Vendimi, 20 ekspertë kontabël do të auditojnë financimin e partive
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e djeshme miratoi
Projekt-udhëzimin “Për kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen dhe emërimin e eksperteve kontabël”. Do të jenë 20 ekspertë të tillë, të cilët do të bëjnë auditin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike për fushatën elektorale të zgjedhjeve të 28 qershorit. Eksperti kontabël do të përcaktohet me anë të një shorti me gogla që hidhet në KQZ, jo më vonë se 45 ditë përpara zgjedhjeve. Përsa u përket kritereve, ato vijojnë si më poshtë: Të ushtrojnë profesionin e ekspertit kontabël të licencuar për jo më pak se 5 vjet, të kenë eksperiencë në auditimin e subjekteve, të cilat kanë zbatuar standardet ndërkombëtare të kontabilitetit dhe standardet ndërkombëtare të raportimit financiar. Kriteri i tretë për ekspertët kontabël është që ata të mos kenë marrë masa disiplinore, vërejtje në dosje ose pezullim të përkohshëm në 5 vitet e fundit të ushtrimit të profesionit të ekspertit. Ata nuk duhet të kenë qenë anëtarë të ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit, të mos kenë qenë kandidatë të mbështetur nga ndonjë parti politike apo koalicion zgjedhor në zgjedhjet e mëparshme, si dhe të mos kenë marrëdhënie krushqie deri në shkallë të katërt me kryetarët dhe drejtuesit e tjerë më të lartë të partive politike, të cilat do të jenë objekt i auditimit.
26 Mars 2009