Shtetit”

Kryeministri Berisha priti dje në një takim zëvendësavokatin e Shtetit të Spanjës, Manuel Renedo. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Spanjës në Tiranë, Manuel Montobio, si dhe ekspertët që kanë punuar për ligjin e Avokaturës së Shtetit në Shqipëri. Manuel Renedo, duke i përcjellë përshëndetjet e ministrit spanjoll të Drejtësisë dhe Avokatit të Përgjithshëm spanjoll, e falënderoi kryeministrin Berisha për mundësinë e bashkëpunimit dhe finalizimin me sukses të procesit formues të Avokatëve të Shtetit në Shqipëri. “Ky është një hap shumë i rëndësishëm në forcimin e shtetit të së drejtës dhe forcimin e institucioneve shqiptare, si dhe përgatitjen e tyre për të hyrë në Bashkimin Europian”, - tha Renedo. “Dëshirojmë që këto lloj bashkëpunimesh të vazhdojnë dhe ju shprehim gatishmërinë tonë për bashkëpunime të ardhshme”, - është shprehur Renodo.
Kryeministri Berisha e falënderoi zëvendësavokatin e Shtetit Spanjoll dhe nëpërmjet tij edhe ministrin spanjoll të Drejtësisë, për ndihmën shumë të rëndësishme që kanë dhënë në reformimin e Avokaturës së Shtetit. “E konsideroj këtë reformë shumë të rëndësishme për vendin tonë, prandaj ju siguroj se kjo reformë do të shkojë deri në fund”, - u shpreh kryeministri Berisha. “Në këtë drejtim ju siguroj se do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me ju dhe qeverinë tuaj në fushën e Drejtësisë”, - është shprehur Berisha. Nga ana e tij, ambasadori Montobio prezantoi ekspertët spanjollë që morën pjesë në realizimin e projektit për Avokaturën e Shtetit në Shqipëri, i cili u realizua në bashkëpunim me Ministrinë shqiptare të Drejtësisë dhe Agjencisë Spanjolle për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim me Avokaturën e Shtetit Spanjoll.

15 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›