E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ekonomike, kujdes kreditë në euro!

Autori i Lajmit: red.
Zv.guvernatori, Ibrahimi: “Rënia e nivelit të depozitave, edhe për shkak të rënies së besimit”

Kriza ekonomike që ka përfshirë globin, tashmë pranohet edhe zyrtarisht që nuk do të anashkalojë edhe Shqipërinë. Një ndër masat që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë kundër kësaj krize është edhe ndalimi i dhënies së kredive në euro, apo në çfarëdolloj valute të huaj, në kohën kur të ardhurat janë në lekë.
Lajmi e bëri të ditur zëvendësguvernatori i Parë i Bankës së Shqipërisë Prof. Assoc. Dr. Fatos Ibrahimi, gjatë fjalës së tij, në forumin Crans Montana.
Deklarata
”Përbërja e portofolit të kredive, i cili dominohet nga hua të shprehura në euro, përbën shqetësim, ndonëse ky pozicion mbështetet nga prania e lartë e detyrimeve të shprehura në valutë të huaj në bilancet e bankave, një mjedis përgjithësisht mbështetës nga kurset e këmbimit, normat e interesit dhe nga lidhjet tregtare me vendet e Eurozonës, si me Italinë dhe Greqinë. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë ka marrë vazhdimisht masa rregullatore, që do të dekurajonin rritjen e shpejtë të kredisë, të nxisnin bankat të japin më shumë hua në monedhën vendase dhe të rrisnin transparencën për produkte dhe shërbime bankare ndaj klientëve”, u shpreh Ibrahimi. Ai tha më tej në lidhje me krizën se, “Ne kemi treguar rreziqet ndaj rritjes ekonomike, lidhur me një rënie potenciale në kredi nga sektori bankar, një rritje të deficitit tregtar (për shkak të rënies së eksporteve), rënie të ndjeshme të remitancave (për shkak të perceptimit të rënies së pasurisë dhe rritjes së papunësisë në vendet e zhvilluara). Ne kemi deklaruar se gjatë gjithë kësaj kohe ka shumë nevojë për një politikë monetare të matur dhe politikë fiskale të përgjegjshme. Kur bëhet fjalë për politikën monetare, ne kemi qenë të kujdesshëm për të nxitur mbajtjen e kursimeve në monedhën vendase dhe për të ankoruar pritje për norma inflacioni të ulëta dhe të qëndrueshme”.
Ndikimi i krizës
Ibrahimi u shpreh në fjalën e tij më tej se, ndikimi i krizës ndërkombëtare filloi të materializohej në tremujorin e fundit të vitit, siç tregohet edhe në zhvillimet e bilancit të pagesave dhe në bilancin e sektorit bankar. Në të vërtetë, një rënie në kërkesën e jashtme dhe një rritje në normat e papunësisë në disa nga vendet fqinjë të BE-së shkaktuan një rënie në remitancat e emigrantëve dhe në eksporte. Madje, ndjeshmëria e publikut ndaj lajmeve (ndonjëherë të paekuilibruara) mbi zhvillimet e krizës ndërkombëtare, rriti pasigurinë për kursimet e tyre në sektorin bankar dhe shkaktoi disa tërheqje depozitash. Megjithatë, për shkak të niveleve të kënaqshme të kapitalizimit dhe likuiditetit, sektori bankar i përballoi më së miri këto zhvillime. Në drejtim të zhvillimeve të përgjithshme, rritja vjetore e aktiveve të sektorit bankar u ngadalësua në 12 për qind, krahasuar me 19 për qind në vitin e kaluar. Krahas një rënieje në ritmin e rritjes të huadhënies, edhe cilësia e kredive u përkeqësua dhe huatë e këqija arritën në 6.6 për qind të totalit të kredive. Por, raporti ende i kënaqshëm i kredive ndaj depozitave ka mbështetur rritjen vjetore solide të kredisë, prej rreth 35 për qind. Rezultati financiar i sektorit bankar për vitin 2008 ka qenë pozitiv, por më i ulët se në vitin e mëparshëm, për shkak të një ngadalësimi në veprimtaritë fitimprurëse. Kursi i këmbimit të monedhës vendase ka qenë i qëndrueshëm gjatë vitit dhe me tendenca nënçmuese ndaj euros dhe dollarit për tremujorin e parë. Në lidhje me zhvillimet e pritura vendase për vitin 2009, ne presim që ekonomia të përballet me sfida më të mëdha. Rritja ekonomike do të jetë pozitive, por pothuajse sa gjysma e asaj që ishte në vitin 2008.
Ky lajm është publikuar: 31/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›