Formula se si do të llogaritet numri i deputetëve në qarqe
Shaban Sulçe
Një vend në Parlamentin e ardhshëm shqiptar do të “kushtojë” 20 mijë vota. Mbi bazën e kësaj shifre do të përllogariten edhe numrat e deputetëve që do të ketë secili prej 12 qarqeve në zgjedhjet e ardhshme. Formula, e cila pritet të zyrtarizohet në Kodin e ri Zgjedhor, është bërë e ditur dje nga sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, Kastriot Islami. Gjatë një prononcimi për mediat, Islami ka deklaruar se përpara se të bëhet përkthimi i votave që ka marrë një parti në mandate, duhet të bëhet përcaktimi i numrit të deputetëve për çdo qark.
Formula
Deputeti socialist, Kastriot Islami, ka shpjeguar formulën, e cila do të përcaktojë numrin e deputetëve për secilin nga 12 qarqet. Kështu, numri i deputetëve për një qark do të përcaktohet nga numri në total i votuesve, që do të pjesëtohet me koeficentin 20 000 (ky koeificent është llogaritur mbi bazën e pjesëtimit të 2.8 milionë votuesve në total me 140 vendet në Parlament). “Numri i deputetëve në një qark do të jepet me një formulë matematike në Kodin Zgjedhor. Më tej KQZ do të bëjë përllogaritjet, do ta sjellë në Parlament dhe do të ketë një ligj të veçantë për përcaktimin e numrit të deputetëve për çdo qark. Llogaritja bëhet duke marrë numrin total të votuesve dhe ai pjesëtohet me numrin 140. Të themi nëse janë 2.8 milionë votues, do të dilte një kuotë prej 20 mijë votuesish. Më pas shkohet në çdo qark dhe kalohet në pjesëtimin e numrit të votuesve të këtij qarku me këtë kuotë që doli. P.sh. në qarkun e Fierit janë 325 mijë votues dhe pas pjesëtimit do t’i binte 16.3 mandate deputetësh”, - tha Islami.
Qarqet
Sipas formulës së deklaruar nga sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, do të përpiqemi që të japim si më poshtë numrin e deputetëve që do të ketë secili prej 12 qarqeve zgjedhore. Kështu, në qarkun e Shkodrës do të konkurrohet për 11 vende në Parlament, në qarkun e Kukësit për 3 deputetë, në qarkun e Lezhës për 6 deputetë, në qarkun e Dibrës për 5 deputetë, në qarkun e Durrësit 13 deputetë, në qarkun e Tiranës 33 deputetë, në Qarkun e Elbasanit 14 deputetë, në qarkun e Fierit 16 deputetë, në qarkun e Beratit 7 deputetë, në qarkun e Korçës 12 deputetë, në qarkun e Gjirokastrës 5 deputetë, në qarkun e Vlorës 12 deputetë. Pra konfirmohet edhe një herë se qarku i Tiranës do të ketë numrin më të madh të deputetëve, 33, çka do të bëjë që liderët e PD-së, PS-së dhe LSI-së ta përqendrojnë fushatën dhe energjitë e tyre pikërisht në këtë qark.
Presjet
Sipas formulës dhe rezultateve të mësipërme, numri i deputetëve në qarqe del 136, sipas pjesëtimit të plotë. Por çfarë do të ndodhë me katër vendet e tjera në Parlament. Për këtë Islami shpjegon se zgjidhja do të jetë sipas presjeve dhjetore dhe katër vendet do t’u ndahen atyre qarqeve që kanë presjet më të larta. “Fillimisht ndahet pjesa e plotë për çdo qark dhe më pas ajo që mbetet shpërndahet duke pasur për bazë mbetjen dhjetore”, - shpjegon Islami. Sipas kësaj skeme, përfituesit e katër vendeve në Parlament do të jenë qarqet Lezhë, Dibër, Gjirokastër dhe Vlorë, të cilët kanë numrin më të lartë të presjeve dhjetore.
Qarku Numri i votuesve Numri i deputetëve
1-Shkodër 218560 11
2-Kukës 66375 3
3-Lezhë 135890 6 (7 me presjet dhjetore)
4-Dibër 116431 5 (6 me presjet)
5-Durrës 265180 13
6-Tiranë 660505 33
7-Elbasan 282528 14
8-Fier 327918 16
9-Berat 150871 7
10-Korçë 246700 12
11-Gjirokastër 112728 5 (6 me presjet dhjetore)
12-Vlorë 257258 12 (13 me presjet dhjetore)
Total 136 (140)
24 Tetor 2008