E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: Askush nuk ka të drejtë të dhunojë njeriun e ligjit

Pezullimi nga detyra i shefit të Qarkullimit Rrugor, Krenar Ahmeti, është komentuar dje nga ministri i Brendshëm Bujar Nishani pas kërkesës së bërë nga deputeti i PD-së Fatos Hoxha në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Deputeti Hoxha ka kërkuar një qëndrim të ministrit për këtë ngjarje, duke theksuar se zoti Ahmeti ka qenë në krye të detyrës kur ka ndodhur përplasja e tij me një qytetare. Duke iu përgjigjur interesit të deputetit, ministri Nishani është shprehur se "askush, pavarësisht pozicionit që ka, nuk ka të drejtë të dhunojë njeriun e ligjit". Duke vijuar më tej deklaratën e tij, Nishani ka theksuar se "kam vullnetin për të mbështetur çdonjërin që punon dhe respekton ligjet në fuqi. Pas pezullimit të z. Ahmeti, nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, është bërë apelimi për në Gjykatën e Apelit. Besoj se askush, pavarësisht pozicionit që ka, mund të sulmojë dhe dhunojë njeriun e ligjit". Dy ditë më parë, Gjykata e Tiranës vendosi të pezullojë nga detyra shefin e Komisariatit të Qarkullimit Rrugor të kryeqytetit, Krenar Ahmeti, pas një kërkese të prokurorisë së rrethit. Kjo e fundit e drejtoi kërkesën në fjalë pas denoncimit të dy shtetasve, të cilët akuzuan Ahmetin për arbitraritet gjatë ushtrimit të detyrës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›