E Diel, 1 Nëntor 2026

Drashkoviç: Serbia do të hyjë në BE pa Kosovën

 

Ish-ministri i Jashtëm serb dhe Kryetari i Lidhjes së Ripërtëritjes Serbe, Vuk Drashkoviç ka deklaruar, se Serbia do të hyjë në Bashkimin Evropian pa Kosovën. “Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian nuk ka të bëjë me Kosovën, sepse në Kosovë nuk ka Serbi”, ka deklaruar Drashkoviç në një intervistë për gazetën e përditshme “Politika”. “Kur isha ministër i Jashtëm dhe shef i ekipit negociator me BE-në filluan bisedimet tona për Asociim-Stabilizimin. Ne e nënshkruam dokumentin pa Kosovën dhe ai nuk ka të bëjë me Kosovën”, tha Drashkoviç. Ish-shefi i diplomacisë serbe ka shtuar, se Serbia “nuk ka kurrfarë pushteti shtetëror ndaj Kosovës”. Drashkoviç ka qenë diplomati i parë serb, që ka pranuar se Serbia e ka humbur Kosovën, në kohën kur ai ishte ministër i Jashtëm i Serbisë. Nga këto deklarata ai u kritikua mjaft ashpër nga Koshtunica dhe mbështetësit e tij dhe rrezikoi të humbiste pozicionin e tij, por deklarata e “detyruar” pas së parës, se “Serbia nuk do ta lërë kurrë Kosovën të shkojë”, bëri që Drashkoviç të ruante pozicionin si ministër i Jashtëm edhe pas ‘tërmetit’ në kabinetin serb para zgjedhjeve të fundit.      

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›