E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitalet, mjekët s dinë të përdorin aparaturat

Autori i Lajmit: red.
Barnat nuk mungojnë, por pacientët janë detyruar të blejnë ilaçe, të cilat vetë spitali duhet t i japë falas

“Nga informacionet e marra nga drejtuesit e spitalit të Gjirokastrës shihej e nevojshme shtimi i personelit shëndetësor për shkak të numrit të madh të pacientëve dhe faktit që ai është spital rajonal”

Spitali i Gjirokastrës disponon aparatura bashkëkohore, por që nga 2005-a ato nuk janë vënë në funksion të pacientëve. Kjo për shkak se mjekët nuk njohin manualin e përdorimit. Një problem tjetër që është evidentuar nga një raport i fundit i Komitetit Shqiptar të Helsinkit lidhet me furnizimin e spitalit me barna. KSHH thekson se barna ka mjaftueshëm, por se familjarët e pacientëve kanë pohuar që ilaçet, që vetë spitali duhet t i japë falas, pacientët i blejnë me buxhetin e tyre. Spitali i Gjirokastrës është rajonal dhe përfshin rrethin e Gjirokastrës, Tepelenës dhe të Përmetit. Kapaciteti i tij ishte 180 shtretër. Sipas të dhënave të marra, spitali rajonal i Gjirokastrës që nga viti 2007 ndodhet në rikonstruksion, proces i cili mendohet të përfundojë në vitin 2010.
Aparaturat
“Gjatë kësaj kohe repartet ishin bashkuar në një kat me qëllim mospengimin e punës. Ambientet e spitalit dhe dhomat e të sëmurëve ishin në gjendje të mirë. Situata higjieno-sanitare paraqitet e mirë me përjashtim të atyre vendeve, të cilat janë në ndërtim e sipër. Nga takimet e kryera u informuam se spitalit i ishin dhuruar disa aparatura mjekësore japoneze që në vitin 2005. Por ato ende nuk janë vënë në përdorim, për shkak të mosnjohjes së mënyrës së shfrytëzimit të tyre. Një tjetër problem i konstatuar ishte mungesa e aparaturave mjekësore në pediatrinë e spitalit, e cila aktualisht, sipas informacioneve të marra nga personeli shëndetësor, disponon vetëm një aparat EKG-je”, thuhet në raportin monitorues që KSHH ka bërë në spitalin e Gjirokastrës.
Medikamentet
Po sipas KShH-së, thuhet se furnizimi me medikamente mjekësore nuk kishte paraqitur probleme dhe mungesa. Por nga takimet me të afërmit e të sëmurëve të shtruar në spital u konstatua se ka pasur raste kur ata janë detyruar të blejnë ilaçet e të afërmve të tyre të shtruar, për shkak se spitali nuk ua siguronte ato. “Ndërgjegjësimi qytetar për të kërkuar respektimin e të drejtave ligjore dhe për t u ankuar për veprimet e padrejta ishte në nivele të ulëta. Të sëmurët e shtruar në spital dhe të afërmit e tyre nuk shpreheshin lirisht për shqetësimet që ata kishin ndaj shërbimit shëndetësor të ofruar”, raporton KShH. Gjithashtu, niveli i informimit dhe i ndërgjegjësimit për strukturat shtetërore në mbrojtje të të drejtave të pacientëve linte për të dëshiruar. Urdhri i Mjekut pothuajse nuk njihej. Të drejtat dhe detyrimet ligjore të pacientëve dhe të personelit shëndetësor nuk ishin të afishuara në ambientet e spitalit.
Ushqimi
Për sa i përket ushqimit në spital, kuota ditore për ushqim për të sëmurët ishte e ulët. Menuja e ushqimit ishte e varfër, gjë e cila detyronte të sëmurët që të siguronin ushqim nga familjarët e tyre. Gjithashtu, në këtë spital nuk kishte një dietolog që të përcaktonte dietën e pacientëve në përputhje me diagnozën e tyre. Ushqimi ishte i njëjtë për të gjithë të sëmurët dhe nuk zbatoheshin rregullat për dieta të veçanta për të sëmurët në përputhje me diagnozat e tyre. Nga informacionet e marra nga drejtuesit e spitalit të Gjirokastrës shihej e nevojshme shtimi i personelit shëndetësor për shkak të numrit të madh të pacientëve dhe faktit që ai është spital rajonal.
Rekomandime
Sipas KShH-së, përfundimi sa më parë i rikonstruksionit të spitalit do të ishte në dobi të pacientëve për kushte më optimale për ofrimin e shërbimit shëndetësor, por njëkohësisht do t i vinte në ndihmë dhe personelit shëndetësor. KShH u rekomandoi institucioneve përgjegjëse shtetërore të vënë sa më parë në punë aparaturat mjekësore, me qëllim që të rritej cilësia e shërbimit mjekësor ndaj të pacientëve. Gjithashtu, nevojitet që dhe personeli shëndetësor, i cili do të merret me shfrytëzimin e këtyre aparaturave, të njihet paraprakisht me manualin e përdorimit të tyre. Me synim respektimin më të mirë të të drejtave të pacientëve dhe shmangien e mundësive të abuzimit dhe rasteve korruptive, KShH u ka rekomanduar institucioneve përgjegjëse shtetërore nevojën e një riorganizimi më të mirë të punës dhe organikës së spitalit. Gjithashtu, kjo gjë shihet e nevojshme të bëhet dhe me organikën e urgjencës së spitalit. Është e rekomandueshme që të rritet niveli i informimit dhe i ndërgjegjësimit të shtetasve për strukturat shtetërore në mbrojtje të të drejtave të pacientëve dhe njohjen më të mirë të Urdhrit të Mjekut. Në kuadër të misionit të tij për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) monitoroi respektimin e të drejtave të shtetasve në disa institucione shëndetësore të shërbimit parësor, spitale psikiatrike, shtëpi fëmijësh dhe disa spitale rajonale. Një nga shërbimet shëndetësore të monitoruara ishte spitali rajonal i Gjirokastrës.
Ky lajm është publikuar: 31/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›