Dredhi policisë në Krujë, 5 trafikantë me 100 kg drogë
TIRANE - Njëqind kilogramë drogë kanabis sativa u bllokuan dje në Thumanë të Krujës, një aksion të sektorit të Antidrogës së Tiranës në bashkëpunim me forcat e Operacioneve Speciale, i cili arrestoi edhe pesë persona. Operacioni i koduar "Vora", i cili ka nisur dy ditë më parë me sinjalizimin e efektivave të Komisariatit nr.5, përfundoi mesditën e djeshme në Krujë edhe pse ishte parashikuar të zhvillohej në afërsi të kryeqytetit. Pesë personat e arrestuar rreth orës 15:15, për t'iu shmangur patrullave të policisë, shmangën kalimin nga Vora, ku policia kishte informacion se do të bëhej shkëmbimi i drogës. Siç duket, të informuar për praninë e policisë në zonë, trafikantët kanë ndryshuar strategji në momentin e fundit, në përpjekje për t'i shpëtuar policisë. Megjithatë oficerët e Antidrogës arritët të zbulonin lëvizjen e automjeteve "Nissan" dhe "Volsvagen", me targa të Laçit, në të cilat ndodhej droga dhe personat që e shoqëronin lëvizjen e ngarkesës. Në një konference për shtyp, pas operacionit, Policia e Tiranës, tha se pesë persona janë arrestuar si posedues dhe shpërndarës të bimës narkotike. Sipas burimeve të policisë, këta persona konsideroheshin me rrezikshmëri të lartë shoqërore, çfarë ka detyruar Antidrogën të kërkojë mbështetje dhe të ndërhyjnë për arrestimet me antiplumb dhe me maska. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, operacioni u realizua pas një hetimi 2-mujor, i një rrezikshmërie të lartë për forcat e policisë. Përveç personave që dyshoheshin të ishin të armatosur, edhe terreni ku u realizua operacioni ishte i vështirë për kryerjen e veprimeve operacionale të policisë. Sipas burimeve zyrtare, gjatë aksionit u arrestuan Gëzim Pirra, banues në Mans Durrës, i dënuar më parë për "tentativë vrasje", Leonard Zhana, banues në Mans Durrës, Shkëlqim Kuqi, banues në Mafsheq Krujë, Kujtim Lloti, banues në Krujë dhe Kujtim Kuqi, banues në Mafsheq Krujë. Nga hetimet paraprake, rezultoi se të arrestuarit e kultivonin bimën narkotike në fshatrat e Krujës dhe më pas prisnin të realizonin shitjen dhe trafikimin jashtë kufijve të Shqipërisë. Operacioni i Antidrogës ishte planifikuar të kryhej në Vorë, por të arrestuarit për t'iu shmangur forcave të policisë, ndryshuan në momentet e fundit shkëmbimin e lëndës narkotike, ku më pas u zbuluan në fshatin Thumanë të Krujës, duke u arrestuar në flagrancë. e.d