E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Durrësit, 24 patrullime në mbështetje të pushuesve


Policia e qytetit të Durrësit në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të kufirit dhe migracionit, janë vënë në dispozicion të pushuesve të shumtë që kanë mbushur vijën bregdetare të qarkut nga Shkëmbi i Kavajës në jug dhe deri në gjirin e Lalzit në veri.


Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut, bënë të ditur se "të gjitha masat kanë si synim rritjen e sigurisë dhe garantimin e qetësisë publike për pushuesit, si dhe për qytetarët durrsakë." Vendet e pushimit në të gjithë vijën bregdetare që nga dita e sotme, janë vënë nën vëzhgimin e patrullave të policisë, thanë burimet, duke shtuar se "efektivat e policisë kufitare bregdetare do të vëzhgojnë vijën ujore në të gjithë bregdetin me gjatësi prej afro 62 km". Sipas tyre, kontrollet do të jenë më të rrepta në zonën e plazhit të Durrësit, ku në një vijë bregdetare prej 3.4 km pushojnë rreth 150 mijë plazhistë vendas dhe të huaj njëherësh. Masa të mira janë marrë edhe në bregdetin e Shkëmbit të Kavajës, sektorin Rinia, Hamallajt dhe Shën Pjetrit, ku gjatë këtij sezioni veror pritet të ketë një numër të lartë. Gjithashtu në vazhdën e këtyre masave , kontrollet do të shtohen edhe në të gjitha akset rrugore që nga Fushë- Kruja, Vora dhe Kavaja për të gjithë pushuesit të cilët i drejtohen qytetit bregdetar, kontrolle të cilat do të paralelizohen edhe me efektiva të shtuara nga drejtoritë e qarqeve të tjera. Parandalimi i aksidenteve rrugore dhe siguria në rrugë për mijëra pushues që mbërrijnë çdo ditë veçanërisht nga Kosova, përbën detyrën kryesore të seksionit të qarullimit rrugor,bënë të ditur burimet. Që nga fillimi i këtij muaji, në Durrës kanë mbërritur me tragete nga Italia mbi 50 mijë udhëtarë, pjesa më e madhe e të cilëve bashkëatdhetarë që kanë vendosur të kalojnë pushimet pranë familjeve të tyre ose në plazhet e mëdha të vendit. Të ardhurat nga turizmi përbëjnë një nga resurset më të mëdha ekonomike për qarkun e Durrësit dhe sezoni veror i këtij viti parashikohet të sjellë në këtë zonë qindra mijëra pushues dhe turistë.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›