E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kufizimi i imunitetit mbetet i "ngrirë"

Ndryshimi i Kushtetutës për çështjen e kufizimit të imunitetit mbetet një proces i ngrirë. Pas votimit të Kodit të ri Zgjedhor dhe Ligjit për Prokurorinë ende nuk ka një datë të saktë sa i takon miratimit të kësaj nisme. Pak kohë më parë, dy partitë kryesore, në pushtet dhe opozitë ngritën një tryezë negociatash me qëllim kufizimin e mbrojtjes ligjore të zyrtarëve të lartë të shtetit. Gjithçka mbeti te një seancë dëgjimore me përfaqësues të shoqërisë civile. Parimisht u tha të ishte rënë dakord që, nëse një deputet procedohet penalisht, çështja mund të hetohet ndaj tij, pavarësisht se Kuvendi nuk ka vendosur t‘i heqë imunitetin. Ndaj deputetit mund të fillojë procedimi penal pa autorizimin e Kuvendit, por ai vazhdon të jetë deputet, apo ministër, deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata, po liritë personale të tij nuk preken, nuk arrestohet, nuk përgjohet, nuk kontrollohet dhe në këtë moment kërkohet autorizimi nga Kuvendi. Ajo që ndryshon është e qartë, prokuroria fillon direkt procedimin penal ndaj një deputeti, pa qenë nevoja si deri tani që Kuvendi të miratojë heqjen e imunitetit, si hapi i parë për fillimin e procedimit penal. Mendohej që kjo hallkë të shkëputej dhe prokuroria të mos gjente më barriera politike për nisjen e hetimit ndaj një deputeti apo një gjykatësi. Kuvendit i kërkohet miratimi, vetëm kur i zgjedhuri shpallet fajtor nga gjykata me vendim të formës së prerë. Roli i Kuvendit në një rast të tillë është formal, pasi nuk mund të ndodhë që dikush dënohet nga gjykata dhe Kuvendi ta mbrojë me shumicë votash. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike mbështesnin idenë e kufizimit të imunitetit edhe për prokurorët, gjyqtarët dhe funksionarët e tjerë të institucioneve kushtetuese. Propozim që Partia Socialiste nuk është treguar e gatshme ta pranonte. Këtë qëndrim kanë mbajtur edhe konstitucionalistët e ftuar në takimin konsultativ të organizuar nga komisioni i çështjeve ligjore në Kuvend. Dy ditë më parë, teksa reklamonte kalendarin politik të Partisë Demokratike, kreu i grupit parlamentar, Astrit Patozi, kërkoi konsensusin e opozitës për të kaluar nismën e kufizimit të imunitetit. Drejtuesit e Partisë Socialiste nuk janë shprehur më në lidhje me tryezën e iniciuar nga Ilir Rusmali dhe Ylli Bufi. Teksa ndryshimi i fundit në ligjin për prokurorinë çoi de fakto në një kufizim të mbrojtjes ligjore të eksponentëve të organit të akuzës. Kjo, pavarësisht se u kontestua prej komunitetit të prokurorëve në deklarimet e tyre publike. Teksa jemi vetëm gjashtë muaj nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare mbetet në pikëpyetje fati i kësaj nisme të dy partive kryesore politike. Ishte ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, ai që në më shumë se tre raste kërkoi publikisht kufizimin e imunitetit të zyrtarëve si kusht për të intensifikuar luftën ndaj fenomenit të korrupsionit në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›