E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejt kontretizimit masterplani i portit të Vlorës

Konkretizimi i masterplanit të Portit të Vlorës, një projekt i përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe italiane, mbetet prioriteti kryesor për 2009, pasi pritet zhvillimi i tenderit të hapur ndërkombëtar për përzgjedhjen e kompanisë, që do të marrë përsipër realizimin e tij. Drejtori i Portit, Kreshnik Alimerko, i tha sot se, "ky është investimi më i madh i pritshëm për Portin e Vlorës, sepse konkretizimi i masterplanit pritet të ridimensionojë rolin dhe funksionin e tij". Sipas tij, me këtë projekt lidhen të gjitha investimet që janë parashikuar dhe ato që do të planifikohen për të ardhmen, ndaj është punuar me kujdes për krijimin e terrenit për fillimin e punimeve. Pas plotësimit të të gjithë   detyrimeve të parashikuara në marrëveshjet paraprake, proçedurat tani kanë hyrë në një fazë të rëndësishme. "Gjithçka është gati për zhvillimin e tenderit ndërkombëtar, që parashikohet të kryhet brenda 6-mujorit të parë", tha Alimerko. Gjatë vitit 2008, nga drejtoria e Portit të Vlorës u zhvilluan disa takime me përfaqësues të Kooperacionit Italian, i cili do të financojë tre fazat e para të projektit, u plotësua hap pas hapi dokumentacioni përkatës, u plotësuan mjaft elemente, që lidhen me koston e projektit, për shkak të kohës së gjatë që nga momenti i hartimit të tij. “Masterplani i Portit të Vlorës është hartuar në vitin 1996, ndaj lindi nevoja që mjaft elementë që lidhen me koston financiare, të përditësoheshin. Pjesë e ndryshimeve është zgjerimi i kalatës ekzistuese të trageteve deri në dyfishim të parametrave aktualë", sqaron Alimerko. Zbatimi i Masterplanit të Portit të Vlorës ka një kosto financiare prej 31 milionë euro dhe realizimi parashikohet të kryhet me katër faza, tre prej të cilave financohen nga Kooperacioni Italian, me vlerën prej 15.3 milionë euro. Tre fazat e para përfshijnë rikonceptimin e skemës së portit dhe transformimin e tij në një objekt bashkëkohor. Projekti, parashikon rikonstruksionin dhe zgjatjen e kalatës perëndimore, avancimin në det të brezit që bashkon aktualisht dy kalatat ekzistuese, thellimin e basenit, etj. Në masterplan përfshihet shkatërrimi dhe rikonceptimi e rindërtimi i kalatës lindore me një kënd të hapur në drejtim të lindjes, ndërtimi i një kalate shtesë, pingul me të, që do të shërbejë për ankorimin e jahteve, velierave dhe mjeteve të tjera lundruese turistike. Me përfundimin e punimeve, do të ndryshojë destinacioni i kalatave ekzistuese, ku ajo në pjesën perëndimore do të shërbejë për përpunimin e anijeve të transportit të mallrave, ndërsa kalata e pjesës lindore për ankorimin e trageteve. Realizimi i masterplanit të Portit të Vlorës do të krijojë një mjedis shumë të sigurtë për mjetet lundruese, të cilat do të ankorohen në hapësirën ujore mes dy kalatave, pasi do të jenë kështu tërësisht të mbrojtura nga ndryshimet e kushteve të motit. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›