Drejt Ligës Ballkanike
Zyrtarët e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) po përpiqen që t’i bindin udhëheqësit e Ligës Ndërkombëtare të Ballkanit në Basketboll (BIBL) për ta lejuar ndonjë skuadër nga Kosova që të marrë pjesë në garat e kësaj lige rajonale dhe kështu të thyhet sadopak izolimi në të cilin gjendet basketbolli kosovar.
Kjo kërkesë i është bërë edhe drejtorit sportiv të BIBL-së, Shay Shtriks gjatë një takimi që patën me të në Shkup, të premten, tre anëtarët e delegacionit të FBK-së, i përbërë nga nënkryetari Artan Rugova, sekretari Nazmi Paçarada dhe selektori i përfaqësueses, Arben Krasniqi.
Gjatë këtij takimi, izraeliti u ka premtuar mbështetje kosovarëve për pjesëmarrjen e ndonjë ekipi nga Kosova në ligën rajonale, krahas Rumanisë, Kroacisë, e Serbisë, Bullgarisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës.
“Takimi me Shtriksin ishte i përzemërt dhe na ka premtuar mbështetjen e tij. Por, paraprakisht ne duhet t’i kryejmë edhe disa procedura të tjera. Ne duhet t’i bëjmë shkresë zyrtare kësaj lige, e po ashtu sekretarit gjeneral të FIBA Evropës, Nar Zanollin, në mënyrë që FIBA mos ta pengojë pjesëmarrjen e ndonjë ekipi kosovar në këtë ligë, e cila më shumë është ‘biznesore’ sesa politike”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i FBK’së, Nazmi Paçarada.
Në këtë drejtim, Paçarada pret mbështetjen e Federatës Shqiptare të Basketbollit, pasi sipas tij, kryetari i kësaj federate, Avni Ponari ka raporte shumë të mira me Zanollin.
Njëherësh, sipas Paçaradës, shtëpia e basketbollit kosovar duhet të lobojë në federatat e shteteve anëtare të Ligës Ballkanike që mos ta pengojnë pjesëmarrjen e ndonjë skuadre kosovare në ato gara.
Madje, ideja për pjesëmarrjen e ndonjë klubi kosovar në garat e kësaj lige veç ka marrë mbështetje prej dy shteteve anëtare të saj.
“Ne këtu në Maqedoni u takuam me sekretarin e Federatës së Maqedonisë dhe me atë të Bullgarisë. Të dy ata na premtuan se federatat e tyre do të na përkrahin në këtë drejtim. Me lobim do të vazhdojmë edhe në Federatën malazeze, rumune, kroate, atë të Bosnjës ndoshta edhe në atë të Serbisë, në mënyrë indirekte, që mos të pengohemi në këtë drejtim”, tha Paçarada.
Ai pohoi se FBK-ja do të përpiqet të inkuadrohet edhe në Ligën e Adriatikut, ndonëse ndikimi serb në këtë ligë është mjaft i madh. Skuadrat nga Kosova nuk garojnë në asnjë ligë rajonale dhe në to nuk llogaritin as iniciatorët e formimit të ligave të tjera.