E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISKSH: Shpërblime për 9 mijë punonës të qendrave shëndetësore


Punonjësit e qendrave shëndetësore në të gjithë vendin kanë përfituar këto ditë deri në një pagë mujore shpërblim për 6-mujorin e parë të vitit, nisur nga treguesit e mirë të performancës. Sipas Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, pas rritjes së pagave deri në 17 % për mjekët e familjes dhe deri në 21 % për specialistët, e cila hyri ne fuqi qe nga 1 maji 2009, punonjësit e qendrave shëndetësore përfitojnë dhe shpërblimin e mesvitit, për treguesit e mirë të performancës. Drejtoresha e Përgjithshme e ISKSH-së, Elvana Hana, tha se “ISKSH është e vendosur të vijojë politikën e stimulimit të stafit mjekësor bazuar në punën dhe performancën e tyre, duke patur në këtë mënyrë në fokus pacientin dhe shërbimin ndaj tij”. Ky shpërblim i mesvitit, nga i cili përfitojnë rreth 9 mijë vetë personel shëndetësor (mjekë, infermiere, sanitare etj) në shërbimin shëndetësor parësor, është shpërndarë tashmë në mbi 200 qendra shëndetësore në vend dhe është në proces shpërndarjeje në qendrat e tjera. Nga shpërblimi përfitojnë mjekët e familjes, mjekët specialistë, infermirët dhe i gjithë personeli mbështetes. Brenda buxhetit të përcaktuar nga ISKSH për qendrat shëndetësore, vetë qendrat kanë patur mundësi të shpërndajne deri në 1 pagë mujore, sipas realizimit të treguesve të performancës per çdo qendër. Paga për mjekët në shërbimin shëndetësor parësor varion nga 46.000 lekë në 78.000 lekë, ndërsa për personelin tjetër (infermiere, sanitare, shofere etj) varion nga 22.000-28.000 lekë. Fondi në total i akorduar nga ISKSH në buxhetin e qendrave shëndetësore për shpërblimin e 6-mujorit është 290 milionë lekë.



...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›