E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ, rastet kur policia duhet të ndërhyjë në zgjedhje

Komisionerët duhet të njoftojnë Policinë e Shtetit nëse në sallat e numërimit të votave gjenden persona të paautorizuar. KQZ-ja miraton formën e kërkesës zyrtare që duhet t’u drejtohet strukturave policore

Shaban Sulçe

Komisionet zonale të administrimit të zgjedhjeve mund të kërkojnë ndihmën e strukturave të Policisë së Shtetit në rast se në qendrat e votimit apo në qendrat e numërimit të votave do të ndodhen persona të paautorizuar, të cilët mund të sjellin probleme gjatë procesit zgjedhor. Kërkesa e anëtarëve të komisioneve për të kërkuar ndihmën e strukturave të Policisë së Shtetit duhet të bëhet me shkrim. Për këtë arsye, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar formën dhe përmbajtjen e kërkesës zyrtare, që do t’i dërgohet Policisë në rastet kur është e domosdoshme rivendosja e rendit në qendrat e votimit apo në ato të numërimit të votave. Kjo kërkesë njëkohësisht duhet t’i bëhet e ditur edhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kërkesa
Kërkesa duhet të përmbajë numrin e komisionit zonal të administrimit zgjedhor si dhe emrin e qarkut. Gjithashtu në të duhen shënuar ora e saktë, kur kërkohet ndërhyrja e policisë si dhe firmat e të gjithë anëtarëve të komisionit, si në rastin kur ata e miratojnë këtë ndërhyrje, apo në rastin kur e refuzojnë atë. “Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor Qarku (_), sot në orën (_), duke qenë se në ambientin e VNV-së ndodhen persona të paautorizuar dhe/ose rrezikohet rendi, bazuar në nenin 121, pika 2, të ‘Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë’, si dhe Udhëzimin të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ‘Për miratimin e detyrave të Policisë së Shtetit dhe Forcave të Ushtrisë në zgjedhjet për Kuvendin 2009’, vendosi: të njoftojë sot në datën (-)2009 ora (_) forcat e Policisë së Shtetit për nxjerrjen e personave të paautorizuar dhe/ose rivendosjen e rendit në Vendin e Numërimit të Votave”, - thuhet në përmbajtjen e kësaj kërkese.

Kodi
Në Kodin e ri Zgjedhor është sanksionuar edhe roli dhe detyrat që duhet të përmbushë Policia e Shtetit gjatë procesit të zgjedhjeve. Sipas Nenit 109, në rast se në qendrën e votimit rrezikohet rendi ose zhvillimi i rregullt i votimit, KQV-ja ka të drejtë të thërrasë organet e Policisë së Shtetit. Vendimi për kërkimin e ndihmës për vendosjen e rendit i njoftohet menjëherë KZAZ-së. Kryetari, zëvendëskryetari ose çdo anëtar i komisionit të qendrës së votimit njofton menjëherë Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve për incidentin e ndodhur. KZAZ-ja ia përcjell kërkesën menjëherë organeve të Policisë së Shtetit, ndërsa menjëherë pas rivendosjes së rendit në qendrën e votimit komisioni i qendrës së votimit duhet t’u kërkojë organeve të Policisë së Shtetit që të largohet. Punonjësit e Policisë do të ruajnë kutitë e votimit, gjatë procesit të depozitimit të tyre në KZAZ. Dërgimi i tyre bëhet me automjet, në të cilin ndodhen anëtarët dhe sekretari i KQV-së, si dhe një punonjës policie, i cili ka detyrë të garantojë shoqërimin dhe mosprekjen e kutisë/kutive të votimit me fletët e votimit dhe të kutisë së materialeve të votimit. Sipas Kodit, punonjësi i policisë është efektiv i përhershëm i Policisë së Shtetit, përjashtuar Policinë Kriminale, i ngarkuar me detyrën e shoqërimit nga KQZ-ja, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Polici i shoqërimit duhet në çdo moment të mbajë uniformën e Policisë së Shtetit dhe të ketë në një vend të dukshëm numrin rendor të caktuar nga KQZ-ja dhe mbiemrin e tij me përmasa të dukshme. Gjatë procesit zgjedhor do të ndalohet përdorimi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Forcave Speciale, në ruajtjen e objekteve zgjedhore. Gjithashtu do të ndalohet përdorimi i Forcave Komando dhe i forcave të tjera të Ushtrisë për ruajtjen e objekteve që kanë lidhje me zgjedhjet. Pjesë të forcave të sigurisë që nuk do të lejohen të marrin pjesë në këtë proces do të jenë dhe forcat e shërbimeve inteligjente.

26 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›