E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vetëvrasjet e fëmijëve, pezullohen hetimet nga mosdenoncimi i prindërve

15/06/2005  Mungesa e denoncimeve nga ana e familjarëve të të vetëvrarëve dhe mosgjetja e sekuestrimi i asnjë fletushke të sekteve fetare, ka bërë që hetimi masiv i filluar nga Prokuroria e Përgjithshme të shkojë drejt pezullimit. Kjo, pasi deri tanimë nuk është arritur të sigurohet asnjë provë materiale që të çojë në shkaqet e këtyre vetëvrasjeve, që muajt e fundit janë shtuar frikshëm. Prej një muaji e gjysmë, Prokuroria e Përgjithshme dhe institucione të tjera filluan një hetim masiv, duke bashkëpunuar me njëra-tjetrën për të gjetur shkaqet që çonin fëmijët drejt vetëvrasjeve. Kjo, pasi kohët e fundit vetëvrasja e fëmijëve u kthye në një fenomen. Lajmi është bërë dje i ditur nga burime pranë organit qendror të akuzës, të cilat sqaruan se deri tani, asnjë prej prindërve të fëmijëve të vetëvrarë nuk ka dëshmuar për shkaqet. Gjithashtu, policia gjatë kontrollit të banesave nuk ka gjetur asnjë fletushkë të sekteve fetare që frekuentonin një pjesë e fëmijëve, pohojnë burimet. Nisur nga këto shkaqe, hetimet kanë mbetur vetëm në fazën e verifikimet të dosjeve, që cilat janë drejt përfundimit. Por burimet e Prokurorisë theksojnë se, nëse do të vijë qoftë edhe një kallëzim apo të gjendet ndonjë provë, hetuesit janë të gatshëm të rifillojnë hetimin. Vetëm katër muajt e fundit rezulton që në të gjithë vendin të jenë vetëvrarë rreth 90 persona. Kjo shifër shënon një rritje jo të zakontë të vetëvrasjeve në shkallë vendi, krahasuar kjo me vitet e kaluara. Ndërsa, sipas statistikave të INSTAT, vetëvrasjet zënë vendin e tretë në përqindjet e 17 grupeve të vdekjes, pas aksidenteve të të gjitha llojeve e vrasjeve. Ndërkaq, Prokuroria e Përgjithshme ka filluar verifikimin e të gjitha dosjeve të vetëvrasjeve të ndodhura në vend gjatë këtij viti. Kjo, pasi është rritur edhe numri i fëmijëve të vetëvrarë dhe shumë prej këtyre ngjarjeve kanë mbetur pa shkaqe. E.H.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›