E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejt lirimit nga akuzat për “Rrëshen-Kalimash” edhe Lulzim Basha

Vendimi i djeshëm, merr fund dosja “Durrës-Kukës”. Gjykata e Lartë lë në fuqi vendimin e Apelit për kërkesën e Telitit dhe Tomës. Gabimi i Prokurorisë që do t’i kushtojë gjykimin e mëtejshëm të dosjes

Laureta Rryçi

Tiranë - Gjykata e Lartë la dje në fuqi vendimin e Apelit për t’i shpallur të pavlefshme veprimet hetimore nga data 6 nëntor deri më 6 dhjetor të vitit të kaluar për dosjen e abuzimeve me tenderin e Rrugës Durrës-Kukës. E thënë ndryshe, veprimet finale që ndërmori Prokuroria, sikundër janë komunikimi i akuzës, marrja i pandehur dhe dërgimi i dosjes në gjykatë, cilësohen të pavlefshme. Me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykata e Lartë mori në shqyrtim kërkesën për të ligjëruar veprimet hetimore brenda këtij muaji ndaj ish-zëvendësministrit të Transporteve, Armand Teliti, ish-drejtorit Juridik të Rrugëve, sikurse dhe ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, i cili aktualisht mban postin e ministrit të Jashtëm. Ata akuzohen se, duke shpërdoruar detyrën, kanë konsumuar shkelje ligjore të konstatuara gjatë procedurave të ndjekura për përcaktimin e subjektit, i cili ndërton Rrugën Rrëshen-Kalimash, si pjesë e korridorit rrugor Durrës- Kukës-Morinë.
Ankimi
Teliti dhe Toma bënë ankimim në Gjykatën e Faktit në Tiranë për vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe në datën 18 nëntor të vitit 2008 togat e zeza u shprehën se pranonin ankimin e bërë nga Armand Teliti dhe Andi Toma, me objekt 'Kundërshtimin e vendimit të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në lidhje me zgjatjen e afatit të hetimeve të Procedimit Penal Nr. 1, të vitit 2007, nga data 06.11.2008 deri në dt. 06.12.2008', si edhe shfuqizimin e Vendimit dt. 06.11.2008 të prokurorit pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, në lidhje me zgjatjen e afatit 1-mujor që ka të bëjë me Procedimin Penal Nr. 1 të vitit 2007”.
Reagimi
Prokuroria e Përgjithshme siguroi pas kësaj se veprimet hetimore të kryera gjatë periudhës 6 nëntor - 6 dhjetor, edhe në rast se rrëzoheshin nga Gjykata, nuk kishin vlerë kyçe për ecurinë e procedimit penal. Zyrtarisht, u deklarua se prokurori i çështjes, me vendimin e tij, ka vendosur zgjatjen e afatit të hetimeve, me argumentin e vetëm të kryerjes së veprimeve hetimore, rreth konkluzioneve të aktit të ekspertimit. Gjykata e Shkallës së Parë argumentoi me faktin se afatet kohore, që nga data e depozitimit të aktit të ekspertimit 29.09.2008 deri në datën 06.11.2008, kanë qenë plotësisht të mjaftueshme për Prokurorinë, pasi është një periudhë relativisht e gjatë. Beteja gjyqësore vazhdoi në Gjykatën e Apelit, ku sërish iu dha e drejta të pandehurve ndërsa u shpallën të paligjshme veprimet hetimore
nga data 6 nëntor deri më 6 dhjetor 2008.

Box
Vendimi për Bashën në prill
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë shtyn për në muajin prill vendimin për ministrin Lulzim Basha, që po hetohet për shpërdorim detyre dhe favorizim në tendera lidhur me fondet për ndërtimin e Rrugës Durrës-Kukës gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Punëve Publike. kolegji penal, i kryesuar nga anëtari i kësaj gjykate Spiro Spiro, vendosi që gjyqi të mos zhvillohet meqë dita përkoi zyrtarisht si ditë pushimi. Për këtë arsye, kolegji penal vendosi që gjyqi të zhvillohet në datën 10 prill. Javë më parë, përballë këtij kolegji penal, pala mbrojtëse e ish-ministrit të Transporteve kërkoi mbylljen e çështjes pasi, sipas avokatit, klienti i tij nuk është i pandehur pasi nuk i është komunikuar akuza nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme për abuzimet ndaj Rrugës Rrëshen-Kalimash. Avokati Zef Nikaj deklaroi në seancën gjyqësore se kolegji penal nuk mund të shqyrtojë dosjen “Basha” pasi ka dy vendime të njëpasnjëshme të gjykatave, sipas të cilave Prokuroria ka tejkaluar të gjitha afatet e hetimit.

Akuza për dy të pandehurit e dosjes “Durrës-Kukës”

Ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, akuzohet se në bashkëpunim me ish-drejtorin Juridik të këtij dikasteri ka abuzuar me fondet e lëvruara për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, pjesë e Durrës-Kukës. Dëmi i shkaktuar shtetit llogaritet të kapë shifrën e 230 milionë eurove. Basha dhe Toma do të përgjigjen në Gjykatën e Lartë për akuzat e "shpërdorimit të detyrës" dhe "shkeljes së barazisë në tendera". Për abuzime me fondet u hetuan dhe ish-zëvendësministri i Transporteve Armand Teliti dhe ish-drejtoresha e Përgjithshme e Rrugëve, Lejla Saraçi. Por për mungesë provash dhe faktesh, Prokuroria e pushoi akuzën ndaj tyre. Shefi i diplomacisë shqiptare Lulzim Basha është i pandehuri kryesor në këtë proces dhe i pari ministër që do gjykohet nga Gjykata e Lartë. Kjo është hera e parë që një ministër gjykohet direkt nga shkalla më e lartë e Gjyqësorit në vend, ashtu sikurse parashikohet në Nenin 141 të Kushtetutës.

26 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›