E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dragon” kap shqiptarët që shpërndanin kokainë

03/05/2011  Shpërndarësve u bllokohet 1 kg kokainë

ITALI- Operacioni i policisë së Viterbos, i koduar “Dragon” përfundoi me pesë arrestime, ku në dy ditë u shkatërrua banda italo-shqiptare e shpërndarësve të dyshuar të drogës. Ky grup ishte gjithashtu aktiv në Viterbese, ku ka jetuar një nga njerëzit kyç, G.M, shitësi ambulant 43-vjeçar, i kërkuar për disa kohë nga policia. “Kjo ishte pikënisja e operacionit”, - tha komandanti Xhovani Martufi, i cili shtoi se “Pas tij, arritëm në vendin e takimit me katër anëtarë të tjerë të grupit: një apartament në katin e katërt të një ndërtese në lagjen ‘Aurelio’, në Romë, pranë Casalottit”. Sipas karabinierëve, ky ishte vendi ku katër shqiptarë ruanin drogën, kryesisht kokainë që me të gjitha gjasat vinte nga Shqipëria. “Ne kontrolluam banesën duke thyer derën. Brenda ishin pesë njerëz, italiani dhe 4 shqiptarët, të gjithë të rinj të moshës nga 20 deri në 27 vjeç. I kapëm në befasi dhe nuk patën kohë të reagojnë”,- thotë komandanti i policisë. Në shtëpi, karabinierët kanë gjetur material për paketimin e drogës, peshore me preçizion, telefona celularë, 3.000 euro të gatshme, që ndoshta ishin të ardhurat e drogës dhe tre kuti kartoni, të cilat mund të mbajnë deri në një kilogram kokainë. Në fund të kërkimit, pesë personat i kanë dorëzuar policisë drogën e fshehur në apartament, pra një kilogramë kokainë të pastër, të paprerë ende. Droga ndoshta ishte e destinuar për të furnizuar tregun e Tuscias, nëpërmjet italianit me iniciale G.M. Ndërkaq, inicialet e katër shqiptarëve të arrestuar janë B.M, G.A, L.N, dhe N.R. “Është e mundshme që shqiptarët të kishin të tjera grepa në provincën Viterbo. Hetimet vazhdojnë në tentativën për t’i gjetur ato. Ky operacion na ka lejuar që të bllokojmë një nga kanalet kryesore të furnizimit të kokainës në Viterbo dhe për të vënë para drejtësisë autorët e dyshuar”, thotë komandanti i policisë. Pesë të ndaluarit u dërguan në stacionin e policisë, ku u arrestuan për posedim të drogës me qëllim shpërndarjen.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›