Drashkoviqin e kërcënojnë sërish me vdekje

Lideri i Partisë së Ripërtëritjes Serbe (SPO), Vuk Drashkoviq, ka marrë kërcënime me vdekje nga organizata “Dora e zezë”, për shkak të politikës që është duke ndjekur ndaj Kosovës, shkruajnë mediat serbe.
Drashkoviq kërcënimet ndaj tij i ka komentuar si një konfirmim shtesë se Serbia po kthehet në vitet e nëntëdhjeta.
Përveç politikës ndaj Kosovës, organizata nga diaspora “Dora e zezë” ka kërcënuar kreun e SPO-së edhe për shkak të informacioneve nga mbledhja e mbyllur e Komitetit për siguri mbi ngjarjet në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri.
“Kërcënimet janë edhe një lajmërim i mundësisë që Serbia të kthehet ngadalë në vitet e nëntëdhjeta tragjike”, ka deklaruar Drashkoviq në Nish.
Ai ka përkujtuar se në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, për shkak të politikës së tij janë vrarë njerëz pranë tij dhe se disa herë është tentuar linçimi i tij.
Letra me kërcënimet e organizatës “Dora e zezë” i është dorëzuar organeve policore.