Dosjet që vetëm hapen
Blendi Kajsiu
Prokuroria duket se po shtrin hetimin e saj për Gërdecin edhe tek eksponentë të tjerë të shumicës në pushtet. Së fundmi në prokurori u thirrën ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi dhe ministri aktual, Enkelejd Alibeaj. Ndonëse informacioni në lidhje me hetimet që bën Prokuroria është shpesh i paqartë dhe kryesisht “rrjedh” nëpërmjet gazetave, duket se në rastin konkret çështjes së Gërdecit po i shtohen edhe dy dosje të tjera. Nuk është aspak çudi që për këtë çështje në Prokurori të hapen edhe dosje të tjera. Ndërkohë çështja Fazlliç sapo ka filluar të hetohet dhe me siguri edhe këtu Prokuroria do vijojë të hapë edhe dosje të tjera hetimi. Kështu, Prokuroria ka nisur një proces të cilit ende nuk i duket fundi; vazhdimisht hapen dosje hetimi për eksponentët e shumicës në pushtet.
Problemi është që këto dosje duket se vetëm hapen, por nuk mbyllen. Dosja e hetimit e rrugës Durrës – Kukës ka më shumë se një vit që është hapur, por ende vazhdon të mbetet në Prokurori. Ndonëse hetimi i kësaj çështjeje mund të jetë vërtet kompleks pas më shumë sesa një viti hetimesh, Prokuroria duhej të na kish thënë zyrtarisht nëse ka apo s’ka abuzime në këtë rrugë dhe cilët janë sipas saj zyrtarët përgjegjës për këto abuzime. Më pas kjo çështje duhej të kish kaluar në gjykatë, në mënyrë që drejtësia të kish dhënë verdiktin e saj. Zvarritja e një çështjeje me kaq shumë rëndësi të krijon përshtypjen se Prokuroria është më e interesuar t’i fillojë sesa t’i mbarojë hetimet. Në këtë mënyrë, Prokuroria vetëm legjitimon akuzat politike, por as nuk i provon dhe as nuk i hedh poshtë ato.
Për pasojë procesi politik është futur në një logjikë penale, ndërsa procesi i hetimit është futur në një logjikë politike. Procesi penal është bërë thellësisht politik, pasi jo vetëm frymëzohet nga akuzat politike, por edhe i legjitimon ato edhe pa i provuar juridikisht. Në momentin që fillon një hetim legjitimohet një akuzë politike deri në momentin që kjo akuzë provohet ose jo. Procesi politik nga ana tjetër i ngjason një hetimi pafund për sa kohë Prokuroria nuk i mbyll hetimet. Kështu në rastin e rrugës Durrës – Kukës eksponentë të opozitës vazhdojnë të bëjnë rolin e prokurorit, duke nxjerrë vazhdimisht në konferenca shtypi dhe parlament një sërë dokumentesh që provojnë abuzimet. Në të njëjtin rol është futur edhe shumica teksa akuzon lidershipin e opozitës për vrasje me batanije dhe jastëk. Në shumicën e rasteve këto janë akuza penale që duhet të ishin sqaruar prej kohësh nga Prokuroria dhe sistemi i drejtësisë në përgjithësi. Pas më shumë se një viti hetimesh, tashmë duhet të kishim pasur një proces gjyqësor për rrugën Durrës–Kukës që i provon ose jo akuzat juridikisht. Për sa kohë do vazhdojë hetimi i kësaj çështje në Prokurori, për aq kohë Parlamenti do t’i ngjasojë një salle gjyqi, ku palët përballen me akuza dhe jo alternativa politike.
Ironia e situatës aktuale qëndron në faktin që Prokuroria po luan sot pikërisht atë rol që ekzekutivi i kërkoi dje; pastrimin e skenës politike nga korrupsioni. Problemi është se në momentin që të gjitha palët politike janë akuzuar për korrupsion, ky “pastrim” nuk mund të jetë i paanshëm pa u hetuar të gjitha palët njësoj dhe njëkohësisht. Për sa kohë kjo është e pamundur nga hetimi gjithmonë do të nxjerrë kapital politik njëra palë në kurriz të palës tjetër, duke e zëvendësuar mekanizmin politik të demokracisë me mekanizmin penal të drejtësisë. Kjo prodhon një situatë të rrezikshme, ku legjitimiteti politik përcaktohet nga organet e drejtësisë dhe jo nga procesi politik. Pikërisht kjo po ndodh sot në skenën tonë politike. Opozita, dhe kryesisht PS-ja, po synon deligjitimin dhe rrëzimin e Berishës nëpërmjet një procesi penal dhe jo politik. Kjo jo vetëm i jep një pushtet të madh dhe të pakontrolluar organeve të drejtësisë, por minon edhe vetë procesin demokratik, duke e zëvendësuar përgjegjësinë politike me atë penale.
A do të thotë kjo që pushtetarët e zgjedhur me votën e popullit nuk duhet të hetohen nga organet e drejtësisë nëse abuzojnë me pushtetin? Natyrisht që jo. Patjetër që zyrtarët nëse abuzojnë me pushtetin duhet të hetohen dhe dënohen, por nuk duhet të jetë ky procesi që përcakton fatin e tyre politik. Në rastin konkret natyrisht që Berisha dhe zyrtarët e tij duhet të hetohen për Gërdecin. Ama përdorimi i këtij procesi për të rrëzuar Berishën nga pushteti deformon si procesin politik, ashtu edhe Prokurorinë. Përpara sesa të jenë penale përgjegjësitë e Berishës për Gërdecin, janë politike. Politikisht ka pak rëndësi të provohet se Berisha dhe familjarë të tij ishin të përfshirë direkt në rastin e Gërdecit; mjafton që ekzekutivi me veprimet apo mosveprimet e tij hodhi në erë dhe qytetarë të pafajshëm dhe dëmtoi pasurinë dhe pronën e qindra familjeve. Këto përgjegjësi ishin më se të mjaftueshme për opozitën në përgjithësi dhe për PS-në në veçanti, që të kërkonte dhe arrinte dorëheqjen e Berishës pas shpërthimit të Gërdecit. Pas një dorëheqje të tillë, Prokuroria do vazhdonte një proces hetimi sipas një logjike penale, shumë më të çliruar nga ngarkesat politike që ky hetim ka marrë sot. Në vend të kësaj PS-ja e përdori Gërdecin për të bërë ndryshime kushtetuese, që reduktonin demokracinë dhe forconin pikërisht ekzekutivin nën akuzë.
Kështu në vend që ta rrëzonte Berishën dje sipas një logjike politike, PS-ja po kërkon rrëzimin e Berishës sot sipas një logjike penale. Ama rrëzimi i një politikani nëpërmjet dosjeve të Prokurorisë dhe ambasadorëve të huaj në vend të protestave popullore, parlamentit apo bojkotit nuk është një triumf i institucioneve, por një humbje e demokracisë. Si dosjet e Prokurorisë edhe deklaratat e ambasadorëve nuk janë mjete as demokratike dhe as transparente në vetvete. Ato janë instrumente penale dhe diplomatike që saç mund ta shpëtojnë po aq lehtë mund ta varrosin demokracinë shqiptare. Pikërisht për këtë arsye ato nuk duhet të zëvendësojnë procesin demokratik. Prandaj ne sot përballemi me një rrezik real; legjitimimin e mjeteve jo demokratike për rrëzimin e Berishës, në mënyrë që të shpëtojmë demokracinë. Nëse ia vlen që për të rrëzuar Berishën të rrëzojmë edhe demokracinë, kjo është një çështje që varet nga dashuria për demokracinë dhe urrejtja për Berishën. Për momentin duket se mbizotëron kjo e dyta.