Obama, kandidati i preferuar i femrave dhe të pavarurve
Barak Obama ka shtuar distancën e pikëve në avantazh nga kundërshtari i tij Xhon Mekein, pas skepticizmit të shtuar në publik mbi Sarah Pelin. Kështu Obama kalon plot 12 pikë të sigurta në avantazh në shkallë nacionale. Sipas sondazhit të fundit të “Zogby’, Obama është i preferuar gjithnjë e më shumë nga gratë dhe ka informacione, se edhe të pavarurit do të kalojnë nga ana e senatorit me ngjyrë nga Illinoisi kur të vijë koha për të votuar. Në më pak se dy javë nga dita e votimit 52 për qind të intervistuarve kanë preferuar Obamën, ndërsa 20 për qind Mekeinin. Në favor të Obamës, sipas sondazheve, renditet tema e krizës ekonomike, problemi i gjobave dhe rënia e bursave. Por rivali i tij Mekein po përballet edhe me popullaritetin vazhdimisht në rënie të Sarah Pelin. Një sondazh nga “Wall Street Journal” dhe nga “Nbc News” tregon se 55 për qind e të intervistuarve mendojnë se e përzgjedhura e Mekeinit për zëvendëspresidente, Sarah Pelin nuk është gati të shkojë në Shtëpinë e Bardhë. Pelin dyshohet edhe për abuzim me pushtetin dhe veshjet e kripura të blera me paratë e partisë dhe fondit elektoral. Pelin, nuk mundet të mbledhë as solidaritetin e grave të partisë së saj, kur gjatë një debati mbi fuqinë femërore, sekretares amerikane Kondoliza Rajs i është kërkuar një koment mbi guvernatorin e Alaskës, ajo është zymtuar në fytyrë.
Sidoqoftë këto zgjedhje amerikane janë më të shtrenjtat në histori. Në total, sipas të dhënave nga “Center for Responsive Politics” të organizatave “OpenSecrets.org”, do të shpenzohen 5,3 miliardë dollarë. Sipas specialistëve, 2.4 miliardë janë investuar vetëm për të fituar Shtëpinë e Bardhë. Vetëm Barak Obama e Xhon Mekein kanë mbledhur e shpenzuar më shumë se një miliard dollarë, duke dyfishuar fondet e mbledhura në zgjedhjet e 2004-ës dhe duke trefishuar ato të 2000-it. Ndërkohë, amerikanët në shumë shtete kanë filluar të votojnë për presidentin e ardhshëm të SHBA-ve. Edhe pse zgjedhjet janë më 4 nëntor, në shtetet kyçe për betejën zgjedhore, si Florida dhe Kolorado, ligjet shtetërore u lejojnë qytetarëve që të votojnë dy javë më herët. Në Florida, Nevada dhe Teksas, njerëzit kanë pritur në radhë për orë të tëra për të hedhur votat. Zyrtarët e zgjedhjeve në Majami u kanë kërkuar votuesve, që të mbathin këpucë të ‘përshtatshme’ në qendrat e votimit. 31 shtete u lejojnë tanimë votuesve që të votojnë personalisht para ditës së zgjedhjeve, të tjerët lejojnë vetëm votimin me postë. Deri më 4 nëntor, një e katërta e amerikanëve do ketë votuar. Zyrtarët amerikanë thanë se në këto zgjedhje do të votojnë 9 milionë amerikanë, që nuk kanë votuar kurrë më parë.
150 mijë dollarë për veshje
Sarah Pelin nuk po i ndahet telasheve dhe më të fundit kanë të bëjnë me paraqitjen e saj. Partia e Presidentit Bush ka paguar një faturë prej 150 mijë dollarësh njëherësh për të veshur Pelin dhe familjen e saj për fushatë. Sipas “New York Times”, lajmi e ka dëmtuar imazhin e krijuar nga republikanët për guvernatoren e Alaskës.