E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drane Markgjoni është “virgjëresha e fundit” që jeton me ligjet e Kanunit

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Pierre Glachant
Drane Markgjoni është një nga “virgjëreshat e betuara” të fundit, – një zakon shumë i vjetër ku gratë luajnë rolin e burrave dhe pranohen si të tillë nga familja dhe shoqëria. “Jeta ime ka qenë një jetë qeni”, - qahet 87-vjeçarja që vështron jashtë shtëpisë së saj në Shkodër në veri të Shqipërisë, ku ikonat përzihen me fotografitë e të afërmve të saj që nuk jetojnë më. Megjithatë, Drania nuk pendohet për jetën që ka bërë. Ajo dhuron përsëri një buzëqeshje dhe nis të thërrasë kujtimet e së shkuarës, një të shkuare që lidhet direkt me traditën dhe kushtet e vështira që vendi kaloi pas Luftës së Dytë Botërore, nën regjimin komunist të Enver Hoxhës. E veshur me një palë pantallona të vjetra dhe një xhaketë të errët, me flokët e thinjur dhe të rregulluar shkurt, Markgjoni, e cila nuk ka mësuar kurrë të lexojë dhe të shkruajë, përpiqet me të gjitha mënyrat për t i shpëtuar të ftohtit të shtëpisë së saj të acartë. Ajo ka lindur në qytetin verior të Bajram Currit dhe është martuar që në djep, në përputhje me traditën e asaj kohe. Por në ditën e saj të martesës më 1949, burri i saj u arratis në Jugosllavi, diçka e zakonshme gjatë periudhës së vështirë të pas luftës. Disa orë më vonë, Hoxha arrestoi të gjithë burrat e shtëpisë së familjes së tij. Papritur, Markgjoni mbeti vetëm me fëmijët e familjes dhe gruan e burrit të saj. Ajo tha se martesa e saj nuk u konsumua kurrë. Ishte gjatë kësaj kohe kur ajo u konvertua në “burrin e shtëpisë”. Vendimi do të thoshte: të hiqte dorë përfundimisht nga gjinia e saj, të hiqte dorë nga të qenit si gratë e tjera, të martohej përsëri dhe, pa dyshim, të mos kryente më marrëdhënie seksuale. “Nuk kisha zgjedhje tjetër”, - tha ajo duke kujtuar se si ishte përzënë në jug të vendit me gruan dhe fëmijën e familjes së të fejuarit të saj. Në kohët e shkuara ti mund t u besoje burrave”. Për 12 vite, ajo jetoi jetën e një burri. Ka punuar në ndërtim, ka mbajtur thasë me çimento, madje edhe ka fjetur në të njëjtën dhomë me ta, ku është pranuar pa problem. Këto gra që bëhen “burrat e shtëpisë” etiketohen si “virgjëreshat” në Shqipëri. Duke punuar krah për krah me burrat, ato fituan respektin e zgjedhjes së tyre, shpjegon Afërdita Onuzi, e Institutit Antropologjik të Tiranës. Onuzi, një etnologe, tha se rastet e fundit ku gratë kanë vendosur të bëhen “virgjëresha” datojnë në vitet 1960. Fenomeni ndodh gjithashtu edhe në Kosovë si në familjet e krishtera ashtu edhe në ato myslimane. Gjatë viteve 50 deri në vitet 90, në Shqipëri autoritetet pothuajse i dhanë fund kësaj praktike. Onuzi parashikon se në Shqipëri nuk kanë mbetur gjallë më shumë se 10 “virgjëresha”. “Ka dy mënyra që të bëhesh “virgjëreshë”, - shpjegon ajo. “Një grua vendos të marrë detyrat e burrit kur të gjithë meshkujt e familjes vdesin ose largohen ose për të shmangur martesën me burrin që i caktohet që në lindje. Një dajë ose xhajë i kësaj gruaje zakonisht negocion me familjen e të fejuarit për të gjetur një zgjidhje”, - thotë Onuzi. Nëse arsyet e refuzimit të martesës nuk shihen si të vlefshme, familja e vajzës së re duhet t i japë familjes së të fejuarit një plumb për ta vrarë. “Të jetosh pa një bashkëshort provon forcën e një karakteri. Duhet të jesh shumë i vendosur”, - thotë Markgjoni. “Në kohët e shkuara ti mund t u besoje burrave, mund të udhëtoje me ta. Ndërsa tani gratë shihen si objekte. Dhe gratë mundojnë vetëm se si t i bezdisin burrat”, - tha ajo. Markgjoni beson shumë në kishën katolike, diçka që e ka ndihmuar t ia dalë në jetë. “Janë ato që më japin forcë”, - thotë ajo teksa shkon dhe prek disa prej ikonave sipër kokës së krevatit të saj.

Përktheu: Androkli Dralo
Ky lajm është publikuar: 31/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›