E Hënë, 2 Nëntor 2026

Drejt pushimit dosja e vetëshpërthimit të islamikëve, viktimat dështuan në atentat

15/06/2005  Po shkon drejt pushimit hetimi për shpërthimin e eksplozivit në fshatin Baltëz të Fierit, që mori jetën e besimtarëve myslimanë, Pëllumb Reshlani dhe shokut të tij, Armando Durajt. Lajmi është bërë dje i ditur nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se pas afro një muaj e gjysmë hetimesh është konkluduar se viktimat kanë qenë duke prodhuar një “bombë” me eksploziv, që kishte një celular për telekomandë. Nisur nga ky fakt, është arritur të konkludohet në pistën më të besueshme se eksplozivi kishte destinacion ortakun e Reshlanit, pas disa zënkave që ata kishin pasur kohët e fundit. Ndërsa, Duraj ishte bashkëpunëtori i Reshlanit për prodhimin e “bombës” me celular. Burimet sqaruan se për shkak të zbardhjes së ngjarjes, me anë të dëshmive dhe informacioneve operative dhe vetëvrasjes së dy autorëve të një atentati të dështuar, dosja është drejt pushimit pas kryerjes së gjithë veprimeve hetimore të mundshme. Sipas Prokurorisë, fillimisht policia hodhi disa pista hetimi, edhe për shkak të festës së Pashkëve, që ishte vetëm një ditë pas ngjarjes. U dyshua se “bomba” mund të kishte destinacion kishën e Shën Gjergjit në Fier për kryerjen e një akti terrorist të mundshëm. Por pas marrjes së dëshmive të të afërmve dhe shokëve të viktimave, u konkludua se “bomba” do të përdorej në një atentat kundër ortakut në biznes të Pëllumb Reshlanit. Kjo, pasi ky i fundit i kishte kërkuar ortakut të tij të tërhiqej nga biznesi dhe të bashkëpunonte me vëllanë. Por, kur ortaku nuk ka pranuar, Reshlani ka menduar të kryejë atentat ndaj tij dhe ka thirrur për ndihmë Armando Durajn. Ka qenë fundi i prillit, kur Reshlani dhe Duraj kanë qenë duke montuar “bombën” në katin e dytë të banesës së të parit në fshatin Baltëz të Fierit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›