E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia i jep të drejtë Ahmetit, nuk e pezullon

Policia nuk e ka pezulluar shefin e Policisë së Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Krenar Ahmeti, duke i dhënë të drejtë për detyrën e kryer, pavarësisht vendimit të gjykatës. Nga ana tjetër, vetë Ahmeti e ka ankimuar menjëherë vendimin e Gjykatës së Tiranës, duke i qëndruar mendimit të tij se ka kryer vetëm detyrën si kreu i Policisë Rrugore të Tiranës. Madje, ai ka shpjeguar edhe njëherë se objekti i shoqërimit nuk ka qenë prokurorja Elisabeta Imeraj, por bashkëshorti i saj, Agron Bajri. Të interesuar dje në lidhje me pezullimin e tij, burimet nga policia thanë se nuk ka asnjë masë pezullimi ndaj kreut të Policisë Rrugore të Tiranës. Madje, ato shprehën bindjen se në rastin e prokurores, Krenar Ahmeti ka pasur plotësisht të drejtë. Madje, në seancën e gjyqit, ku u vendos pezullimi i tij, një përfaqësues juridik i Ministrisë së Brendshme ka marrë pjesë si vëzhgues. Ndërkohë, i pyetur sërish për këtë konflikt, Ahmeti ka deklaruar se objekti i shoqërimit ka qenë bashkëshorti i prokurores, ndaj të cilit ka kryer edhe një denoncim, të cilin prokuroria duket se e ka lënë pas dore. Ai ka shpjeguar se bashkëshorti i prokurores e ka fyer për shkak të detyrës dhe në këto kushte ka urdhëruar shoqërimin e tij. "Bashkë me të, në makinë ka qenë edhe prokurorja, por ne i kemi deklaruar asaj se nuk është objekt shoqërimi, por ajo ka këmbëngulur që të vijë në polici", ka shpjeguar Ahmeti. Më tej, ai ka shtuar se drejtuesi i mjetit Agron Bajri nuk ka qëndruar në makinë, ashtu siç është ligji, por ka dalë nga mjeti, duke e fyer. Ahmeti deklaroi gjithashtu se do të mirëpresë çdo vendim të gjykatës dhe do ta zbatojë me përpikëri dhe shton se ka besim se drejtësia do të jetë në emër të tij. Ai është shprehur në lidhje me këtë denoncim se nuk është thirrur për shpjegime në prokurori dhe se çdo gjë është bërë në mënyrë të fshehtë. Ahmeti është vlerësuar nga eprorët e policisë edhe për rregullin që po vendos në qarkullimin rrugor, ku pas shumë vitesh drejtuesit e mjeteve po ndërgjegjësohen për mbajtjen e rripit të sigurimit dhe për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›