Rritet interesimi i turistëve europiane për qytetin e Elbasanit
Për të njohur historinë e lashtë të qytetit të Elbasanit, rreth 3000 mijë turistë të huaj kryesisht nga Italia, Gjermania dhe Greqia kanë vizituar qytetin gjatë muajve qershor dhe korrik. Interesimi i tyre është fokusuar në historinë e lashtë të kalasë së qytetit , objektet e kultit Xhaminë " Mbret" dhe Kishën e " Shën Mërisë", të cilat gjenden brenda mureve të kalasë, si edhe Hamamin, Rrapin e Bezistanit, mozaikun paleokristian zbuluar para dy vitesh, etj. Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini tha se "numri i turistëve është trefishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, si pasojë edhe e investimeve të realizuara gjatë viteve të fundit në bulevardin kryesor të qytetit, si edhe brenda mureve të kalasë". Ne kemi edhe projekte të tjera shtoi ai, "në përmirësimin e infrastrukturës turistike për të ofruar kushte optimale për turistët, si dhe përgatitjen e një guide turistike, e cila së shpejti do të jetë gati”. Gjithashtu përveç qytetit të Elbasanit, pikat turistike të Bushekut dhe të Llixhave mbeten më të preferuarat për turistët e huaj, ku mund të shijojnë ajrin e pastër dhe të freskët, si dhe drekat tradicionale të këtyre zonave.
...