Refuzimi i vizave, Shqipëria në krye të rajonit
Shqipëria mbetet një nga vendet e rajonit me shkallën më të lartë të refuzimit të vizave. Lëvizja Europiane në Shqipëri prezantoi dje një projekt për monitorimin e disa prej ambasadave kryesore në Tiranë nëse po funksionon apo jo marrëveshja e lehtësimit e hyrë në fuqi në janar 2008. Drejtuesi i kësaj organizate, Ditmir Bushati, konstatoi se mesatarja e refuzimeve të vizave në Shqipëri është rreth 23 për qind e totalit të aplikimeve, ndërkohë që mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është rreth 17 për qind. Sakaq, projekti i prezantuar dje zhvillohet në bashkëpunim me organizata të tjera joqeveritare nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe "European Citizen Action Service" me qendër në Bruksel. Procesi synon të kuptohet se sa është lehtësuar realisht lëvizja e shqiptarëve drejt BE-së dhe të nxitet më tej procesi i liberalizimit të vizave. Që sot do të jetë funksionale një linjë komunikimi ku aplikantët e vizave Shengen mund të konsultohen. Linja telefonike 04-2253184 (nga ora 10:00 - 14:00) dhe adresa e e-mailit info@em-al.org, do t‘u shërbejë jo vetëm individëve, studentëve apo akademikëve, por edhe organizatave të tilla si agjenci udhëtimi, klube sportive, shoqata artistike apo komunitetit të biznesit. Linja e komunikimit ka për synim të mbledhë fakte dhe t‘i përdorë ato në funksion të nxitjes së mëtejshme të procesit të liberalizimit të vizave. Rezultatet nga linja e komunikimit do të jenë kryesisht në trajtën e "historive të jetuara", që të tërheqin vëmendjen e vendimmarrësve në nivel kombëtar dhe evropian. Etapa e dytë parashikon kryerjen e një sondazhi në konsullatat e shteteve të Shengenit në Tiranë. Kjo do të realizohet përmes një grupi intervistuesish dhe plotësimit të një formulari të detajuar standard nga aplikantët shqiptarë në konsullatat e Gjermanisë, Italisë, Greqisë, Francës dhe Austrisë. Për të analizuar të dhënat që dalin nga linja e komunikimit dhe sondazhit, do të publikohet një raport final në kryeqytetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në Bruksel, i cili do t‘u paraqitet vendimmarrësve. Zgjedhja e konsullatave është bërë bazuar mbi faktin se këto konsullata paraqiten me shkallën më të lartë të refuzimit të vizave (Greqia - 37%; Gjermania -24%; Franca -22%; Austria -22%; Italia -11%). Ndërkohë që metodologjia e sondazhit është përgatitur nga Stefan Batory Foundation, me qendër në Varshavë. I gjithë projekti realizohet me mbështetjen e "King Baudouin Foundation" dhe "Open Society Foundation for Albania". Drejtuesi i projektit Bushati, konstatoi se megjithëse ekziston një panoramë optimiste, kryesisht qeveritare, sipas së cilës Marrëveshja e Lehtësimit të Vizave po funksion, sërish Shqipëria mbetet një nga vendet e rajonit me shkallën më të lartë të refuzimit të vizave. Nga vëzhgimet e kryera nga "Lëvizja Europiane në Shqipëri" nëpër konsullatat e ndryshme rezulton se shqiptarët ende nuk kanë shpëtuar nga lista e gjatë e dokumenteve që duhet të paraqesin dyerve të ambasadave. Koha e pajisjes me viza vazhdon të mbetet një problem dhe në disa raste tejkalon edhe periudhën për të cilën kërkohet viza. "Është bërë pak nga instancat e qeverisë shqiptare në drejtim të informimit të qytetarëve shqiptarë në lidhje me përfitimet që rrjedhin nga ky proces", theksoi Bushati. Sipas tij, duke përdorur linjën e komunikimit përmes telefonit apo e-malit, qytetarët do të kenë mundësi të marrin shpjegime apo informacion të detajuar në lidhje me kërkesat e marrëveshjes. Linja telefonike synon, mbi të gjitha, të japë të gjithë informacionin e nevojshëm dhe asistencën e mundshme mbi procedurat e vizave dhe mundësitë që kanë qytetarët shqiptarë për marrjen e një vize kur aplikojnë pranë konsullatave të vendeve Shengen në Shqipëri.