E Shtunë, 31 Tetor 2026

KEK-u e Trepça '89, i kërkojnë pikët e sigurisë

Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 16 prill 2011 në ora 13:19

Ndeshja ndërmjet KEK-ut dhe Trepçës ’89, e cila zhvillohet të shtunën në Kastriot, do ta hapë xhiron e 24-t të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.

Aktualisht të dyja këto ekipe gjenden në mesin e tabelës dhe nuk cilësohen si të rrezikuara për t’u larguar nga Superliga. Por, të dyja palët dëshirojnë të jenë të kujdesshme, sepse fare lehtë mund të përfshihen në mesin e ekipeve që po luftojnë për ekzistencë.

Andaj, KEK-u dhe Trepça ‘89 në këtë takim do të hyjnë për të fituar pikë me qëllim që garat t’i vazhdojnë më të sigurt.

“Ende është herët të themi se nuk jemi të rrezikuar, sepse me dy humbje eventuale ne përfshihemi nga ai rrezik. Ne luajmë ndaj Trepçës në shtëpi dhe e respektojmë atë ekip. Jemi si të njëjta për nga cilësia dhe këtë e dëshmon edhe tabela, ku gjendemi në pozita thuajse të njëjta. Ne hyjmë për një rezultat sa më pozitiv, ndonëse të tria rezultatet janë të mundshme. Më i miri le të fitojë”, tha trajneri i KEK-ut, Mentor Miftari.

Njëjtë shprehet edhe trajneri i ‘Minatorëve’, Gani Sejdiu. “Është herët për të thënë se nuk jemi të rrezikuar. Orari ishte i papërshtatshëm shumë për ne. Është herët të lirohemi nga ngarkesa që e kemi për ta siguruar mbijetesën. Ne luajmë në Kastriot, ku ka mundësi të luash pa kalkulime dhe ta kërkosh rezultatin pozitiv. Ne do të synojmë të fitojmë pikë, edhe pse KEK-u është më favorit në këtë takim”, u shpreh Sejdiu, skuadra e të cilit gjendet në vendin e shtatë të tabelës me 32 pikë, një më pak se KEK-u.

Ndërsa, të dielën zhvillohen pesë takimet e tjera të kësaj jave. Dy skuadrat që po e ndjekin titullin e kampionit, Prishtina dhe Hysi, i presin udhëtime të vështira pasi do të jenë mysafirë të skuadrave që u duhen pikët për mbijetesë, Drenicës përkatësisht Flamurtarit. Kjo xhiro do të jetë shumë e rëndësishme edhe për tri skuadra të tjera që po luftojnë po ashtu për mbijetesë, Ballkanin, Vëllaznimin e Ferizajn. Të tria këto ekipe do të mundohen ta shfrytëzojnë përparësinë e terrenit për t’i mposhtur Besën, respektivisht Lirinë e Trepçën.

Superliga – xhiroja e 24-t
E shtunë
KEK-u – Trepça ‘89
E diel
Drenica – Prishtina
Ferizaj – Trepça
Vëllaznimi – Liria
Ballkani – Besa
Flamurtari – Hysi
Të gjitha ndeshjet fillojnë në ora 15:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›