E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi prejardhjen dhe domethënien e termave “e majtë” dhe “e djathtë”

Cikli historiko-politik: “E djathta Europiane” -

Ndërsa në monizëm thuajse nuk e dinim fare se ç’do të thoshte “e majtë” apo “e djathtë”, pasi frymëmarrja politike ishte aq e bllokuar, saqë kjo mund të konsiderohej pa frikë si tabu apo luks i tepruar, në ditët e sotme, shumëkush, përtej identifikimit automatik sipas shijes, ideve, trashëgimisë apo përkatësisë politike të lënë nga brezat e mëparshëm, has në vështirësi kur vjen puna për të shpjeguar prejardhjen e këtyre termave, ose ndryshe, kuptimin e tyre.
Në fakt, ndërsa nisim një cikël të ri në faqet e “Gazetës 55”, mbi të djathtën europiane, historinë dhe figurat më të shquara të saj ndër vite, duke gjurmuar stacionet më pikante të evolucionit të saj, sigurisht se do të ishte mirë që këtë numër më parë t’ ia kushtonim ekskluzivisht historikut të koncepteve “i majtë” e “i djathtë”, etimologjisë së këtyre termave, evolucionit të tyre ndër vite, dallimeve dhe konceptimit të tyre nga aktorët politikë, njerëzit e thjeshtë dhe ekspertët e politologjisë, ekonomisë e fushave të tjera.
Spektri “i majtë” apo “i djathtë” është një mënyrë normale për të klasifikuar në vija të trasha pozicionet politiko-ideologjike përgjatë një spektri njëdimensional politik, ku spikasin ekstremi i majtë radikal , e majta liberale, e djathta konservatore dhe e djathta ekstreme, ose sipas një përcaktimi apo përqasjeje me kahje majtiste; ajo reaksionare.
"E majta " dhe "e djathta" zakonisht kuptohen se përfaqësojnë pozicionet në polet politike për secilën anë, megjithëse një individ i veçantë apo parti politike, mund të këmbejnë rolet duke marrë një qëndrim “të majtë” për një çështje të caktuar e anasjelltas.
Termat “e majtë” dhe “e djathtë” janë përdorur për t’ iu referuar përkatësive politike qysh në fillimet e Revolucionit Francez. Ata, në fakt i referohen vendeve që zinin anëtarët e trupave të para legjislative të Francës, e veçanërisht në Asamblenë Legjislative Kombëtare të saj, të vitit 1791, kur Mbreti akoma ishte kreu formal i shtetit dhe mbretërorët moderatorë “Feuillants” uleshin në krahun e djathtë të Sallës së madhe të Asamblesë, ndërsa radikalët “Montagnards” uleshin nga e majta. Kjo vendosje apo parapëlqim për t’ u lulur në njërin apo tjetrin krah, vijoi të mbahej edhe në Senatin dhe Asamblenë Kombëtare Franceze, gjatë periudhës së të ashtuquajturës “Republika e Pestë”.
Në fakt, pika kulmore për të gjykuar mbi përkatësinë në një spektër politik të caktuar, ishin qëndrimet rreth regjimit të vjetër. "E djathta",  për këtë arsye identifikohej në qëndrimet pro-aristokratike, mbretërore e më pas edhe republikane, apo pro-klerikale e në mbrojtje të traditave kombëtare, ndërsa “e majta" reflektonte opozitën ndaj këtyre qëndrimeve. Në të njejtën kohë, mbështetja për socializmin dhe liberalizmin, shiheshin fillimisht si pozicione majtiste, ndërsa më vonë u revizionuan. Krahu i hershëm i majtë politik, ishte avokat i  “laissez faire capitalism” një term nga frëngjishtja, që përdoret për të përshkruar një politikë që lejon ngjarjet të shkojnë ën rrjedhën e tyre normale, pa ndërhyrë në to.
Krahu i dhjathtë i qëndronte në opozitë këtyre qëndrimeve , deri në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, kur antikapitalizmi shënoi një favorizim në radhët e majtistëve për shkak të rritjes së socializmit.
Përtej kësaj , Konventa Kombëtare Franceze dekretoi asokohe disa risi ekonomike gjatë Revolucionit, duke përfshirë kontrollin mbi çmimet ( i përforcuar me dënimin me vdekje), taksa të detyruara për ata që kishin të ardhura mujore e vjetore mbi një nivel të mirëpërcaktuar prej shtetit e masa të tjera kryesisht ekonomike.
Në Britaninë e Madhe në atë kohë, Edmund Burke  ( në ditët e sotme i konsideruar zakonisht si konservator) mbronte pikëpamje të ngjashme ekonomike që i përkisnin në fakt të majtës frënge. Pavarësisht se ai kritikonte me forcë antiklerikalizmin e tyre dhe tendencën e tyre për të marrë me dhunë pushtetin e organizuar trazira. Refleksionet e Burke mbi Revolucionin Francez kritikonin të majtën si tepër racionaliste dhe si përçmuese të dijes e mençurisë tradicionale njerëzore. Gjatë Revolucionit Francez, përkufizimi mbi atë se kush qëndronte majtas e kush djathtas, pësoi ndryshime brenda pak viteve. Fillimisht liderët e Asamblesë Kushtetuese, si Antoine Barnave dhe Alexandre de Lameth, të cilët mbështesnin një formë të reduktuar monarkie dhe një legjislativ unikameral, u panë si përfaqësues më shumë të së majtës, në opozitë me shumë liderë konservatorë, të cilët shpresonin për një monarki të stilit kushtetues britanik, dhe ndaj atyre që i bënin opozitë të drejtpërdrejtë Revolucionit.
Pas Revolucionit Francez, në vitin 1794, duke pasuar ekzekutimin e Robespierit, një spektër i ri më i qartë politik nisi të ravijëzohej. Në krah të majtë ndodheshin Jakobinët , ish-përkrahësit e Robespierit dhe terrorit, të cilët tentonin të restauronin kushtetutën e ashtuquajtur demokratike, të vitit 1793. Figura më e njohur ndër ta ishte Babeuf, i konsideruar me metrin e sotëm, një proto-komunist. Në krah të djathtë qëndronin monarkistët, të cilët shpresonin të rivendosnin një monarki, kushtetuese ose absolute qoftë. Në qendër ishin Thermidorianët, të cilët shkruan kushtetutën e vitit 1795 dhe shpresonin kësisoj të arrinin themelimin e një Republike që do qëndronte në mes këtyre dy qëndrimeve të polarizuara. Dështimi i Republikës së Direktorive , siç quhej iniciativa e tyre, bëri pak për të ndryshuar këto linja bazë politike – Jakobinët dhe monarkistët mbetën edhe më tej dhe shumë nga ata që kishin përkrahur në fillim Direktoratin përfunduan duke mbështetur diktaturën , dhe më konkretisht, regjimin e Perandorit, Napoleon Bonaparte.
Ishte pikërisht kjo kohë, kur nga Franca filloi të importohej ideja për “të majtë” e “të djathtë” në mbarë kontinentin e më gjerë më pas. Kur Franca pushtoi e u zgjerua me territore matanë kufinjve të vet, u rihap sërish çështja e qëndrimeve rreth Revolucionit Francez, e cila mbizotëroi për një kohë të gjatë mendimin politik. Me rritjen e pushtetit të Napoleonit, gjërat nisën të bëheshin më të komplikuara, pasi jashtë Francës, ata që kishin përkrahur Revolucionin Francez, konsideroheshin si përkrahës të diktaturës së Napoleonit. Në të njejtën kohë, pushtetmbajtësit tradicionalë të shteteve të tjera të Europës – qofshin armiq të Napoleonit në Austri apo Prusi, apo pushtembajtës autonomë në shtetet e vogla gjermane si Bavaria, shpesh merrnin pozicione me nuanca pozitive mbi Napoleonin dhe atë çka ai përfaqësonte, duke shpresuar të importonin idetë e tij e t’ i jepnin fund shumë prej reformave të nisura nga regjimet e vjetra dhe të lejonin që Napoleonit t’ i hapeshin dyert si një triumfator, pa pasur nevojë të kryheshin luftëra e pa e hedhur vendin në terror, kaos e dhunë.
Kuptimshmëria e termave “e majta” dhe “e djathta” ka njohur megjithatë evolucion përgjatë kohërave; gjithashtu ata kanë rrjedhur nga një kontekst shumë i specifikuar i gjuhës frënge, duke u mbarsur më pas  në atë europian (apo të paktën në atë kontinental), e duke u përcjellë më pas, në mbarë botën.
Europa në fillimshekullin e 19-të, e gjeti veten të konfrontuar me një sërë pikëpamjesh politike, të cilat më së miri shkonin në vija të trasha me modelin “e majtë - e djathtë”. Ashtu siç është përshkruar nga historiani Michael Broers, ne shohim sipas tij, në të djathtën ekstreme, forcat reaksionare, të cilat shpresojnë për një restaurim të plotë të regjimit të vjetër  “ancien régime”, duke përfshirë privilegjet tradicionale dhe disa reduksione mbi autoritetin qendror. Megjithëse qeveritë e ndryshme, në mënyrë që të ruanin pushtetin e tyre , në kohë të ndryshme vazhdimisht i kanë përdorur të tillë elementë, në shumë pak raste ( më i njohur i prej tyre është ai i Mbretërisë së Sardenjës).
Nga e majta e “reaksionarëve” u vendosën konservatorët e moderuar , të cilët ishin të gatshëm të pranonin disa nga arritjet e Revolucionit Francez, në veçanti ato elementë të cilat çonin në një pushtet më  të madh për shtetin dhe që favorizonin kontrollin qendror autokratik – qoftë në favor të formave tradicionale të shtetit ose të parlamenteve liberale. Nga e majta e tyre qëndronin liberalët , të cilët shpresonin qeverisje më përfaqësuese dhe respektonin të drejtat e liritë civile.
Në praktikë, megjithatë dallimi mes liberalëve dhe konservatorëve mund të jetë jo fort i qartë – sidomos në shtetet me demokraci parlamentare ku konservatorët është dashur për shembull të bashkëqeverisin me kundërshtarët e tyre të majtë. Në të majtë të liberalëve, qëndrojnë ndërkohë disa rryma radikale e republikane, të cilët favorizonin rrëzimin e monarkive dhe vendosjen e së drejtës universale të votimit, sipas modelit të kushtetutës spanjolle të vitit 1812 apo të asaj franceze të vitit 1793.
Në vende të ndryshme e kohë të ndryshme, “e majta” dhe “e djathta” janë kuptuar në mënyra të ndryshme dhe sa më shumë që njëra largohet në kohë, ndërsa e kërkon në Europën e shekullit të 19-të, aq më pak gjasa ka që të ketë konsensus rreth çështjes se si duhen përdorur këto terma dhe mbi definicionet e tyre të sakta. Për shembull, në fjalimet e viteve ‘30 në Europë, k ishte pak konsensus rreth asaj çka do të thoshte “e djathta” përtej një opozite ndaj Bolshevizmit, të cilin në shumë pikëpamje, sigurisht se e kundërshtonin edhe vetë të majtët.
Vepra e Adam Smith “The Wealth of Nations” (mirëqenia e kombeve), njëra ndër përpjekjet e para për të studiuar ngritjen e industrisë e zhvillimit komercial në Europë, ishte një paraardhëse e disiplinave të sotme moderne akademike mbi ekonominë.
Në këtë vepër dhe në të tjera, Smith është i mahnitur ndërsa konstaton se sa shumë në mënyrë racionale interesat vetjake dhe konkurrenca mund të çojnë në prosperitet ekonomik dhe standarde të mira jetësore. Ai, gjithashtu paraqet njërën prej racionalizmave më të njohura intelektuale mbi tregtinë e lirë dhe kapitalizmin, ide të cilat ndikuan ndjeshëm në shkrimet e platformat e ekonomistëve të ardhshëm në vijim.

vijon në numrin e ardhshëm

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›