E Diel, 1 Nëntor 2026

Faik Konica për alfabetin e gjuhës shqipe

F.Konica, ky personalitet i shquar i
letrave shqipe, stilist i dorës së parë,
shkrimtar, kritik, studiues, ka dhënë
një ndihmesë edhe për zgjidhjen e alfabetit
të njësuar të gjuhës shqipe. Shumë i
ri, në moshën 22-vjeçare, botoi fletoren
"Albania", që ishte një tribunë e mendimit
të lirë në vitet e fundit të shekullit XIX
dhe në fillimet e shekullit XX, një kryevepër
e publicistikës shqiptare, numri i parë
i së cilës qarkulloi më 25 mars 1897, 111
vjet më parë. Revista shquhej për problemet
kardinale të kulturës kombëtare që
ngrinte, duke u dalluar edhe për diversitetin
e opinioneve për çështje të ndryshme.
Nga të gjitha fushat që ka trajtuar
në këtë organ, një vend i veçantë u takon
edhe problemeve të alfabetit të gjuhës
shqipe, të cilat i ka parë në dy rrafshe: së
pari duke shkruar dhe botuar ai dhe
bashkëpunëtorët mbi 20 shkrime me
këtë tematikë dhe së dyti, duke hartuar
edhe një alfabet, me disa variante që
ndonjëri prej tyre afrohet me alfabetin e
sotëm të shqipes dhe së fundmi duke
propozuar rrugët e zgjidhjes së tij. E
veçanta e këtyre shkrimeve të botuara në
këtë organ është se aty për një periudhë
13-vjeçare janë bërë propozime konkrete
mjaft interesante, duke miratuar ose
duke kundërshtuar shumë mendime të
shfaqura këtu ose në organe të tjera.
Cilat ishin parimet e Konicës për
hartimin e alfabetit të shqipes? Ai kërkonte
dhe pranonte mbështetje në alfabetin
latin. Gjithashtu, si parim kryesor konsideronte
që një tingull mund të paraqitej
edhe me dyshkronjësha, siç e kishte më
parë alfabeti i Pashko Vasës dhe më pas
alfabeti i shoqërisë "Bashkimi". Gati
gjysmë shekulli më vonë, profesor Selman
Riza vlerësonte grafemat dyshkronjëse, të
cilat me të vërtetë, thoshte ai, zënë vend
në të shkruar, por "vizatohen me një të
vetëm hov dore", pakësojnë shenjat e
veçanta, si dhe "shquhen më në fund për
bukuri".
Pikëpamjet e Faik Konicës i paraqet që
në numrin e parë, me alfabetin që zbatoi
në këtë organ. Duke qenë një njeri me
horizont dhe kulturë, ai kërkoi edhe ndihmën
e kualifikuar të filologëve më të
dëgjuar të kohës, që ishin marrë edhe me
shqipen, si A.Bayer L.Bonlejev, M.Breal,
V.Henri, L.Legrand etj. Ai e dinte shumë
mirë se mendimet e tyre nuk do të ishin
të njëjta, megjithatë përgjigjet e para i
botoi, pavarësisht se i kënaqnin apo jo
dëshirat e revistës dhe të drejtuesit të saj,
Faik Konicës. Ai dëshironte që kjo çështje
të zgjidhej si në rrafshin teorik, ashtu
edhe në atë praktik; të ishte një zgjidhje
sa shkencore, aq edhe racionale. Prandaj
ai deklaronte: "Erdhi koha të themi edhe
për shkronja të gjuhës shqipe të vërtetën".
Ai mendonte se alfabeti i tij do të
përhapej shpejt, mbasi këtë sistem e
vlerësonte shumë. Që në vitin e parë të
qarkullimit të revistës, ai ishte shumë
optimist dhe besonte se shkronjat e fletores
"Albania" "do të përhapen në pak
kohë nëpër tërë Shqipërinë dhe midis të diturve
të Europës do të mbeten letrat e
përgjithshme …të kombit shqiptar". Për
Konicën, që e konsideronte çështjen e alfabetit
si çështje kombëtare dhe letrare,
duhet të merreshin në konsideratë edhe
këta faktorë:
-Shqipes i duhej një alfabet me të cilin
mund të shtypej çdo gjë.
-Të përdoren shkronjat latine, si gjithë
Europa.
- Të gjenden shkronja që shtypen lehtë
dhe me pak të holla.
* * *
Fillimisht kritikën e ashpër e drejtoi
kundër alfabetit të Stambollit. Ai pati një
mllef të veçantë për këtë sistem shkrimor,
që e shigjetoi duke përdorur një arsenal
të tërë kritikash. Për Konicën, që sapo
kishte mbushur 25 vjetët, "Letrat e Stambollit
duhen harruar fare, se ato ndalojtin
përparimin e kombit shqiptar". Dihet se ky
sistem shkrimor, pa kaluar as dy dekada,
filloi të kritikohet edhe nga organe të tjera,
por në krye gjithnjë qëndronte "Albania",
e cila nuk njihte në asnjë shkrim pajtim,
por kritikë. Arshi Pipa e portretizon kështu
F.Konicën për kritikat që bënte: "Aristokrat
edhe kur shante, ashtu si vetëm ai
dinte të shante… Kishte një faj, nuk mund
të shihte tjetërkënd sipër vehtes, bile as pranë
vehtes. Po në të vërtetë, cili mund t‘i afrohej?".
Konica, pavarësisht nga kritikat, në
nr.7 të vitit të parë të revistës shpreh mendimin
se "çështja e shkrimit të shqipes nuk
mund të zgjidhej veçse ditën kur në Shqipëri
do të ndodhë një ndryshim politik".
Ky organ donte të kishte marrëdhënie
të mira me fletore të tjera, si "Shqipëria" e
Bukureshtit, që e nxirrte Visar Dodani, me
të cilën kërkoi të njësonte alfabetin e tyre.
Por, gjithnjë e kaluara ishte e hidhur në
fushën e alfabetit, se, siç shkruante Asdreni
në një shkrim të botuar te revista "Albania",
"njeriu mbetet i habitur kur çdo shkronjëtor
kishte një abetar më vete që e përdorte".
* * *
Në shkrimet e revistës "Albania" përmendej
edhe sistemi shkrimor i autorëve
të vjetër, ku së pari kishte njohur vetëm
veprën e F.Bardhit, ndonëse nuk e besonte
se kjo mund të ishte vepra e parë në
shqip. Tek alfabeti i Bardhit shihte dy të
meta: 1. Kishte disa shkronja të veçanta
që nuk gjendeshin në shtypshkronjat ekzistuese.
2. Nuk ishte e mjaftë për toskërishten.
Për këtë arsye, ky nuk mund të bëhet
alfabet mbarëkombëtar. I kritikon autorët
tetën
te Bardhi, por i thelluan të metat më
tej. Kur u njoh me veprën e Budit, u vërtetua
se para Bardhit ka pasur autorë të tjerë
që shkruanin shqip, bindje që e pati edhe
Konica. Megjithatë, autori ynë nuk dëshironte
të mbështetej tek alfabeti i autorëve
të vjetër, pasi e ardhmja nuk i takonte atij,
por e përmendte si fakt historik për vlerat
dhe antivlerat që kishte.
* * *
Konica, për shoqërinë
"Bashkimi" të Shkodrës
Konica e vlerësoi krijimin e shoqërisë
"Bashkimi" për arsye se themeluesit ishin
patriotë dhe alfabeti i saj ishte krijuar
nga "njohës të gjuhës sonë". Megjithatë, ai
lejoi në këtë organ që të botohen mendime
pro dhe kundër shoqërisë "Bashkimi" dhe
alfabetit të saj. Ndonëse alfabeti i revistës
"Albania" kishte qarkulluar dy vjet para atij
të "Bashkimit", ky i fundit e pati parasysh
atë jo vetëm si sistem që pranonte dyshkronjëshat,
por edhe në ngjashmërinë e
tyre. Pra, Konica shkoi aq përpara në
përkrahje të këtij sistemi, duke vlerësuar
epërsitë e tij mbi sistemet e tjera dhe duke
shprehur mendimin se ai meriton të marrë
emrin alfabeti kombëtar i qytetëruar. Së
fundmi, u njësuan të dyja sistemet shkrimore.
* * *
Konica, për Kongresin e
Manastirit
Ngjarja më e madhe për kulturën tonë
kombëtare në fillim të shekullit XX ishte
mbledhja e Kongresit të Manastirit, që
hapi rrugën e kongreseve për çështje të
tjera kulturore të popullit tonë.
Dy çështje na dalin për këtë problem,
lidhur me Faik Konicën: e para, pse nuk
mori pjesë F.Konica në Kongresin e Manastirit
dhe e dyta, cili ishte projekti i tij për
zgjidhjen e alfabetit të përbashkët të shqipes?
Konica, që në fillim, me shpalljen e
thirrjes së Kongresit të Manastirit, nuk qe
dakord, pasi nuk ishte koha për një
mbledhje të tillë, ide që e kishte shprehur
shumë kohë më parë.
Për mos pjesëmarrjen e Faik Konicës
në Kongresin e Manastirit pati polemika,
pasi ai ishte një personalitet i
shquar në fushën e letrave, një
kolos i kulturës shqiptare, që ishte
marrë më se 10 vjet me diskutimin
e problemit të alfabetit të
njësuar të shqipes, gjithashtu
kishte hartuar një alfabet me
disa variante që e përdori në organin
e tij "Albania" e që ishte
mjaft afër me alfabetin e sotëm.
Më i shqetësuar për këtë çështje,
me ato materiale që kemi në
dorë, ka qenë patrioti Luigj Gurakuqi.
Në letërkëmbimin e tij të
pasur me patriotë shqiptarë, ai
e ngre edhe këtë problem. Në
letrën që i drejtonte Fehim Zavalanit,
drejtuesit të klubit
"Bashkimi" të Manastirit, shprehte
shqetësimin për mosthirrjen
deri në atë kohë në kongres
të Faik Konicës. Në mes të
tjerash, i shkruante: "Nga Elbasani
më shkruajnë se edhe ju
keni qëllim që të mos e ftoni në
mbledhje Faik be Konicën. Unë
nuk e zë besë këtë punë, ju sido
që në qoftë, ju lutem edhe
njëherë që të thirrni të gjithë shkronjëtorët
shqiptarë e kryetarët
e klubeve e shoqërive
kudo që ndodhen, kështu që
mbledhja e Manastirit të dalë
një mbledhje kombëtare e
përgjithshme e që t‘i japë fund
njëherë e përgjithmonë çështjes
së alfabetit".
Ndërsa pak ditë para Kongresit, Gurakuqi
i shkruante një miku në Elbasan, të
cilin e njoftonte se i kishte shkruar klubit
të Manastirit të thërrasin "domosdo Faik
be Konicën në Kongres, ku kam shpresë se ke
për të qenë edhe ti". Konicës iu dërgua ftesa,
ndoshta edhe nën presionin e miqve
të tij. Megjithatë, këtë ftesë të vonuar ai
nuk e pranoi, ndonëse aty ishte shënuar
se "kombi ynë ka nevojë për njerëz të tillë si
zotëria juaj". Një fakt të tillë e ngre Faik
Konica edhe në një artikull të tij, ku shkruante:
"Besoj se është e tepërt t‘ju mësoj se nuk
u ftova te ky vetthënë ‘kongres‘, përveçse në
orë të fundit, me ç‘qëllim e kuptoni vetë".
Por, sipas Sh.Demirajt dhe K.Priftit, ka
edhe ndonjë faktor tjetër. Ai gjykonte se
çështja e alfabetit duhej shqyrtuar dhe
vendosur nga një forum i përbërë nga gjuhëtarë
dhe lëvrues të gjuhës shqipe. Ai,
gjithashtu, e përçmonte përbërjen e delegatëve
të këtij kongresi, duke mos i konsideruar
të aftë për ta zgjidhur këtë problem.
"Besoj, shkruante ai, se është e para herë
që një problem literature do të zgjidhet pas
parimit të shumicës".
Refuzimi i Konicës nuk ishte diçka e
rastit, por i kushtëzuar nga kontributet e
tij në këtë fushë për më shumë se 10 vjet.
Ai e vlerësonte shumë punën e tij dhe në
këtë tubim ai do të luante rolin kryesor si
një nga hartuesit e alfabetit të shqipes,
variant i cili qëndron mjaft afër me alfabetin
e miratuar në Kongresin e Manastirit.
Për këtë shkruante: "Thosha që asnjeri
në Shqipëri nuk ishte munduar aq shumë
për të nxjerrë alfabetin latin mundës
(fitues)". Kështu, Faik Konica nuk hesht.
Boton një artikull të rreptë kundër Kongresit
të Manastirit, me titull "Kongresi i
shqiptarëve xhonturq në Maqedoni", duke
vënë në dijeni lexuesin për këtë tubim,
por tonet e shkrimit ishin shumë të ashpra
dhe revoltuese. Ai jo vetëm nuk e
pëlqente zgjidhjen që dha Kongresi i Manastirit,
por kishte mendim që ky problem
do të diskutohej përsëri, se zgjidhja e ABEsë
në këtë tubim "nuk ishte as e arsyeshme,
as e fundit".
Në këtë shkrim gjithnjë i mëshon
idesë se kjo çështje do të diskutohet
përsëri, prandaj shkruante: "Nuk dua të
bëj gjë veçan dhe pa pëlqim të anës kombëtare,
i së cilës jam një pjesëtar. Por si
shkronjës e deklaroi çështjen e hapur dhe
kam shpresë se pas pak kohe bënj shokë me
një mendje me mua". Dhe në shkrimin e
botuar po në këtë numër, "Fleta e drejtorit",
autori theksonte se me alfabetin e
miratuar në Kongresin e Manastirit
"deshnë të pengojnë përhapjen dhe këndimin
e botimeve kombëtare, duke pëlqyer
një palë alfabetesh që besojin se bërësit e
atyre botimeve nuk do t‘i akseptojinë kurrë".
Përsëri i indinjuar që nuk u ftua asnjë
kombëtar i njohur si të këtillë, pranon që
të përdorin njërin nga dy ABE-të xhonturke,
siç i quan ai, "derisa të themelohet
një abe kombëtare. Kështu armën e halldupëve
do ta kthejmë kundër tyre". Dhe
dufi i nervozizmit arriti deri aty saqë për
autorin "ky kongres do të mbetet në histori
të lëvrimit shqiptar si një nga faqet më të
pandershme e më të turpshme…". Ky ishte
një përfundim i gabuar dhe i kritikueshëm
i Konicës. Përkundrazi, ai qe
një tubim me rrezatim të gjerë për zhvillimin
e kulturës sonë kombëtare, qe një
veprim dhe zgjidhje e pranueshme, gjë
që koha e vërtetoi. Realiteti historik e tregoi
se vlerësimi i tij për Kongresin e Manastirit
nuk ishte i drejtë. Por, përpjekjet e
tij për këtë çështje nuk duhen mohuar,
pasi ai kishte luajtur një rol të rëndësishëm
për çështjen e alfabetit të njësuar
të shqipes. Shoqëria shqiptare e ka çmuar
punën e tij në fushën e gjuhësisë, përveç
studimeve të kryera me këtë tematikë.
Vitin që kaloi u botua vëllimi i Faik Konicës,
"Mendime gjuhësie", mbledhur, transkriptuar,
pajisur me shënime dhe me një
hyrje studimore nga Kristina Jorgaqi.
* * *
Revista "Albania" përdori alfabetin me
pesë variante, ku i pari i përket Nr.1 të vitit
1997, ndërsa i fundit Nr.1 të vitit 1905. E
veçanta e këtyre varianteve ishte se të
gjithë mbështeteshin në alfabetin latin
dhe ishin mjaft të lehtë dhe të afërt me
alfabetin e sotëm, por duke përdorur
edhe grafemat dyshkronjëshe. Me gjithë
kundërshtimet për alfabetin latin të
miratuar në Kongresin e Manastirit, revista
u detyrua që nga Nr.1 i vitit 1909 të
përdorë atë alfabet, me përjashtim të
shkronjës /ë/.
* * *
Duke ushqyer iluzionin se kjo çështje
do të diskutohej përsëri, ai në artikullin e
sipërpërmendur jepte një variant se si
mund të zgjidhej ky problem, të cilin e
kishte njoftuar edhe kohë më parë. Për
Konicën duhej:
1. Të mblidhej një komision për të
parastudiuar projektin e një kongresi.
2. Të lihej kohë prej një viti nga shpallja
e projektit nga komisioni. Pjesëmarrësit i
ndanë në dy grupe, toskë: F.S.Noli,
A.Z.Çajupi, Asdreni, Z.Skiroi, M.Duçi,
Dr.Haritoja, S.Peci, V.Dodoni e F.Konica
dhe gegë: Sh.Gjeçovi, P.Bardhi, Gj.Fishta,
Nd.Nikaj, A.Xhuvani dhe L.Gurakuqi.
Gjithsej 15 vetë. Më pas do të zgjidheshin
edhe 15 të tjerë, siç thotë ai, "ndër shqiptarët
me vlerë në fushën e gjuhës, por
akoma të pashfaqur botërisht". Këta 30
pjesëmarrës do të përcaktonin alfabetin,
i cili do të miratohej me një kongres më të
gjerë. Sheshimet e mosmarrëveshjet do
t‘i kryente një albanolog, që do të shërbente
si gjyqtar. Skema e Konicës është
kjo: komision, kongres, kongres më i
gjerë, albanolog.
Një ide e tillë mbeti në letër dhe alfabeti
i dalë nga Kongresi i Manastirit u bë
alfabeti kombëtar i shqipes.
* * *
Faik Konica është një nga figurat e
shquara të kulturës sonë kombëtare, një
figurë emblematike, me shumë vlerë.
Duke përjashtuar konsideratën e tij negative
për Kongresin e Manastirit, falë
natyrës së tij inatçore, duhet çmuar për
punën që bëri për njësimin e alfabetit të
shqipes, për artikujt që botoi në revistë,
ashtu si edhe për variantet që hartoi për
alfabetin, që u dha një shtysë të rëndësishme
përpjekjeve për njësimin e alfabetit
të shqipes. Tek alfabeti i F.Konicës
mund të gjejmë burimet e para të alfabetit
të sotëm. Ai luajti një rol në
përhapjen dhe stabilizimin e alfabetit të
gjuhës sonë. Në kuadrin e 100-vjetorit të
Kongresit të Manastirit, figura e Faik Konicës
zë një vend të rëndësishëm në piedestalin
e përpjekjeve për një alfabet të
vetëm të shqipes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›