Drejtësia, dilema e mbylljes së reformës
Realizimi i reformës në drejtësi, pritet të jetë një ndër prioritetet kryesore të punës së Kuvendit, gjatë sesionit të ri parlamentar. Gjatë sesionit të shkuar, legjislativi shqiptar është përfshirë në debate të shumta, në lidhje me plotësimin e paketës së reformës në drejtësi dhe falë konsensusit të dhënë nga opozita, mazhoranca ka arritur që të miratojë brenda një sesioni plot 11 ligje të rëndësishme, të cilat kanë ardhur si pjesë e paketës së reformës. Sipas deputetëve të mazhorancës, nga kjo paketë kanë mbetur ende dhe tri projektligje të pamiratuara, ato janë: Projektligji për Gjykatën Administrative, i cili është në proces pune aktualisht, pasi në Komisionin e Ligjeve ka nisur diskutimi i tij. Deri më tani është dëgjuar Konfindustria, e cila ka bërë vërejtjet dhe sugjerimet e saj në lidhje me këtë ligj. Me çeljen e sesionit të ti parlamentar, do të rinisë puna në komision, duke dëgjuar edhe grupet e tjera të interesit dhe më pas, do të jenë mazhoranca dhe opozita, të cilat gjatë shqyrtimit nen për nen të draftit të qeverisë, do t‘ia propozojë atë për miratim Kuvendit. Deri më tani, opozita nuk ka shprehur ndonjë qëndrim kundër këtij drafti, por vetëm disa sugjerime të vogla të cilat mazhoranca i ka pranuar. Ndërkohë, Kuvendi pret nga qeveria edhe dy draftet e tjera për të plotësuar paketën e reformës në drejtësi, projektligjin për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe projektligjin për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore. Për dy draftet e fundit, Ministria e Drejtësisë po punon me qëllim paraqitjen e tyre në Kuvend sa më shpjet. Ndërkohë, gjatë sesionit të kaluar i cili ka qenë mjaft intensiv, Kuvendi ka miratuar 11 ligje të rëndësishme, të cilat janë Kodi i Procedurës Penale, Kodi i Punës, Kodi i Procedurës Civile, për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë, për profesionin e avokatit, për ndihmën juridike, për Policinë e Burgjeve, për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat, për ekzekutimin e vendimeve penale, për disa ndryshime në Kodin Penal, si dhe për Avokaturën e Shtetit. Realizmi i reformës në drejtësi, është vlerësuar si një domosdoshmëri nga mazhoranca, pasi për anëtarësimin me të drejta të plota në NATO, një ndër kushtet e tyre pas reformës zgjedhore, ka qenë realizimi i reformës në drejtësi. Për të mos penguar anëtarësimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike, opozita është shprehur gjithmonë e gatshme të japë konsensusin e saj. Por tashmë mbetet për të parë nëse ky konsensus do të vazhdojë edhe këtë sesion, pasi vendi tani është futur në një vit elektoral dhe vetëm gjashtë muaj i ndajnë shqiptarët nga kutia e votimit. Muaj të cilët do të jenë muaj sulmi dhe kritike nga ana e opozitës drejtuar mazhorancës.