E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejt përfundimit projekti i linjës 20KV i furnizimit me energji elektrike në Vlorë

Projekti i fazës së dytë të shtrimit të linjës 20 kv të furnizimit me energji elektrike të qytetit të Vlorës, që financohet nga Qeveria shqiptare dhe Banka Botërore me një fond prej 3 milionë USD, po shkon drejt përfundimit. Burime zyrtare të Agjencisë së Shpërndarjes së Energjisë, bënë të ditur se, “ka përfunduar shtrimi i linjës kryesore dhe aktualisht po punohet për lidhjen e saj me konsumatorët.” Punimet janë përqëndruar në zonën periferike në ish- fabrikën e çimentos dhe Ujin e Ftohtë, si pjesë e fundit e këtij projekti. Gjithashtu, po kryhet riparimi i rrugëve të dëmtuara nga shtrirja e linjës, përgjatë bregdetit, për të mos penguar qarkullimin e automjeteve.Punimet për këtë fazë të projektit, që pritet të përfundojnë brenda pak javësh, nisën në muajin mars të këtij viti.  Në projekt përfshihej shtrirja e linjës kryesore të furnizimit me energji edhe në pjesën e mbetur të qytetit, lagjja e ish fabrikës së çimentos dhe Uji i Ftohtë, që, aktualisht, furnizohen me sistemin 6 kv. Faza e parë e  projektit, me një vlerë prej 6 milionë USD,  përfundoi dy vjet më parë me anë të së  cilës, u realizua rindërtimi i rrjetit të shpërndarjes në pjesën më të madhe të qytetit. Ky është investimi më i rëndësishëm, që është realizuar ndonjëherë në fushën e modernizimit të sistemit të shpëndarjes së energjisë në qytetin e Vlorës. Me përfundimin e tij, konsumatorët e këtij qyteti integrohen në sistemin e shpërndarjes 20 kv, gjë që ndryshon plotësisht standardet e furnizimit me energji elektrike duke eliminuar pothuajse plotësisht, defektet në rrjet. Rrjeti 20 kv zëvendëson atë me parametra 6 kv, i cili ishte plotësisht i amortizuar dhe i papërshtatshëm për nevojat në rritje për energji elektrike dhe standardet e furnizimit. Efektet e tij janë reflektuar gjatë këtyre dy vjetëve kur janë ulur ndjeshëm edhe humbjet në rrjet, të cilat, aktualisht llogariten në nivelin 33 përqind.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›