E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Tan Sallakut, zbulohen 7 dëshmi



Armand Bajrami

Shtatë dëshmitarë iu përgjigjën dje pyetjeve të palëve në procesin gjyqësor të "bandës së Durrësit" te Krimet e Rënda, për ngjarjen e 17 tetorit 1998, ku u vra Dritan Sallaku dhe u plagosën dy të tjerë. Dëshmitarët rrëfyen para togave të zeza dijeninë që kishin mbi ngjarjen, për të cilën prokuroria akuzon të pandehur të këtij procesi. Të pranishëm si dëshmitarë ishin edhe Agim Rexhepagaj dhe Ilir Nelaj, të cilët janë plagosur përkatësisht me një dhe me shtatë plumba në këtë ngjarje. Gjatë seancës, avokatët pretenduan disa herë se në dosje mungonin deklarime të dhëna nga dëshmitarët e djeshëm në polici direkt pas ngjarjes. Gjatë seancës nuk munguan as debate të forta mes palëve, apo batuta nga të pandehurit brenda kafazit të sallës. Seanca e djeshme nisi në orën 09:00 dhe përfundoi me mbarimin e orarit zyrtar të punës në gjykatë.
Agim Rexhepagaj
"Dritan Sallakun e kam pasur çun lagjeje. Ditën e ngjarjes, ishte ora rreth 19:00, te shkolla "7 nëntori" në Durrës. Ishte viti 1998. Në momentin që shkova në lokal ishin gjithë djemtë e lagjes aty. Ishte edhe Ilir Nelaj dhe Dritan Sallaku. Dola jashtë për të parë një palë këpucë. Me mua dolën edhe Dritani edhe Iliri. Në momentin që hapëm bagazhin e makinës së Erald Bajramit, e cila ishte e parkuar përballë lokalit, aty erdhi një makinë tjetër. Unë isha me fytyrë nga rruga, kurse Iliri dhe Dritani, ishin me shpinë. Makina që erdhi ndaloi shumë afër makinës së parkuar. Nga krahu i pasagjerit qëlloi një person me automatik. Na kapën plumbat. Në atë kohë personi që po qëllonte e ngriti dorën pak më tepër, ndërsa unë u hodha mënjanë për t'i shpëtuar breshërive. Pastaj makina u largua. Erald Bajrami na çoi në spital mua edhe Ilirin. Dritanin e mori një makinë tjetër. Gjithë kjo, nga hyrja në lokal deri te breshëritë, zgjati rreth 30 minuta. Mbaj mend që ka qenë kohë e zymtë dhe drita ishte e dobët. Atë personin që qëlloi nuk e njihja. Kishte flokë me onde, kaçurrela. Shoferi m'u duk një i ri, i dobët. Nga breshëritë, unë mora një plumb në bark. Më vonë, pas ngjarjes mora vesh nga të tjerë që neve na qëlloi një person i quajtur "Pëllumb" dhe se breshëria kishte qenë në adresë të Sallakut. Lulzim Berishën nuk e kam parë te ngjarja. Klodian Saliun e njoh vetëm si emër. Ndërsa nga fotot që i kam parë më pas nëpër gazeta, kuptoj që nuk ishte Saliu ai që qëlloi. Nga të pandehurit e tjerë njoh Lulin, të cilin e kam pasur shok. Njoh edhe Indrit Taullain.
Ilir Nelaj
"Në '98-'99 kam qenë në Durrës. Qëndronim te shkolla '7 Nëntori' me Ermal Bajramin, Agim Rexhepagajn dhe të tjerë. Në vitin 1998 ishim te një lokal lagjeje, ku edhe jemi plagosur. Lokali ishte pranë shkollës. Isha me Agimin dhe Erald Bajramin. Pata një palë këpucë për t'i futur në makinë. Do t'i çoja te makina e një shokut tonë Dritan Sallaku. Makina ishte e ndaluar. I zoti i saj, sa kishte zbritur nga makina. Unë isha në pozicionin me shpinë nga rruga. Po hapja bagazhin. Dëgjova krisma armësh. Rashë pa ndjenja në tokë dhe më çuan në spital. Isha plagosur në shpinë. Për vdekjen e Dritan Sallakut e mora vesh pasi dola nga spitali. Në ngjarje u godita me shtatë plumba. Në Shqipëri ndenja një muaj e gjysmë në spital. Pastaj shkova në Itali, ku ndenja dhe për shumë muaj të tjerë spitaleve. Nuk e njoh Denis Ginën. Nga të pandehurit njoh si fytyrë Lulzim Berishën. Pas ngjarjes nuk jam interesuar se kush na qëlloi. Klodian Saliun e njoh vetëm si emër", tha dëshmitari. Në deklarimet e dhëna gjatë fazës së hetimeve në maj të vitit 2006 Nelaj kishte pohuar se "Në momentin që na qëlluan, Dritani u shemb mbi mua. Makina nga na sulmuan ishte një BMW e vjetër, me ngjyrë blu të errët. Në të ishin katër vetë me paruke në kokë".
Lek Gjoka
"Në 1998 banoja në Spitallë, Durrës. Një natë ka ardhur një makinë dhe ka ndaluar pranë shtëpisë. Unë e pashë nga larg. Në vendin ku kishte qëndruar makina mbaronte rruga. Kur shkova te shtëpia nuk u afrova te makina. Isha i sapoardhur atëherë. Të nesërmen në mëngjes makina ishte aty. Ishte një makinë e vogël, e zezë. Ishte me dyert e hapura. Aty vërdallë kishte ca fëmijë të lagjes që po i aviteshin. Unë e ndjeva si përgjegjësi ta ruaja, pasi ishte pranë shtëpisë sime. Një miku im më këshilloi të shkoja dhe të tregoja në polici. Lajmërova. Erdhën ata të policisë. Morën makinë. Më morën edhe mua deklarime. Unë nuk e di kush e kishte lënë makinën aty. Gruaja më tha që makina kishte ardhur me shpejtësi dhe kishe ndaluar aty. Sipas gruas, ca njerëz kishin zbritur nga makina dhe ishin larguar nëpër ferra me një dritë të vogël", u shpreh dëshmitari.
Vitore Gjoka
"Ka ardhur dhe ka ndaluar një makinë rreth 50 metër larg banesës sonë. I kam treguar burrit kur erdhi në shtëpi. Pastaj është marrë ai me këtë punë", rrëfeu dëshmitarja Gjoka.
Erald Bajrami
"Dritan Sallakun e kam pasur shok. Ditën e ngjarjes po pinim kafe në një lokal. Ishin aty edhe daja im dhe persona të tjerë. Më pas, Dritan Sallaku doli jashtë me Ilir Nelajn, se kishte për të futur një palë këpucë në makinë. Dëgjuam një breshëri automatike. U thye xhami i lokalit. Unë isha ulur në tavolinë me shpinë nga vendi ku ndodhi zjarri. Pak sekonda më pas pamë të shtrirë Agim Rexhepagën, Ilir Nelën dhe Dritan Sallakun. I futëm në makinë dhe i çuam në spital. Unë çova Agimin dhe Ilirin. Dritani ishte vrarë në vend nga plumbat. Erion Lamen, Eduart Ongarin dhe Marsel Sotirin i njihja si durrsakë. Natën e ngjarjes kam lëvizur me makinë në Durrës me Erion Lamen dhe një person tjetër. Erioni erdhi më mori në spital. Ai ishte kushëriri i Ilir Nelës dhe më bënte presion duke më pyetur se çfarë kisha parë dhe se cilët ishin ata që qëlluan. Rrugës pashë që ai kishte edhe armë. Ai kërkonte një person që thirrej "Lumi". Këtë personin e kërkonte për ngjarjen ku u plagos kushëriri i tij. Të quajturin "Lumi" nuk e gjetëm. Duke lëvizur, Erioni pa një makinë. E ndaloi. Më tha mua t'i zija rrugën. Mesa mora vesh më pas, ai personi që ndaluam ishte nipi i "Lumit". Mbrëmjen e ngjarjes, vëllai i Dritan Sallakut, Dashamir Sallaku më kërkoi të shkoja të merrja të dashurën e Dritanit. Unë nuk pranova. Pasi u largova që aty takova Marsel Sotirin. I thashë që kisha bërë fjalë me Dashamirin, pasi më kishte kërkuar të lajmëroja të dashurën e Tanit dhe që unë nuk pranova. Për të dashurën e Tanit mora vesh të nesërmen që ishte vetvrarë".
Flamur Sallaku
"Nuk e di se kush kanë qenë personat që qëlluan mbi Dritanin. Nuk di që Dritani të ketë pasur ndonjë konflikt me ndonjë njeri. E njihja Lulzim Berishën. Me vëllezërit i kam pasur marrëdhëniet e acaruara", pohoi dje dëshmitari.
Përparim Xhipali
Përparim Xhipali, bashkëpronar i lokalit "B……" në vitin 1998, pranoi dje në seancë se makina BMW, e gjetur e braktisur në Spitallë të Durrësit, një ditë pas vrasjes së Dritan Sallakut, i përkiste një prej ortakëve të tij në biznes. Sipas prokurorisë, automjeti dyshohet të ketë qenë i njëjti me të cilit është realizuar atentati ndaj Sallakut. Dëshmitari Xhipali tha para gjykatës se njihte të pandehurit Adriatik Coli, Lulzim Berisha dhe Plarent Dervishaj, pasi kishin qenë klientë të lokalit të tij. Sipas tij, automjeti BMW ishte i një prej bashkëpronarëve të lokalit. "Automjetin BMW e kisha parë disa herë në ambientet pranë lokalit", ka pohuar dje dëshmitari.

Akuza: Katër atentate ndaj Dritan Sallakut
TIRANE - Prokuroria për Krimet e Rënda akuzon si të përfshirë në ngjarjes e 17 tetorit 1998, Lulzim Berishën, Plarent Dervishajn dhe Adriatik Colin. Sipas organit të akuzës, pjesëmarrës kanë qenë edhe Klodian Saliu dhe Ilir Xhunga, aktualisht të vrarë. "Viktima Sallaku ka qenë i shoqëruar nga shokët e tij, Ilir Nela e Agim Rexhepi, në oborrin e lokalit që ndodhej përballë shkollës '7 Nëntori' në Durrës dhe nga një makinë tip 'BMV', me të cilën udhëtonin Berisha, Dervishaj, Saliu e Xhunga, është qëlluar me armë zjarri, ku është vrarë Sallaku dhe janë plagosur rëndë Nelaj e Rexhepi", thuhet në kërkesën për gjykim. Të njëjtët emra u përmendën edhe gjatë dëshmisë së të penduarit të kësaj çështjeje, Adriatik Colit.

"Dritan Sallaku bëri sherr për të dashurën"
TIRANE - Dëshmitari Erald Bajrami tha se shoku i tij, Dritan Sallaku kishte një konflikt me një person të njohur si "Lum Sulejmani". Sipas dëshmitarit, konflikti mes Sallakut dhe Sulejmanit kishte lidhje me të dashurën e Sallakut. Dëshmitari nuk dha detaje më të hollësishme, ndërsa pak më parë pohoi se "Dritani i kishte folur për një lidhje sentimentale me një vajzë". Për të njëjtën vajzë, dëshmitari pohoi më pas se kishte mësuar vdekjen e saj, një ditë pas ngjarjes ku u vra Dritan Sallaku. "Mora vesh që ishte vetëvrarë", tha dje para gjykatës dëshmitari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›