E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri për një ngacmim, babë e birë plagosin dy veta

Përrenjas

Për pak sa nuk ka përfunduar në tragjedi një grindje mes të rinjsh në një fshat të Librazhdit. Pasi janë përleshur me grushte me njëri-tjetrin, atë e bir kanë rrëmbyer çiften dhe kanë gjuajtur në drejtim të disa të rinjve, duke plagosur dy prej tyre. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21.40 të së mërkurës në fshatin Kotodesh, 12 kilometra në juglindje të Përrenjasit. Sipas burimeve policore, sherri nisi në një lokal të këtij fshati. Pas një konflikti banal mbetën të plagosur rëndë Denis Malo dhe Erald Hoxha. Pas sqarimit të rrethanave të kësaj ngjarjeje, forcat policore shoqëruan Hamza dhe Lavdim Golemin, babë e bir, në polici.

Nga hetimet u sqarua se fillimisht konflikti kishte nisur me përplasje fizike midis palëve dhe më pas ka degjeneruar në përdorimin e armës së zjarrit. Sipas banorëve të fshatit, Lavdim Golemi, 22 vjeç, ka ngacmuar motrën e Erald Hoxhës dhe pasi vajza është ankuar në shtëpi, vëllai me shokët ka shkuar të “zgjidhë” problemin, duke u rrahur me personin që i ngacmoi motrën. Por, pas përleshjes në lokalin e fshatit, ku u përfshinë shumë persona, Lavdim Golemi ka marrë çiften dhe ka qëlluar në drejtim të Erald Hoxhës dhe Denis Malos, pavarësisht se ky i fundit kishte ndërhyrë për të ulur gjakrat. Qitja me armë është bërë përballë lokalit ku ndodheshin edhe mjaft persona të tjerë. Dy të plagosurit janë dërguar menjëherë për në spitalin e Librazhdit. Mjekët e këtij spitali thanë se në gjendje më të rëndë ka qenë Erald Hoxha, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia ka ndaluar Lavdim Golemin dhe babanë e tij Hamzain, i cili akuzohet për bashkëpunim në këtë ngjarje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›