E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qafë-Gjashta, tre dëshmitarë rrëfejnë për ngjarjen



Tiranë - Tre dëshmitarë të tjerë, njëri nga të cilët punonjës i policisë, dëshmuan dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda në procesin për ngjarjen e 4 marsit të vitit 1997, në Qafë Gjashtë të Sarandës. Gjatë kësaj ngjarjeje, si pasojë e një sulmi me armë zjarri nga disa persona, u vra punonjësi i Policisë së Shtetit, Gjergj Mehmeti, si dhe u plagosën dy të tjerë. Dëshmia u dha nga punonjësi i policisë së Vlorës, Edmond Kule, i cili tregoi për veprimet hetimore që ishin bërë për zbardhjen e ngjarjes në Qafë Gjashtë dhe kryesisht për deklarimet e dhëna në polici në vitin 1999 nga njëri prej të pandehurve, Vladimir Këndezi. Dëshmitari pohoi se Këndezi kishte pranuar përfshirjen e tij në krimin e rëndë, ndërsa konfirmoi se e gjithë procedura që nga shoqërimi dhe më pas pyetja e të dyshuarit ishte bërë konformë ligjit. Dëshmi të tjera janë dhënë nga Asllan Brinja dhe Keno Hameti, banorë të Sarandës, të cilët përgjithësisht folën për momentet e pas ngjarjes së 4 marsit të ‘97-s në Qafë Gjashtë duke pohuar se kishin parë pranë vendit të ngjarjes shumë persona, disa prej tyre të armatosur, por të panjohur. Këto dëshmi pasojnë ato të bëra në seancat e mëparshme nga dëshmitarë të tjerë të thirrur nga prokuroria në këtë proces për një nga ngjarjet më të rënda të vitit të mbrapshtë 1997. Si autorë të dyshuar të ngjarjes në Qafë Gjashtë janë shtetasit: Vladimir e Nestor Sinani, Alqi Paguni, Eduart Çipa, Edmond Sejko, Arben Këndezi, Agron Qurku, Mikel Këndezi, Aleksandër Bala dhe Riston Llapa. Gjatë ballafaqimit me prokurorinë, të pandehurit, pjesa më e madhe e tyre të arrestuar para dy vjetësh, kanë kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tyre. Këta persona akuzohen për vrasjen e punonjësit të Policisë së Shtetit, Gjergj Mehmeti, si dhe plagosjen e dy të tjerëve më 4 mars të vitit 1997 në Qafë Gjashtë të Sarandës.

26 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›