Meta: “Koalicion me PS-në vetëm nëse rishikohen ndryshimet kushtetuese”
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, konfirmoi edhe njëherë se LSI-ja do të rishikonte mundësinë e koalicionit me Partinë Socialiste në rast se kjo e fundit do të ndryshonte qëndrim për ndryshimet kushtetuese. Kryetari i LSI-së, gjatë një interviste për “Vizion Plus”, tha se mbrojtja e Kushtetutës është një çështje themelore për LSI-në në përcaktimin e saj për aleancat parazgjedhore. “Në rast se Partia Socialiste bën autokritikë dhe ndryshon qëndrimin për ndryshimet kushtetuese që ajo bëri, të cilat kanë sjellë gjithë këto pasoja zinxhir, kjo është një çështje që mund të rishikohet. Por, LSI-ja ka si çështje themelore për aleancat parazgjedhore qëndrimin ndaj Kushtetutës, ndaj formës së shtetit, ndaj modelit të demokracisë në Shqipëri, sepse kjo është përcaktuese për fizionominë, jo vetëm të LSI, por është shumë e rëndësishme për rolin që kanë të gjithë shqiptarët në raport me vendin e tyre. Pra, bëhet fjalë që shqiptarët të mos kontribuojnë për një Shqipëri të Berishës, të Ramës apo të Metës, por për një Shqipëri të të gjithëve”, - tha Meta. Kryetari i LSI-së denoncoi sërish prapaskenat e dy partive PS dhe PD, në lidhje me Kodin Zgjedhor. Ai akuzoi dy partitë në fjalë, se po cenojnë seriozisht standardin e zgjedhjeve në Shqipëri. “Sot u njohëm edhe me lajmin se një grup eurodeputetësh kanë kërkuar në interpelancë, komisionarin për Zgjerimin, zoti Olli Rehn, pikërisht vetëm për problemet serioze që ka filluar të krijojë Reforma zgjedhore edhe në Bashkimin Europian, edhe në një plan më të gjerë ndërkombëtar. Përpjekjet e këtyre dy forcave për t’i zvarritur gjërat deri në momentin e fundit dhe për të ecur me politikën e faktit të kryer, cenojnë seriozisht standardin e zgjedhjeve në Shqipëri. Dhe, në radhë të parë, kjo përveçse dëmton vendin tonë, dëmton edhe interesat e opozitës, e cila duhet të bëjë gjithçka për të garantuar transparencë dhe integritet në procesin zgjedhor”, - tha Meta.
24 Tetor 2008