E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidatët në Ishëm të Durrësit përplasen me armë

03/05/2011  Shpallen në kërkim 2 shtetas, në fillim u qëllua në drejtim të makinës së kandidatit të PD-së

DURRES- Shoqërues të kandidatit të PD dhe të PS në komunën e Ishmit në Durrës janë përplasur me armë zjarri pas konflikteve të lindura mes konkurrentëve, të cilët kërkojnë mandatin për të qeverisur komunën. Burime policore thonë se në drejtim të makinës së kandidatit demokrat është qëlluar me armë zjarri, ndërsa personat që kanë shoqëruar atë janë përgjigjur me të njëjtën mënyrë. Gëzim Ylli, kryetar i kësaj komune dhe kandidat nën siglën “Aleanca për qytetarin” është përshirë në një konflikt të ashpër me kandidatin rival të tij shtetasin Sulejman Ibrahimi në “Aleanca për të ardhmen”. Policia e Durrësit në një komunikatë për median ka saktësuar se sherri mes palëve ka nisur për çështje politike. Dy persona janë shpallur në kërkim, ndërsa disa të tjerë janë detyruar të dëshmojnë lidhur me ngjarjen. Ndërkohë as Ylli e as Ibrahimi nuk janë thërritur në polici duke e lënë ende të paqartë zyrtarisht motivin e konfrontimit me armë.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur në të gdhirë të ditës së hënë në zonën me skajore të kësaj komune. Kandidatët Gëzim Ylli dhe Sulejman Ibrahimi kanë qenë të dy në Kodër Draç të komunës së Ishmit, pika më e largët e komunës dhe e të gjithë qarkut të Durrësit. Kandidatët kanë qenë të shoqëruar nga persona të tyre të afërt, ndërsa policia ka thënë se këta të fundit kanë përdorur edhe armë. Sipas burimeve policore, por jozyrtare thuhet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit të kandidatit të PD-së, ndërsa mjeti me të cilin udhëtonte Ibrahimi është qëlluar në distancë. Deri më tani policia ka identifikuar dhe akuzuar për kanosje, mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake, shkatërrimit të pronës dhe prishjes së qetësisë publike shtetasin Hamdi Pasha 45 vjeç dhe Shkëlqim Keqi 29 vjeç të dy lindur e banues në Thumanë të Krujës. Policia ka shkuar në vendngjarje sapo është vënë në dijeni për rastin, kurse grupi hetimor ka mundur të grumbullojë disa të dhëna lidhur me incidentin me armë. Të dy palët që kanë shoqëruar kandidatët kanë qenë të armatosur me armë zjarri, ndërsa thuhet se asnjëri prej tyre nuk ka pasur si objekt të qëllojë mbi kandidatët apo personat që shoqëronin ata. Në kohën që policia ka shkuar në Kodër, Draç të Ishmit sherri ishte shuar dhe kandidatët ishin larguar nga vendngjarja. Ndërkohë, në bazë edhe të disa të dhënave në rrugë operative, mësohet se shtetasit Keqi e Pasha janë shpallur në kërkim. Vendi i ndodhjes së incidentit është rreth 50 km nga Durrësi, ndërkohë prania në Kodër Draç e të dy kandidatëve në të njëjtin vend duket se ka qenë më së shumti nevojë për ndonjë ballafaqim mes tyre. Burime policore janë shprehur se mjetet janë bërë shënjestër e të shtënave me armë më së shumti për të shfryrë dufin e palëve, të cilët nuk kanë përdorur armën në drejtim të grupeve rivale politike apo të kandidatëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›