Zhdukja e shqiptarit në Itali, familja nuk beson vetëmbytjen
Artan Cena
VERONA - Prej tetë ditësh është zhdukur dhe asnjë njeri nuk di gjë për të. Kjo është historia e një emigranti shqiptar në Itali, i cili kishte dalë për një shëtitje turistike dhe më pas është zhdukur në liqen. Gazeta italiane “l’Arena” ka sjellë historinë e dhimbshme të familjes Ndoj nga Shkodra, e cila ka humbur djalin. Edhe pse janë bërë kërkime të shumta, trupi i tij nuk është gjetur. Ka qenë avokati i familjes që ka denoncuar në media ngjarjen dhe për shkak të misterit që ka mbuluar këtë histori, ka kërkuar ndihmën e publikut për informacione. Agustin Ndoj, 27 vjeç, nga Shkodra, jetonte në qytetin e Gardas në Itali së bashku me vëllanë, por ditën e 8 prillit kishte dalë në liqen me traget dhe nuk është kthyer më.
Denoncimi
Siç mësohet, denoncimi i zhdukjes është depozituar tri ditë më parë nga avokati i familjes shqiptare, Alessandro Zagoneli, i cili ishte pajisur me prokurë. Ai ka shkuar në polici dhe ka denoncuar stafin e anijes turistike, që siç duket, nuk ka bërë përpjekje të shumta për të shpëtuar nga mbytja 27-vjeçarin. Të afërmit e shqiptarit e kanë bërë publike këtë ngjarje dhe kanë kërkuar që nëse dikush e ka parë apo ka ndonjë informacion në lidhje me djalin e tyre dhe për ngjarjen e tetë ditëve më parë, të shkojë në polici ose të njoftojë avokatin e familjes në numrin e telefonit celular 3484129553, me qëllim që t’i japë informacione. Për familjarët, zhdukja e Agustinit është mister dhe ende e pabesueshme. Dhe pse kanë kaluar tetë ditë nga ngjarja, ende nuk ka një hetim në lidhje me zhdukjen dhe një renditje faktesh.
Dyshimi
Nuk ka asnjë dëshmitar ndër pasagjerët e tragetit në rrugën Garda-Bardolino. Është vetëm një çift që ka dëgjuar një të bërtitur dhe ka parë të riun që ka rënë në ujë. Por ata nuk e kanë vënë re nëse ai ishte i plagosur apo kishte ndonjë shenjë të dukshme që mund të ishte goditur. E që nga ky moment, çdo gjë mbetet mister dhe pa asnjë dëshmitar. Gjithashtu dhe masat që kanë marrë marinarët e anijes kanë shkuar kot, pasi ata nuk kanë bërë të mundur shpëtimin e emigrantit dhe as gjetjen e trupit të tij.
Kritikat e forta të avokatit drejtuar personelit të tragetit nuk mungojnë. Sipas tij, “nuk janë marrë emrat e të gjithë pasagjerëve. Gjithashtu ai ka sulmuar Policinë dhe Prokurorinë lokale. “Dhe trageti nuk i është nënshtruar sekuestrimit me qëllim që të bëhej një hetim i gjerë, për të parë nëse ka pasur ndonjë problem, apo të kishte ndonjë provë në anije që mund të jepte një ditë shprese mbi shqiptarin e zhdukur”.
Ndërkohë që familjarët, nga ana e tyre, e përjashtojnë faktin që Agustini të jetë hedhur vetë. “Nuk kishte asnjë motiv. Është normale se një njeri që bërtet nuk do të vetëvritet”, - ka vazhduar deklaratën e tij avokati. Sipas tij dhe dëshmisë së të vëllait, 27-vjeçari shqiptar, me dokumente të rregullta, dinte të notonte shumë mirë dhe ata kanë përjashtuar mbytjen nga rënia në ujë. Ata kanë aluduar dhe me një ngjarje të parapërgatitur dhe mendojnë se ka qenë dikush tjetër që e ka shtyrë apo ta ketë goditur me ndonjë send. Ndërkohë, kërkimet për gjetjen e trupit të viktimës vazhdojnë falë dhe skuadrave të kërkim- shpëtimit të zjarrfikëseve. Ata kanë marrë me vete dhe kanë vënë në funksionim me aparatura të sofistikuara kanë nisur që të filmojnë fundin e liqenit ku ka ndodhur dhe tragjedia e të enjtes së kaluar.
Mosmarrëveshjet në biznes, një në pranga dhe dy të tjerë në kërkim
TIRANË - Një sherr i ndodhur për probleme biznesi ka dërguar në pranga një person, ndërkohë që dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Gjithçka mësohet se ka ndodhur për shkak të një zënke të lindur pas një mosmarrëveshjeje biznesi. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë gjatë ditës së djeshme se ka arrestuar një person pasi gjatë një sherri të ndodhur në fshatin Marikaj, disa kilometra larg Tiranës, kanë qëlluar me armë, ku njëri është plagosur lehtë. Nga të dhënat e uniformave blu është bërë e ditur se në këtë ngjarje janë përfshirë Artur dhe Mirakandi Farruku, 38 dhe 33 vjeç, të cilët kanë qëlluar për motive të dobëta me armë zjarri ndaj 31-vjeçarit Alban Metani, banues në Shkodër. “Nga hetimet e kryera rezulton se Alban Metani, në bashkëpunim edhe me një person tjetër, fillimisht kanë debatuar dhe më pas kanë plagosur lehtë me sende të forta vëllezërit Artur dhe Mirakandi Farruku, ku më pas këta të fundit kanë qëlluar me armë zjarri kundrejt tyre”, - thanë burimet zyrtare të uniformave blu të kryeqytetit. Për këtë ngjarje policia është njoftuar nga banorët e Marikajt dhe fillimisht aty kanë mbërritur patrullat e Komisariatit Nr. 6 dhe më pas ato të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Këto të fundit thanë se menjëherë pas ngjarjes, shtetasit Mirakandi Farruku dhe Alban Metani janë larguar dhe për to është bërë shpallja në kërkim. Policia ka bërë me dije se dosja penale në ngarkim të personave të akuzuar për këtë ngjarje i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale të “kanosjes”, “prishjes së rendit dhe të qetësisë publike” ndaj shtetasve Artur Farruku dhe Mirakandi Farruku, ndërsa për 31 vjeçarin Alban Metani, janë ngritur akuzat e “plagosjes se lehtë me dashje”, “moskallëzim të krimit” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
17 Prill 2010