E Diel, 1 Nëntor 2026

Sëmundja e parasë

Dikur kisha parë financierin R.K. që, pasi i përdorte paratë për arsye pune, nuk vononte e i shkumonte duart me sapun. Për ata që ia ngatërronin këtë zakon me dyshime për fiksime mbi higjienën, në ngasje të bisedës për papastërtinë, ai u thosh që, paratë janë trefish të pista. Me to ka të bëjë kushdo: i shëndoshi e i sëmuri; preken me duar të pastra e të palara; ruhen siç duhet e siç nuk duhet; kërkohet kultura e mbajtjes së tyre dhe mbizotëron pa kultura; lakmia për para, e cenon shpirtin njerëzor aq sa, për dikë që zotëron shuma të mëdha, thuhet “është i krimbur në lekë”, ose “është qeni i lekut” për nga nuhatja e fitimit dhe shprehja e kurrnacërisë; ethet për pasurim nuk kanë të bëjnë vetëm me zotësinë për të punuar, domethënë “e nxjerr nga dheu”, por, paratë e shumta e brenda natës, shkrimtari Gabriel Markez i ka quajtur përfitime të paligjshme, të nxjerra nga krimi. Jemi në kohën e sëmundjes së trefishtë: e duarve të papastërta nga përdorimi i parave; e shpirtit të molepsur nga tundimi për shumë para; dhe, biznesmenë me para ardhur nga burimi i dyshimtë i krijimit të tyre. Vënia e shoqërisë në karantinë, për të penguar sëmurjen e llojit të veçantë të saj, përbën edhe detyrim shtetëror. Më i madhi dhe më i vështiri ndalim është pengimi i pastrimit të parave të pista, që vërshojnë nga skuta e fshehtë e krimit. Për këtë qëllim janë ngritur struktura të domosdoshme, që të mos lejojnë futjen e tyre në indet e shëndosha të ekonomisë, me qëllim të ligjërimit në favor të zotëruesve.
Ka pasur gjatë vitit 2008 një lajm për kartmonedhën e prerjes 100 lekë, e cila përveç që  cilësohej tejet e vjetëruar fizikisht, thuhej se mbartëte në vetvete mjaft mikrobe të dëmshme për shëndetin e përdoruesve. Ky është rreziku më i papërfillshëm nga ana e tyre. Shoqëria shqiptare, gjatë periudhës kalimtare, kërceu në dy skaje të kundërta rreth parasë, me shenjat e një sëmundjeje deri në çrregullim serioz. Dy breza njerëzorë, të përtharë nga ndjenja dhe ideja mbi pronën, nën bombardim propagandistik të shfrenuar marksist, se prona private pjell çdo orë e minut kapitalizëm, u futën në ekonominë e tregut të lirë, përveç të hutuar, edhe pa kurrfarë koncepti mbi vlerën e parasë. Në prag të shpërbërjes së sistemit socialist, në Shqipëri pati ardhur për vizitë gazetarja austriake  e “Die Presse”, Kristin von Kohl, e cila qe shoqëruar nga gazetari i njohur, i atëhershëm, Napoleon Roshi. Në qytetin e Shkodrës, ajo  bujti një natë, në hotel “Rozafa”. Kristin von Kohl nuk ngjitej e zbriste me ashensor. Ajo merrte shkallëve pjetposhtë, të hetonte edhe qosheve të fshehura, për ta lexuar shoqërinë. Ndërkaq, prej dorës i pati rënë një monedhë, që u rrokotel e u zhduk diku, pas vazove prej qeramike. Kohl e ndoqi me sy, e kërkoi, e gjeti dhe e mori monedhën metalike, duke iu shpjeguar gazetarit shqiptar:
-Kjo nuk ka kurrfarë vlere, ose më saktë, vlera e saj është aq e papërfillshme sa, me të nuk mund te blesh asgjë. Unë e mora në respekt të punës sime, sepse paratë i fitoj me shumë mund, - i tha Kohl.
 Ajo gazetare e kamur dhe shoqëria nga vinte kishin kulturën e përkujdesjes edhe për qindarkën. Ne, skamnorët dhe shoqëria jonë e varfëruar, nuk ia dinim vlerën parasë. Fitimi jonë i pakët bashkëshoqërohej nga hovardallëku i shpërfilljes. Kulmi i saj mbetet drama e frikshme e piramidave financiare, kur të gjithë, të prekur njëlloj nga padija mbi fitimin dhe paranë, shitën shtëpi e bagëti, si të luanin bixhoz me shuma marramëndëse për ta. Mashtruesit  e paharruar nuk keqpërdorën guximin në lojë të zotëruesve të lekëve, por përdorën padinë e hatshme të shoqërisë mbi paranë. Ky përbën ekstremin më skandaloz të qëndrimit ndaj lekut. Por, nuk përfundon aty, sepse u pasua me ekstremin tjetër skandaloz: shoqëria jonë vuan sëmundjen e parasë, nga që, çdo individ dhe krejt familja, janë  përfshirë nga ethet e lekut. Kurrkush nuk mendon tjetër gjë, veç ku të bjerë e të nxjerrë lekë. Aq gjëra janë lëna përanash, aq vlera janë bjerrë, aq marrëdhënie janë në zgrip, aq e tronditur është çdo qelizë e shoqërisë sa që, kurrkush nuk ia di e as e mendon kurimin. Individët tanë të kamur rreken të jetojnë si idividë të huaj të pasur, shoqëria e varfër e mendjemashtruar mëton të përshtasë sjellje të shoqërive të kamura, gjë që u krijon konvulsione dhe stres të paparë. Gjithçka bëhet është nxitëse për në këtë kah dhe asgjë nuk thuhet për të përqasur një pasqyrë vetvështrimi tjetër, nga këqyrja mbi të cilën, të mund të përftohej një pamje që mund të qetësonte shoqërinë. “Ethet e arit”, dikur dhe larg nesh, në kohë e gjeografikisht, që i mësonim nga letërsia e filmi, i përjetojmë përditë në formën e sëmundjes së lekut. Kjo i ka kapluar e rënduar marrëdhëniet brenda familjeve tona, i ka ngrysur fytyrat njerëzore, ua ka ngushtuar shpirtin qënieve, gjithë bota e secilit rrotullohet përrreth lekut. Dhe, padyshim, ka viktima. Madje, nuk janë të pakta, sidomos, spektakolare për nga tragjizmi.
Është mirfilltazi shenjë e këtij përjetimi, kur një shtatëmbëdhjetëvjeçar, fëmijë i vetëm i familjes së ngushtë prej tre anëtarësh, i lodhur nga stërmundimi prindëror për shumë para, e dëgjova t’u thoshte atyre me pikëllim e kërcënim:
-Do të zhdukem nga kjo shtëpi. Juve u është bërë koka dhe shpirti vetëm lekë.
Ai vuante shpërbërjen e botës njerëzore.
Ja, dhe iku, po ku do të shkojë, për të shpëtuar?
E gjithë shoqëria është e sëmurë, poashtu.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›